I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, analisti Mentor Nazarko, analizoi Parlamentin e ri, që pritet t’i zhvillojë punimet të premten e 10 shtatorit. Nazarko theksoi se qeveria futet në Parlament dhe krijon qeverinë e re, në një periudhë ku vendi ndodhet në një fazë zhvillimesh pozitive, si në politikën e jashtme ashtu dhe të brendshme.
“Nga këndvështrimi i zhvillimeve me karakter kombëtar, Shqipëria hyn në një fazë ndryshimesh pozitive, siç janë rishqyrtimi eventual i anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. Marrja e vendit anëtar në Këshillin Sigurimit të OKB-së dhe pse jo, ndoshta një intensifikim i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në të cilin imagjinoj që edhe Shqipëria do të ketë një lojë për të luajtur, ose me iniciativë të vet ose e thirrur për ta luajtur këtë rol nga ndërmjetësit, ose SHBA ose BE. Po ashtu nga këndvështrimi i zhvillimeve të brendshme Reforma në Drejtësi do të japë frytet e para të saj dhe ky kompletim j institucioneve të drejtësisë do të thotë fillimin nga puna të tyre, qoftë në pikëpamje të ndjekjes së veprimeve korruptive dhe qoftë nga trajtimi gjyqësor i tyre. Kushtetuesja pritet të shprehet për çështjen e Presidentit. Përfshirja e opozitës në Parlament do të sjellë zhvillime të tjera të mundshme që mund të jenë rishikimi i ndarjes territoriale, nëpërmjet një marrëveshjeje të re, pozitë-opozitë; Rishikimi i Kushtetutës gjithashtu, në linjat që janë fiksuar në marrëveshjen e 2008-ës- të paktën këto ishin disa nga kërkesat e opozitës së re, për të cilat ftesa e Ramës ka qenë se ne jemi të gatshëm për të gjitha temat”, tha analisti.
Sa i përket pritshmërive, Nazarko tha se pret një opozitë me një qasje konstruktive e institucionale e cila e rriti elektoralisht në muajt e fundit para votimeve të 25 prillit. Kjo qasje sipas tij do të ishte e pëlqyeshme për elektoratin, por edhe miqtë Perëndimorë.
“Unë gjithmonë jam konservator, në mbrojtjen e pikëpamjes time pro konstruktivitetit të opozitës. Një opozitë e re e fokusuar tek problemet e qeverisjes në planin ekonomik, të një qasjeje propozuese për ta ndryshuar vendin, ashtu siç e kishin dhe në programin e tyre; një opozitë e re që ka një karakter konstruktiv, për këto që janë prioritete shtetërore dhe kombëtare e cila e ruan atë karakterin denoncues, por ama me një qasje tërësisht institucionale. Ajo qasja e formulimit të akuzave me karakter përfundimtar nga foltoret e partive s’prodhon asgjë; ndërsa qasja e re, profesionale me ekonomistët që kanë ardhur në krye të grupit parlamentar do e vendoste Ramën në vështirësi shumë më të mëdha dhe do të ishte një lloj barriere për degjenerimin e vazhdueshëm të pushtetit, i kuptueshëm për një parti që është në mandatin e tretë. PS eshtë një parti në mandatin e tretë dhe ka sëmundje klasike të degjenerimit për shkak të qëndrimit në kënetën e pushtetit. Një opozitë e tillë me qasje propozuese, konstruktive, me kritikë shumë më efektive se ajo e denoncuesit digjital do të fitonte besueshmëri qoftë te miqtë tanë perëndimor dhe qoftë në elektorat”, u shpreh Nazarko.
Për analistin, Kosova duhet të ndiqte një qasje tjetër në marrëdhënie me SHBA-në dhe në dy bisedat telefonike që kanë pasur, si zv. Presidentja e SHBA, Kamala Harris me Presidenten Vjosa Osmani, por edhe Sekretarit Blinken me Kurtin, do duhej të kërkohej, përpos të tjerave, përfshirja e SHBA-ve në dialog, në një kohë që jemi pranë 1 vjetorit të marrëveshjes së Uashingtonit.
“Unë bie plotësisht dakord me vlerësimin e Grenell në shkrimin e The Federalist që kjo administratë e SHBA nuk e ka në momentin e dhënë prioritet Ballkanin. Po të shohësh komentet e SHBA, DASH, apo ambasadës Amerikane në Mal të Zi, sa per shembull ato ishin në një ekuilibër të plotë për zhvillimet e javës së fundit, me mungesë ndjeshmërie apo fokusimi. Duket që SHBA-të e kanë prioritar fokusin afganëve që ishin bashkëpunëtorët e tyre, për zhvendosjen në vende të Evropës, përkatësisht Kosovë, Shqipëri. Kjo është nevoja e tyre imediate. Ndaj sot për sot nuk kanë asnjëlloj roli shtytës, proaktiv në zhvillimet e Kosovës, në dialogun me Serbinë më së shumti, apo një qëndrim të fortë, por apo kundër njërës palë në përplasjen që u zhvillua në Mal të Zi. Ecuria e dialogut dhe zhvillimet në Mal të Zi, duket se janë te paktën sot për sot në shenjën e një lloj tërheqjeje të SHBA-ve. Mirëpo nuk është ekzaktësisht kështu. E marrim për shembull Kosovën.
, zv. Presidentja e SHBA ka folur me Presidenten e Kosovës. Sekretari amerikan i shtetit, ka folur me zotin Kurti. Kanë folur për afganët dhe vaksinen, por ky komunikim ishte një rast i humbur që Kosova të kërkonte përfshirjen e amerikanëve në dialog, në një vjetorin e marrëveshjes së Uashingtonit, dhe ne mbajmë mend se kjo qeverisje aktuale e Kosovës nuk e dëshironte përfshirjen e administratës Trump, madje ky kryeministër e mbështeti ardhjen e zotit Biden në krye të SHBA me një thirrje që i bëri elektoratit shqiptaro-amerikan në fushatën elektorale.
E pra, keto dy biseda ishin një rast që krerët e lartë të Kosovës të kërkonin përfshirjen e SHBA-ve në dialog, sepse përndryshe e kam të vështirë të kuptoj cila është qasja e institucioneve për dialogun: duan përfshirje të Evropianëve; . janë të kënaqur me dialogun, janë të kënaqur me ndërmjetësinë e një shefi të politikës së jashtme që është spanjoll dhe rolin promotor të një ish ministri slovak?. Apo duan përfshirje amerikane? Unë mendoj që me të gjithë kufizimet që të jep protokolli i një bisede telefonike, ku zakonisht ai që të thërret e është lojtari më i fuqishëm përcakton rendin e bisedës e të thotë ‘duam të flasim vetëm për afganët, apo për vaksinat’, Kosova ka patur mundesi të kerkonte ndihmë per dialogun. Po, ishin dy arsye për telefonatat: amerikanët e ndihmuan Kosovën duke i dhuruar 500 mijë vaksina, në kushtet kur kjo qeveri është duke u përballur me një krizë pandemike të tmerrshme, me, rreth 30 të vdekur në ditë edhe si shpërblim për pranimin e dy mijë afganeve: në kushte të tilla u zhvilluan këto dy biseda.
Në gjykimin tim, Kosova e cila pa këtë gjest riafrimi me SHBA-të, këtë kontakt të nivelit të lartë me të, ka humbur një rast që të kërkojë përfshirjen amerikane në dialog. Unë mendoj që është interesi i Kosovës, interesi ynë kombëtar që dialogu të përfundojë sa më shpejt. Ata që mund ta përfundojnë sa më shpejt janë vetëm amerikanët. Unë e kuptoj që zhvillimet në Afganistan e kanë zhvendosur Kosovën nga lista e prioriteteve, por unë e kuptoj që kjo nuk e bën të keqe marrëveshjen e Uashingtonit, përkundrazi. Ajo marrëveshje ishte zgjedhje gjeniale në shenjën e një reciprocitetit absolut midis dy vendeve, për të zhvendosurit, të zhdukurit, refugjatët, marrëdhëniet me Izraelin, Kinën, Rusinë, etj. Vetë Kosova e vonoi përfshirjen dhe ekzekutimin e pikës për njohjen reciproke. Në një marrëveshje ku thuhet se, ‘dy palët zotohen se…’ është marrëveshje në shenjën e paritetit absolut mes dy palëve. U ndërmjetësua nga administrata Trump, dhe kjo administratë aktuale e tregoi se e mbështeste vijimësinë e saj. Pra mendoj që është humbur një rast i rëndësishëm në këtë drejtim”.
Analisti u ndal dhe te zhvillimet në Malin e Zi, ndersa tha se konflikti atje, me kontekst fetar do të jetë i përkohshëm.
“Sa i takon zhvillimeve në Mal të Zi mendoj që është situatë shumë komplekse, sepse kemi asistuar në një përplasje politike, sociale, fetare, në një shtet ku dy palët politike janë në barazi të plotë. 41 deputetë është shumica dhe 39 është pakica, pra palët janë në barazi të plotë. Ato me ndihmë nga jashtë, kanë stimuluar një përplasje, në një kontekst fetar dhe unë besoj që do të kaloj shumë shpejt. Kjo përplasje u shënjua nga indiferenca perëndimore. Me gjasë të gjitha palët u përpoqën të tregonin njeri tjetrin si shkaktare, destabilizuese, dhe Serbia u përfshi me deklaratat e veta. Unë mendoj që qëndrimi i Shqipërisë ishte qëndrim i drejtë, ai j mospërfshirjes. Situata ishte mjaftueshëm komplekse që ne nga Shqipëria apo Kosova të jepnim mend për të zgjidhur një situatë si ajo, dhe kush foli pati thjesht rezonance lokale, pa lidhje dhe ndikim në situatën konkrete”, përfundoi analisti.