MENU
klinika

Elementet e të shkuarës ruhen të paprekura

Nga Kalabria me dashuri…

25.09.2021 - 14:42

Kolë Kamsi, është një ndër studiuesit më të njohur që ka botuar mbi arbëreshët e Italisë dhe dialektin arbëresh, duke i kushtuar disa botime librash e artikuj në revista shkencore e letrare. Në shkrimin e cituar më poshtë ka referenca nga një studim i tij mbi elementet e të shkuarës që arbëreshët i kanë ruajtur të paprekura.

Ato vishnin këmisha të bardha mëndafshi dhe një jelek të mëndafshtë, ndërsa fundi i gjatë deri tek këmbët ishte qëndisur bukur me stoli. Në belin e hollë ato mbajnë një petk të gjerë të qëndisur me fije ari. Ato e quajnë brez dhe zakonisht ai është i argjendtë, dhe përpara mban figurën e ndonjë shenjti, sidomos të Shën Gjergjit, a të Shën Mitrit… Flokët i kanë ndarë thjesht me krehër në mes, ose mbi to hedhin një shami të qëndisur me lule të vogla të bardhë… Me këtë veshje, vajzat arbëreshe ecnin në rrugët e Kalabrisë, apo Bazilikatës, ku sharmi i tyre dallohej prej copës së shndritshme që mbanin në trup. Ditën e kremteve të mëdha, kur shkojnë në Kishë, ato zgjedhin rrobat më të bukura. Një kostum që prej shekuj e shekuj me radhë, nënat e tyre i kishin ruajtur në sënduk, duke i trashëguar me fanatizëm, si një element që i kujtonte të shkuarën e tyre. Në këtë pjesë të Italisë, ku prej gati 500 vitesh jetojnë shqiptarë (arbëreshë) historia ngjason me atë të shekujve më parë. Traditat shqiptare janë ruajtur me aq kujdes breza me rrallë, ndërsa gjuha duket sikur vetëm ka ndryshuar timbër, por në thelb është një shqipe e bukur.

Ndryshe nga femrat, burrat vishen si vendasit. Petkat kombëtare duket se i kanë lënë pas dore që në kohët e mërgimit të hershëm, e në asnjë nga këto vise nuk mund të gjesh dikë që t’i ketë mbetur ndonjë shenjë a ndonjë kujtim nga të parët e tyre. Por brenda tyre, në shtëpitë karakteristike, në zakone, në gjithë rrjedhën që merr jeta, ata ruajnë elementët e origjinës së tyre shqiptare. Profesor Kol Kamsi i kushtoi gjithë jetën e tij, studimit të arbëreshëve të Italisë, duke studiuar elementë, e duke mbledhur detaje për ta bërë më të plotë historinë e kësaj pjese të rëndësishme të Shqipërisë së madhe. Që kur ishte student në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitër Koronës e deri sa mbylli sytë më 1960, ai nuk reshti së kërkuari, së mbledhuri e së shënuari fjalë, e tekste për arbëreshët. Ai gjeti në mjediset e arbëreshëve vatra të pashuara të shqiptarisë së moçme, këngë e valle të hershme, veshje e zakone të bukura, që ngjanin sikur nuk ishin prekur fare nga ndikimi italian. Pikërisht aty ai ndjeu vetëm një dëshirë: të mblidhte më shumë fjalë e shprehje, të hulumtonte më tepër në ato mjedise e të ndriçonte këtë pjesë të kulturës shqiptare në dhe të huaj…

Më 23 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta?. Profesor Kol Kamsi ishte zotuar të dorëzonte Fjalorin arbërisht-shqip, dhe deri në hartimin e tij, nuk ishte i qetë. Por dhe pse i përfunduar me aq zell, fjalori i dorëzuar me përkushtim do të flinte për dyzet vjet me radhë në raftet e Institutit. Kohë më pas, fjalori dhe veprat e tjera të Kamsit do të vlerësoheshin nga njerëz të njohur të arbëreshëve të Italisë. Në një letër që profesor Francesko Altimari i dërgon vëllait të Kolë Kamsit, Gjonit, më 30 prill 1981, i shkruan: “Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat tuaja Zef Farakom, drejtor i revistës “Zjarri” ka përgatitur një artikull mbi jetën dhe veprën e vëllait tuaj të nderuar, që do të dalë nga shtypi së shpejti”. Më vonë, një nga punët e tij titanike, të cilën nuk mundi ta përfundojë por dhe të gjitha dorëshkrimet janë mbledhur në një libër “Shqiptarët e Italisë”, botohet në kolanën e sektorit shkencor të Albanologjisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studimi i Kamsit jo vetëm bën të njohur pasuritë etno-folklorike të arbëreshëve të Italisë, por bën të njohur dhe emra të panjohur më parë, personalitete të kulturës arbëreshe si: Nikollë Keta, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Bernard Bilota, Anton Argondica, Agostin Ribeko, Salvatore Braile, Anselmo Lorekjo, Vinçenc Stratigoi.

“Të pajisur me një karakter të fortë mbetën për plot katër a pesë shekuj shqiptarë me gjuhë, me vëshë, me tradita e doke. E këtë lidhje gjaku nuk e treguan vetëm tue ruajtur ma të madhin kujdes me një qëndresë të rrallë që shihet veç në popullin e Izraelit, veti e karakteristika të veçanta të rracës sonë, por e shfaqën më së miri dhe me dashurinë ndaj shqipes, dashuri që e treguan jo veç me fjalë por edhe me punë, duke i sjellë shërbime të mëdha letërsisë shqipe e rilindjes sonë kombëtare”, shkruan prof. Kamsi për arbëreshët. Në studimin e lënë prej tij, ne ndalemi në një atmosferë tepër interesante sesi është ruajtur e zhvilluar kultura shqipe në këtë pjesë të Italisë, ku dhe pse për më shumë se 45 vjet kontakti me Shqipërinë ka qenë i ndaluar, ata kanë ditur të ruajnë Shqipërinë e tyre. Kamsi na njeh në këtë studim dhe me personalitete të tjera të rëndësishme të kulturës arbëreshe. Një prej tyre është dhe At Anton Santori (1819-1894) nga Pizziljia e Shën Katerina Albanese, koloni shqiptare në krahinë të Kozencës. Pas De Radës, ai ka qenë një nga shkrimtarët më të njohur të arbëreshëve të Kalabrisë. Autor i disa librave, në dokumentet e kohës del në pah fakti i një drame të papërfunduar të tij, e quajtur “Emira”. Kjo dramë ka mbetur ende e pabotuar dhe për prof. Kamsin, për historinë e letërsisë italo-shqiptare ka rëndësi të veçantë, e para pasi është shkruar në gjuhën shqipe. Në të është historia e Emirës, një vajze arbëreshe, por dhe e jetës së thjeshtë të vendit ku ajo jetonte. Në kujtimet e tij, De Rada shkruan dhe për Santorin, duke treguar dhe për një roman të cilin ai kishte nisur ta shkruante. Janë një mori botimesh në të përditshmet e kohës të këtij shkrimtari arbëresh, emri i të cilëve ka mbetur vetëm në dorëshkrime. Arbëreshët e Italisë kanë pasur një kontribut në rilindjen shqiptare. Gustav Meyer, filolog i njohur gjerman, shkruante në një artikull të 1885-s mbi gjuhën e letërsinë shqipe në një revistë italiane, duke thënë se “nëse unë i jap vendin e parë veprimtarisë letrare të shqiptarëve të Italisë, e bëj se aty mbretëron prej disa kohësh një jetë e gjallë mendore, krejt ndryshe nga çfarë ndodh në Itali”. “Shqiptarët e Italisë”, – shkruante më vonë gazeta franceze “Le temps” më 12 shtator 1913, – “kanë pasë në zhvillimin e idesë kombëtare në Shqipëri një pjesë të madhe, të cilën historia e ardhshme e Shteteve Ballkanase nuk mund të mos e përmend”.

Më i vjetri dokument shqip i italo-shqiptarëve që njihet deri më sot është “Doktrina e Krishterë” e Mantrangës, që u botua më 1592 e që ka rëndësi si vepër e parë e dialektit të Arbëreshëve të Sicilisë. E në këtë hapësirë do të zhvillohet një letërsi, që do të udhëhiqet nga atdhedashuria e malli për atdheun e largët. Në Kalabrinë e shekujve më parë, një grup shokësh, flisnin mbi vargjet e shkruara në kafene, duke u bërë protagonistët e zhvillimit të shqipes, dhe pse mijëra kilometra larg.

Doket e morteve

Ndër kolonitë shqiptare të Molise-s si në Portocannone, në Uri etj., gratë në vaj lëshojnë thirrma: puh, puh! Puh, puh! Vemeje! Thirrmat e para janë marrë prej Homerit, e tjetra është frazë latine e cila do të thotë “mjera unë”. Ndoshta thirrja “vemeje” mund të jetë dhe një shtrembërim i frazës shqipe “vaj për mue”!. Vajtimet s’prajnë në rasë vdekje deri sa kufoma të jetë në shtëpi. Sa herë që të shihen tue hy n’odë të të vdekuri gra të huaja që vijnë për me u pjekë a për krye shëndosh, gjinija e të afërmit çojnë zërin dhe vajtojnë. E vajtimet i bëjnë me radhë, që të mos lodhen kështu që tek pushon njëra ia nisë tjetra.

Ndër koloni të Siçilijes e të Kalabrijes përveç brimvet rrahin kryet me grushta e zhgulin prej kres flokë që i hjedhin përmbi kufomë. Ndër morte shpesh gratë kujtojnë në vaj dhe rob të tjerë që u kanë vdekur më përpara: dikush qan fëmijën e vetë të humbur ditë më të mirë, dikush prindërin, burrin vetë, ndonjë tjetër motrën apo vëllanë. Me një zë të përmalluar ia sjellin gjithnjë fjalën të vdekurit sikur të ishte gjallë e të mund ti dëgjonte apo kuptonte, i përshkruajnë jetën e punët e mira, qajnë mbi të keqen që i ka rënë familjes e ndonjëherë i japin edhe ndonjë porosi për të dashurit e tyre që gjenden në jetët e përtejme. Një grue e ve prej kolonisë së Lungro-s, duke vajtuar mbi kufomën e një mbese i jepte këtë porosi për burrin e vetë: “Terezë o bija ime: shko te Gjambattista e çoi një këmishë: e thuaj se e kam qepë me flokët e shkulur prej kokës sime, e kam larë me lot të syve të mijë dhe e kam terë me zjarrin e zemrës sime”.

Në këto lloj vajtimesh ndihen dhe përfytyrime të larta poetike. Një tjetër vajtocë duke qarë vdekjen e një djali të ri bujar të fshatit të Shën Sofia d”Epiro, mbasi pasi ankohej për morten që po i merrte në moshën më të bukur djemtë e rinj, thoshte: Lëkundju, lëkundju, që prej themelit, o mure të kësaj shtëpie bujare, pse u rrëzua mbështetja juaj. Stolija më e mirë e kësaj familjeje u shue porsi një lule që vyshket në kohën e mbrëmjes. A nuk i dëgjoni hingëllimën e kalit të tij? Ai në garazh ku gjendet i mbyllur pyet për të zotin e vet, por vaj! I zoti ka vdekur! E qeni i tij besnik, shoku i pandamë në gjueti, me të kujisurat e shpeshta e lypë edhe ai të zon, e kuisjet e tija janë jeku i fshamevet? tona. Vajtojnë pra, edhe kafshët humbjen e këtij djali bujar, si mund të rrimë pa e vajtuar ne, që e kemi nderuar për virtytet e tij të rralla.??. Kur vjen koha e varrimit atëherë, të qarat dhe të bërtiturat bëhen shumë të tmerrshme. Të gjithë robt e shtëpisë e të pranishmit shpërthejnë në vaj e në dënesa të thella. Miqtë e familjes e farë-fisi më i hidhen sipër të vdekurit, e duke qarë i japin të puthurën e fundit, e gratë tue bërtit me zë të lartë e tue rrah vedin me grushta nuk duan të ndahen prej kufomës, nuk luajnë vendit e mundohen mos me e lënë të dalë nga shtëpia, por burrat i kapin prej krahu, i ngrenë dhe i largojnë tue i ngushëlluar e duke i thënë se duhet me iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Ndër disa koloni të Kalabrijes së mesme, në kohë që trupi i të vdekurit del prej shtëpie, e kanë zakon që të shkrepin në shenjë pikëllimi, dritaret e shtëpisë. Mbas arkivolit të të vdekurit, mbrapa mbas kortezhit shkojnë dhe gratë të cilat me flokët e lëshuem e të shprishun si praeficat romake e përcjellin kufomën tue vajtue me za të lartë gjatë gjithë rrugës deri në kishë apo deri në varrezë.

Arbëreshët e disa fshatrave të Kalabrijes, përpara se ta varrosin të vdekurin i fusin në xhep lekë të vogla 10 a 20 qindarka, ndoshta në kujtim të monedhës që në kohë të pagajve ish zakon t’i shtrihej kufomës në gojë që të paguante Karontin për më qitë një lundër mb’at anë të lumit t’Akerontit.

Një shenjë për të treguar dhembjen është dhe të shuarit e zjarrit në vatër porsa vdes ndonjë pjesëtar i familjes. Njerëzve të shtëpisë nuk u bie ndërmend as të hanë, por për to mendojnë, “më parë gjinija e më vonë miqtë, të cilët për disa ditë rresht u çojnë me radhë drekë e darkë”.

Ndër koloni të Siçilijes familjet që kanë mort u ndajnë të varfërve për shpirtë të vdekurit bukë të gatuemë në formën e kryqit ose u japin me ngrënë grurë të zier e u japin dhe me pirë. Në Contessa Entellina në të tretën, deri në të dyzetën ditë të mortit, gjinija e të vdekurit, veshë me petka jazi, shkojshin përmbi vorr, tue marrë me vehte diana e enë me zjarr ku digjeshin lijvanën, ndërsa thohej mesha për shpirt të të dashurit të tyre. Kjo ceremoni tashmë nuk bëhet më, pasi të vdekurit nuk i varrosin më në Kishë por në varrezë. Jazi mbahet mbas shkallës së gjinis. Burrat për vdekje të nji pjesëtari të familjes, në shenjë jazi nuk rruhen dhe e lëshojnë mjekrrën për 15 ditë, e kur dalin jashtë mbështjellë me mallota të zeza si në dimër e verë, tue mbulue deri kryet.

Nënat e gratë e veja për vdekje të djemve e të burrave rrijnë në të zeza për tërë jetën e rrallë ndodh që ndonjë të vejë e të martohet përsëri mbas vdekjes së burrit të parë. Kaq e madhe është dashnija e besnikërija për bashkëshortin sa kanë mbërrijtë me pre e deri krejt flokët mbi kufomën e fatit.

Martesa

Të shtunën mbrëma, natën e dasmës ndër koloni të Shqiptarëve të Kalabrijes si në Frashineto, në Spezzano, në Civita, etj., kumarët e kishin zakon, të shtrojnë për darkë në shtëpi të dhëndrrit. E aty, në tryezë. ndërsa ndonjë i ftuar çonte kupën e verës, e pinte për shëndet të dhëndrrit, ndonjë tjetër kapte pushkën. Këngë, valle e të shtime pushkësh, dëgjoheshin në atë kohë edhe në shtëpinë e nuses. Ruajtësit e rendit për këto të shtëna nuk thoshin gjë, sepse e dinin se ky ishte një rit i vjetër i vendit të tyre. Të dielën në mëngjes, djem e vajza të farefisit, e të miqësisë shkojnë në shtëpi të dhëndrrit e të nuses. Ndërsa vallet e argëtimit vlojnë në shtëpinë e nuses, jashtë ndihen këngë të tjera. Ato vijnë nga dhëndrri, i cili është duke u përcjellë me kumarë prej dasmorëve për të marrë nusen. Dikur burrat merrnin me vete dhe armë të cilat i zbraznin gjatë rrugës për të marrë nusen. Kortezhit të njerëzve i prijnë dy njerëz që mbajnë në dorë dy flamujë shqiptarë. Kur krushqit arrijnë në shtëpinë e nuses, këtu nuk u del askush përpara për me i pritë, përkundrazi sipas zakonit e mbyllin derën, kështu dhëndrri dhe dasmorët do të bëjnë sikur nisin një luftim për të marrë nusen. Dasmorët e dhëndrrit këndojnë e kërkojnë që t’i nxjerrin nusen. Në këtë çast dëgjohet krisma e një pushke. Krushqit shtyjnë derën e cila hapet me njëherë e dhëndrri bashkë me kumarë, e me dasmorë, hyjnë në odën e nuses, e kapin për dore, e çojnë prej karriges e me krenari thotë “Është imja”. Një entuziazëm shpërthen në të gjithë shtëpinë. Por në këtë gëzim vetëm nusja duket e zymtë, e pikëlluar. I vjen keq që po lë shtëpinë, prindërit, e po ndahet prej fqinjëve me të cilët ka kaluar moshën e vajzërisë. Ajo ul sytë e qan”. / KultPlus.com