MENU
klinika

Gara për Kushtetuesen, përjashtohen 3 kandidatë!

Çështjet e rëndësishme të shtatorit për Gjykatën

01.09.2021 - 09:52

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka ndaluar kandidimin e tre gjyqtarëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Në mbledhjen e djeshme të KED-së, është ndaluar nga kandidimi në Gjykatën Kushtetuese të gjyqtarëve Sinan Tafaj, Dhimitrula Spiros dhe Saimir Vishajt.

Sipas njoftimit të bërë nga Institucioni i Drejtësisë, gjyqtarëve u është gjetur mangësi në një ose në disa prej kritereve të vendosura nga Kushtetuta.

“Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara, që kërkohen për përzgjedhjen dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

Ndalimin e kandidimit dhe mosvijimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë: Z. Sinan Tafaj, për vendin vakant të znj. Vitore Tusha dhe vendin vakant të z. Gani Dizdari; Znj. Dhimitrula Spiro, për vendin vakant të znj. Vitore Tusha dhe vendin vakant të z. Fatmir Hoxha; Z. Saimir Vishaj, për vendin vakant të znj. Vitore Tusha, vendin vakant të z. Gani Dizdari dhe vendin vakant të z. Fatmir Hoxha. Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë pasur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të tyre do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.


Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar”, thuhet në njoftimin e KED-së.

Ndërkohë, pak muaj më parë Gjykata e Lartë publikoi listën me 9 emra, nga të cilët kanë mbetur 7, që u propozuan për 3 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, pasi 2 nga 3 emrat e gjyqtarëve që u skualifikuan nga KEDi ishin pjesë e asaj liste.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë, mes tyre dhe kryetaren Vitore Tusha, e cila qëndron në detyrë edhe pasi i ka përfunduar mandati.

Në rast se Kushtetuesja do të plotësohet me 9 anëtarë, atëherë për të marrë një vendim duhet të ketë një votim 5-4 pro/kundër.

Çështjet e rëndësishme të shtatorit në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese pritet që ta nisë muajin shtator me një axhendë të ngjeshur dhe të nxehtë.

Ndonëse vazhdon të mbetet me 7 anëtarë, Kushtetuesja ka përpara vendime të rëndësishme që priten me mjaft interes nga qytetarët.

Vendimi për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës, është padyshim sfida më e madhe e trupës së paplotë të organit më të rëndësishëm të gjyqësorit në vend që nga krijimi i saj.

Ky rast i paprecedentë erdhi në dyert e Kushtetueses, pasi Kuvendi vendosi me 104 vota pro shkarkimit të Presidentit, teksa fjala e fundit i takon 7 anëtarëve të Gjykatës.

Po ashtu, një tjetër çështje e nxehtë që kërkon vendim është ajo që lidhet me zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Kushtetuesja e ka cilësuar padinë e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet, si të një natyre unike dhe kërkoi këshillimin nga Komisioni i Venecias për dhënien e një opinioni “amicus curiae”.