MENU
klinika

“Kuvendi Kombëtar i PD do të mblidhet”

Noka: Nuk shqyrtojmë vendime të SHBA-ve, por largimin e Bashës

23.09.2021 - 12:58

Anëtari i kryesisë së PD Flamur Noka, i cili ka dalë hapur në krah të liderit historik të demokratëve Sali Berisha pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar, është shprehur sot para gazetarëve se Kuvendi Kombëtar dhe Kongresi i  partisë do të mblidhet.

Deklarata e Nokës vjen si kundërpërgjigje ndaj Lulzim Bashës i cili u shpreh ditën e djeshme para gazetarëve se Kuvendi i PD nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendime të qeverisë amerikane.

“Kuvendi do të mblidhet, dhe jo për të shqyrtuar vendime të SHBA-ve, por do të mblidhet kundër Bashës. Kundër kryetarit të PD që tashmë është në minorancë, ilegjitim dhe nuk përfaqëson shumicën në PD. Është gjithçka një proces, askush në Republikën e Shqipërisë nuk mund ta ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD.”

I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur kërcënime nga ana e kreut të partisë tek anëtarët e PD që të mos marrin pjesë në takimet e Sali Berishës, Noka pohoi se ka pasur shantazhe. Sipas tij, ka organizime për të mos i hapur dyert për Berishën dhe për t’i sabotuar takimet.

“Ka disa ditë që ka filluar një tur takimesh me drejtues të degëve duke u bërë shantazh për të mos hapur dyert për Berishën, për t’i sabotuar takimet …” 

Flamur Noka mbështeti deklaratat e bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha nga “Foltorja” e Fierit. Lideri historik i demokratëve u shpreh më 21 shtator se pavarësisht se çfarë deklaron Basha, Kuvendi Kombëtar i partisë do të mblidhet dhe do të vendosë për fatin e tij.