MENU
klinika

"Ja pandemitë që kërcënuan në shekuj"

Nga murtaja te Sars-Cov 2, sëmundjet që shoqëruan njerëzimin/ Brataj u përgjigjet skeptikëve

10.09.2021 - 08:54

Pandemitë nuk janë mit, që duhen besuar ose jo. Ato thjesht ekzistojnë në rrugëtim bashkë me njerëzimin. Ndërkohë që ato marrin forma të shumëllojta për të mbijetuar, njerëzimi rreket të gjejë forma për t’i luftuar ato.

Për të bindur të gjithë skeptikët e Covid-19 pas një viti e gjysmë kërdi në njerëz, kreu i Urgjencës Kombëtare ka bërë një analizë të thelluar duke u kthyer pas në kohë. Skënder Brataj ka marrë të gjitha epidemitë, që nga murtaja në kohën e perandorisë bizantine, e cila rrëzoi perandorin Justinian në kulmin e shkëlqimit të tij, deri në vitin 2019 me MERS-CoV dhe sot me SARS COV-2.

Të gjitha këto pandemi kanë vrarë e zhdukur miliona njerëz në të gjithë globin. Edhe në rastin më të mirë, kur virusi nuk vret, lë pasoja në organizëm duke e bërë të pambrojtur përballë sëmundjeve të tjera.

SKËNDER BRATAJ

PËR SKEPTIKËT, KONSPIRACIONISTËT, MJEKËT POPULLORË ABUZIVË!

Sëmundjet janë pjesë integrale e historisë së njerëzimit. Aktualisht jemi të ekspozuar ndaj kërcënimit të infeksionit nga SarsCov2/Covid-19. Që në momentin kur njerëzit filluan të organizohen në shoqëri dhe të krijojnë bërthamat e para të bashkëjetesës në të njëjtën hapësirë, sëmundjet ngjitëse kanë marrë një rol të veçantë. Me rritjen e popullsisë botërore kur sëmundjet përhapeshin dhe godisnin rajone të ndryshme të planetit, duke u bërë një kërcënim për popullatën, atëherë pandemitë e para filluan të dokumentohen. Këto pandemi kanë transformuar ose ndikuar shoqëritë në të cilat janë shfaqur dhe ka shumë mundësi të kenë ndryshuar ose ndikuar në mënyrë të veçantë rrjedhën e historisë. Në natyrë ka mbi 100 milionë lloje të ndryshme virusesh. Në përgjithësi viruset infektojnë të gjitha llojet e qelizave dhe të gjithë organizmat e gjallë (njerëzit, bimët, kafshët, kërpudhat dhe mikroorganizmat, përfshirë bakteret), duke shkaktuar një larmi sëmundjesh, të tilla si rrufa, gripi dhe poliomieliti; megjithatë, speciet e tjera nuk kanë fuqi patogjene dhe nuk shkaktojnë sëmundje. Viruset gjenden praktikisht kudo: në planetin tonë, në thellësitë e oqeanit, në akullin e Polit të Veriut etj. Edhe pse të paaftë për t’u riprodhuar, viruset mund të mbijetojnë në mjedisin e jashtëm për një kohë të kufizuar. Virusi i gripit, për shembull, mund të qëndrojë për orë të tëra jashtë trupit, veçanërisht në temperatura të ftohta dhe me lagështi të ulët.

KAPACITETI INFEKTIV I VIRUSEVE

Viruset në përgjithësi janë specie dhe inde specifike, p. sh. replikimi viral bëhet në mënyrë preferenciale në një organ ose aparat të mostrave që i përkasin një specieje të caktuar. Vetëm disa viruse mund të shkaktojnë sëmundje si te njerëzit, ashtu edhe te disa kafshë (zoonozat), ndërsa edhe më pak janë ato të afta për të infektuar si kafshët, ashtu edhe bimët. Viruset transportohen në mënyrë pasive derisa hasin një qelizë që do të infektohet: kur kjo ndodh, molekulat e pranishme në veshjen e jashtme virale (kapsid ose perikapsid) ngjiten në “receptorët” specifikë të pranishëm në sipërfaqen e qelizës pritëse.

MURTAJA E JUSTINIANIT

Perandoria Bizantine ishte në momentet e saj të shkëlqimit më të madh kur një epidemi e murtajës vuri në hije fuqinë e Perandorit Justinian. Kjo ishte epidemia e parë e njohur e murtajës. Sëmundja, dhe bashkë me të frika dhe histeria, u përhap me shpejtësi marramendëse në Kostandinopojë, një qytet me afro 800.000 banorë dhe prej andej në të gjithë Perandorinë Bizantine. Vetë Justiniani ishte gjithashtu një viktimë e murtajës, por arriti të shërohej. Në fund të epidemisë, kryeqyteti perandorak kishte humbur gati 40% të popullsisë së saj dhe 4 milionë njerëz kishin humbur jetën në të gjithë perandorinë.

MURTAJA E ZEZË

Murtaja e zezë ishte e njohur tashmë kur njerëzimi përjetoi epideminë e saj më të keqe në mesin e shekullit të 14-të. Ajo ishte e njohur për prejardhjen e saj, por shkaqet dhe trajtimi i saj u injoruan plotësisht. Kjo, së bashku me shpejtësinë e përhapjes, e bëri atë një nga pandemitë më të mëdha në histori. Vetëm pesë shekuj më vonë u zbulua origjina e saj shtazore, po ashtu ndikoi numri i madh i brejtësve dhe sidomos i minjve në atë periudhë të mesjetës.

LIA

I ashtuquajturi virus i lisë, i cili dihet se përhapet te njerëzit që prej 10,000 vjetësh, është shkaku i sëmundjes së njohur të lisë. Emri i saj u referohet pustolave që shfaqën në lëkurën e personave që u sëmurën prej saj. Ishte një sëmundje e rëndë dhe jashtëzakonisht ngjitëse që shkatërroi humbjen e 1/10 së popullsisë botërore që nga shfaqja e saj, duke çuar në nivele e vdekshmërisë deri në 30%. Ajo u zgjerua masivisht kur pushtuesit e botës dhe eksploruesit kaluan oqeanin, duke goditur tmerrësisht këto popullata me mbrojtje shumë të ulët kundër sëmundjeve të reja. Në Europë erdhi një periudhë dramatike e shpërndarjes së saj gjatë shekullit të 18-të, duke infektuar dhe shpërfytyruar miliona njerëz. Fatmirësisht, është një nga dy sëmundjet e vetme që njerëzimi ka arritur të zhdukë me vaksinim. Meritë e kësaj periudhe ishte lufta e pandërprerë ndaj kësaj sëmundjeje, e cila çoi në zbulimin e VAKSINËS për herë të parë në historinë e njerëzimit.

GRIPI SPANJOLL

Në mars të vitit 1918, gjatë muajve të fundit të Luftës së Parë Botërore, u regjistrua rasti i parë i gripit spanjoll në një spital në Shtetet e Bashkuara. Ai u quajt kështu sepse Spanja mbeti neutrale në Luftën e Parë Botërore dhe informacioni rreth pandemisë qarkulloi lirshëm, ndryshe nga vendet e tjera të përfshira në luftë, të cilat u përpoqën të fshihnin të dhënat. Ky nëntip (shtam) virulent i virusit të gripit u përhap në të gjithë botën në të njëjtën kohë me lëvizjet e trupave ushtarake në frontet e luftës europiane. Sistemet shëndetësore rrezikuan kolapsin dhe morgjet u mbushën duke mos përballuar më viktimat. Studimet e bëra kohët e fundit kanë zbuluar të dhëna më të sakta. Parashikohet se përqindja e vdekjes globale të ketë qenë midis 10 dhe 20% të të infektuarve dhe në të gjithë botën humbën jetën 20 deri 50 milionë njerëz. Ka nga ata që madje supozojnë se kanë arritur shifrat deri në 100 milionë viktima.

GRIPI AZIATIK

Regjistruar për herë të parë në Gadishullin Yunan të Kinës, virusi i gripit A (H2N2) me origjinë nga shpendët u shfaq në vitin 1957 dhe u përhap në të gjithë botën në më pak se një vit kohë. Në atë moment, roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dega mjekësore e ONU e krijuar në 1948-ën, çdo vit projektonte një vaksinë që synonte të zbuste efektet e mutacioneve të gripit. Megjithëse përparimet mjekësore në lidhje me pandeminë e gripit aziatik kanë ndihmuar në frenimin e shpërndarjes së virusit shumë mirë, kjo pandemi ka regjistruar një milion vdekje në të gjithë planetin.

GRIPI I HONG-KONGUT

Vetëm dhjetë vjet pas pandemisë së madhe të gripit aziatik u shfaq edhe një herë në Azi i ashtuquajturi “gripi i HongKongut” A (H3N2), i cili u regjistrua në këtë qytet në vitin 1968 dhe u përhap në të gjithë botën në mënyrë të ngjashme me atë të gripit aziatik. Një milion viktima shkaktoi ky lloj i ri i gripit.

VIRUSI I MUNGESËS SË IMUNITETIT NJERËZOR (HIV)

Një nga pandemitë më serioze dhe më të fundit të njohura për shoqërinë e sotme është ajo e virusit të mungesës së imunitetit njerëzor (HIV), i njohur më mirë si AIDS. Rastet e para të dokumentuara u shfaqën në vitin 1981 dhe që nga ajo periudhë virusi u shpërnda në të gjithë botën, duke shtuar shumë përpjekjet e sistemeve shëndetësore botërore. Origjina e tij mendohet të ketë qenë shtazore dhe efektet e tij përfshijnë një dobësim të sistemit imunitar. Në vetvete virusi nuk është vdekjeprurës, por pasojat e tij janë të tilla, sepse ato e lënë organizmin të pambrojtur përballë sëmundjeve të tjera. Infektimi nga ai ndodh nga kontakti me lëngjet biologjike të organizmit.

SARS

Sindroma Akute Respiratore është një formë atipike e pneumonisë e shkaktuar nga virusi SARS-CoV, i cili u shfaq për herë të parë në nëntor të vitit 2002 në provincën e Guangdong (Kanton) në Kinë. Sëmundja e identifikuar së pari nga mjeku italian Carlo Urbani (i cili më vonë vdiq si rezultat i infeksionit nga ky virus) shkaktoi një epidemi për një periudhë kohe që shkoi nga nëntori 2002 deri në korrik 2003, duke shkaktuar 8.096 raste infektimi dhe 774 vdekje në 17 vende të botës (shumica në Kinën kontinentale dhe Hong-Kong), me vdekshmëri përfundimtare prej 9.6%.

MERS

Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme nga Koronavirusi (e njohur edhe si “gripi i deveve”) është një sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi MERS-CoV. Virusi MERs-CoV ka si rezervuar natyral lakuriqët e natës, të cilët infektojnë me jashtëqitjet e tyre devetë dhe për këtë arsye njerëzit, edhe pse kjo është vetëm një hipotezë. Virusi që shkakton sëmundjen është një koronavirus i ngjashëm me virusin që shkakton SARS, por sëmundja që ajo shkakton, edhe pse e ngjashme me SARS, duket se shkakton një vdekshmëri shumë më të lartë, afërsisht 34%, ndërsa për SARS është 10%. Rasti i parë u raportua më 24 shtator 2012 nga virologu egjiptian dr. Ali Mohamed Zaki në Jeddah, Arabia Saudite. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka regjistruar 424 raste deri më 30 Prill 2014 të infeksioneve në të gjithë botën; 131 prej tyre rezultuan në vdekjen e pacientëve. Në korrik 2019, OBSH në partneritet me Universitetin e Oksfordit, Kolegjin Imperial të Londrës dhe Institutin “Pasteur”, deklaroi se ka pasur një ulje të numrit të rasteve dhe vdekjeve nga MERS-CoV, në sajë të përmirësimit të aftësisë për të diagnostikuar menjëherë infeksionet dhe për të zvogëluar transmetimin e tyre. Në nëntor të vitit 2019 infeksionet e konfirmuara që nga shtatori 2012 arritën në 2,494 dhe vdekjet e lidhura me MERS-CoV ishin 858. SarsCov-2/Covid-19: Mendojmë akoma që nuk ekziston?