MENU
klinika

Dëshmia e rrallë e vëllait.

“Pas bombave, Sigurimi i helmoi gruan Sabaudinit”

18.09.2021 - 10:11

Dashnor Kaloçi

Pjesa e katërt

Publikohet historia e panjohur dhe e bujshme e ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, ku bënin pjesë: Sabaudin Haznedari, Xhevdet Mustafa dhe Halit Bajrami, të cilët në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982, me anë të një motoskafi të vogël që ishte nisur nga brigjet italiane, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, ku pasi vranë një oficer policie dhe një fshatar të zonës, nën forcën e armëve, mbajtën peng një polic tjetër, i cili do t’u tregonte rrugën për të përparuar në brendësi të territorit shqiptar, deri sa ata arritën në qytezën e vogël të Rrogozhinës, ku u zbuluan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe pas një përpjekje me armë, ‘kapo’ i saj Sabaudin Haznedari, mbeti i vrarë në një qendër zjarri, dhe po ashtu të njëjtin “fat” do të kishte edhe Xhevdet Mustafa, që mbeti i vrarë pas disa orësh, në një shtëpi të fshatit Zhamë të Lushnjes, pasi më parë kishte vrarë të zotin e shtëpisë dhe një nënoficer policie që po e ndiqte me motoçikletë. Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit nga qyteti i Durrësit, vëllait të ‘kapos’ së asaj bande, që rrëfen për herë të parë gjithë historinë e së ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, e cila sipas versionit të Enver Hoxhës, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”. Ngjarja e panjohur, vjen nëpërmjet vëllait të ‘kapobandës’, Haznedari, duke filluar nga historia e tyre familjare për të cilën aktori dhe dramaturgu i njohur, Sulejman Pitarka, do t’i kushtonte dramën “Familja e peshkatari”, si dhe të gjithë kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, që nga arratisja e tyre dhe deri në ngjarjen e 26 shtatorit 1982, ku Sabaudini dhe Xhevdeti mbetën të vrarë, në përpjekje me forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse Halit Bajrami, pasi u mbajt disa kohë në “Hetuesi” dhe te Hotel “Tirana”, u përcoll nga Zbulimi Shqiptar në Zelandën e Re, ku jetoi i qetë edhe pas viteve ’90-të, duke mos pranuar të shkelte më në Shqipëri!
Plot 39-vjet më parë, në paraditen e së dielës së 26 shtatorit të vitit 1982, një ngjarje aspak e zakontë dhe tepër e bujshme e ndodhur në një qytezë të vogël të Shqipërisë së Mesme. Shprishi heshtjen e monotoninë mbytëse që mbizotëronte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, duke shkaktuar pështjellim e panik të madh edhe në radhët e hierarkisë së lartë të udhëheqjes komuniste të kryesuar prej Enver Hoxhës. Po atë pasdite, lajmi mbi atë ngjarje, që ishte përhapur me një shpejtësi po të pazakontë pothuaj në të gjithë vendin, duke u rrëfyer në forma nga më të ndryshmet. U bë i ditur edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, me anë të një njoftim zyrtar të dhënë nëpërmjet një komunikate zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u transmetua në emisionin e lajmeve të orës 20.00. Ajo komunikatë zyrtare në mes të tjerash, bënte të ditur se: ‘një bandë e armatosur e financuar dhe e stërvitur nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinje, në bashkëpunim dhe me armiqtë e popullit shqiptar, kishte zbarkuar disa km. në thellësi të territorit shqiptar në bregdetin e Divjakës, ku dhe ishte asgjësuar plotësisht nga forcat e Ministrisë së Brendshme’.

Afro dy muaj më pas, akoma pa u shuar jehona e asaj ngjarje, gjatë një takimi që kreu i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, mbajti me zgjedhësit e zonës së tij elektorale në Tiranë, në mes të tjerash foli dhe për atë “bandë” që tashmë ishte bërë e njohur, kudo në të gjithë Shqipërinë, si “Banda e Xhevdet Mustafës”. Lidhur me këtë, ai u shpreh: “Banda e armatosur e kriminelit Xhevdet Mustafa, që u përgatit dhe u financua nga Leka Zogu në bashkëpunim me UDB-në jugosllave dhe shërbimet e huaja sekrete, të disa vendeve fqinje, u asgjësua e u eliminua plotësisht brenda gjashtë orëve nga zbarkimi i tyre, akoma pa e parë mirë diellin shqiptar”.

Për këtë ngjarje të bujshme, që asokohe tronditi gjithë Shqipërinë dhe hapi panik të madh për disa muaj me radhë duke vënë në gatishmëri të lartë të gjitha repartet e Forcave të Armatosura dhe çetat vullnetare, është folur dhe shkruar vetëm pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist, por përsëri, e gjithë ngjarja e 26 shtatorit të vitit 1982, ku mbetën të vrarë Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa, si dhe e ashtuquajtura “banda Xhevdet Mustafa”, edhe pse kanë kaluar katër dekada që nga ajo kohë, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, duke mbajtur mbi vetë një sërë pikëpyetjesh!

 

 

Në këtë kontekst, me qëllimin për të tentuar për të hedhur sadopak dritë mbi atë ngjarje të largët, Memorie.al i rikthehet përsëri një cikli shkrimesh për të ashtuquajturën “banda Xhevdet Mustafa”, duke publikur fakte dhe ngjarje të reja të panjohur më parë, të cilat vijnë nëpërmjet intervistës me Gafurr Haznedarin nga qyteti i Durrësit, i cili është vëllai i Sabaudin Haznedarit, kryetarit të “grupit komando”, që së bashku me Xhevdet Mustafën e Halit Bajramin, zbarkoi në bregdetin e Divjakës në mesnatën e largët të 26-shtatorit të vitit 1982, ku sipas versionit të Tiranës zyrtare të artikuluar nga vetë Enver Hoxha në fjalën e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale në Tiranë, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.

Pas intervistës me z. Gafurr Haznedari që do të publikohet në gjashtë numra radhazi, (duke filluar nga sot), Memorie.al do vazhdoj përsëri me shkrime të tjera, me dëshmi dhe intervista, nga aktorë të asaj ngjarje, të afërm të familjeve të tyre, si dhe dëshmitarë të ndryshëm, që rastësia i lidhi, apo i çoi në atë vend ku 39 vite më parë zbarkoi ‘grupi i armatosur komando’ i njohur ndryshe si “banda Xhevdet Mustafa”, ngjarje e cila edhe sot pas katër dekadash, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.

   Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit, vëllait të “kapos’ së “Bandës Xhevdet Mustafa”

                                                   Vijon nga numri kaluar

 

Zoti Gafur, pas asaj ngjarje, pra kur Sabaudini me Avdul Banushin vunë bombat në ambasadën shqiptare të Romës, a pati konsekuenca nga shteti familja juaj në Durrës?

Familja jonë në atë kohë nuk pati asnjë problem dhe nuk na ngacmuan fare. Por kjo nuk ndodhi me familjen tjetër të Sabaudinit, që ishte në Romë. Pak muaj pas asaj ngjarje, pasi Sigurimi me anë të agjentëve të tij e mësoi të vërtetën se Sabaudini me Avdul Banushin, ishin autorët e asaj ngjarje, ata nisën dhe hakmarrjen ndaj tyre. Në atë kohë, njerëzit e Sigurimit të Shtetit që vepronin jashtë Shqipërisë, shkuan në shtëpinë e Sabaudinit dhe i helmuan gruan e tij italiane. Në atë kohë, vajza e Sabaudinit nuk ndodhej në shtëpi dhe kur u kthye nga pazari, e gjeti të ëmën e vet të rënë përmbys, pa asnjë shenjë jete dhe në tavolinë ishin dy filxhanë me kafe, ku më pas u konstatua nga organet kompetente italiane, se ishte hedhur helm vdekjeprurës me veprim të shpejtë.

Nga e keni mësuar ju këtë ngjarje?

Mua ma ka treguar vetë vajza e Sabaudinit, pas viteve ’90-të kur unë shkova për herë të parë në Itali. Mbesa ime dhe njëkohësisht vajza e Sabaudinit, ishte më se e bindur se nëna e saj dhe njëkohësisht bashkëshortja e vëllait tim, Sabaudinit, ishte helmuar nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin gjetur rastin dhe i kishin hyrë në shtëpi, duke i hedhur helmin në kafe”.

Po ndonjë lajm tjetër mbi vendndodhjen dhe veprimtarinë e Sabaudinit a kishit në atë kohë?

Ne e dinim se Sabaudini jetonte në Romë, ku kishte krijuar dhe familje të re. Gjatë asaj kohe që ai ishte në Romë, kishte rastisur në një lokal me katër shoferë durrsakë të Parkut të Eksportit dhe pasi i kishte njohur, i kishte thënë kamerierit, që t’u çonte në tavolinë çfarë të dëshironin, duke u thënë se i kishin të paguara nga Sabaudin Haznedari. Këtë ngjarje ata shofera të eksportit e tregonin në Durrës për disa kohë, duke u shprehur me mburrje, se si i’a kishin refuzuar qerasjen Sabudin Haznedarit në Romë. Po kështu në pranverën e vitit 1982, unë shkova për një ngushëllim, tek një miku im durrsak, që dikur kishim punuar bashkë. Në atë kohë ai sapo ishte kthyer nga Italia, ku bashkë me të shoqen, kishin punuar si shifrantë në ambasadën shqiptare të Romës. Atë ditë ai më tregoi, se nuk do të shkonte më në Itali, pasi e kishin hequr urgjent nga puna, ku kishte qenë në ambasadë dhe e kishin kthyer “pako postale” në Shqipëri.

Përse kishte ndodhur ajo gjë me të, u’a tregoi?

Kjo kishte ardhur, pasi gjatë një bisede në ambientet e ambasadës, ai ishte shprehur se: njihte Sabaudin Haznedarin dhe kishte miqësi me familjen e tij në Durrës. Porsa kishte mbaruar fjalën ai, dy kolegët e tij të punës, që si duket kishin qenë të Sigurimit të Shtetit, i thanë: “Ti njeh Sabaudin Haznedarin dhe vazhdon të punosh këtu në ambasadë…”?! Të nesërmen e asaj dite, atë e kthyen urgjent në Tiranë, me gjithë gruan e tij, ndonëse ai u kishte thënë shefave të tij, se miqësinë, ai e kishte jo me Sabaudinin, por me vëllezërit e tij që ndodheshin në Durrës, të cilët ishin njerëz të nderuar nga Partia dhe me punë me përgjegjësi.

Po me letra deri kur vazhduat të komunikonit me Sabaudinin në atë kohë?

Korrespodencën me Sabaudinin unë e mbajta deri pak muaj para shtatorit të vitit 1982, kur ai zbarkoi në Divjakë me Halit Bajramin e Xhevdet Mustafën. Aty nga prilli i atij viti, unë i kisha shkruar një letër Sabaudinit, ku në mes të tjerash i tregoja se, kisha pasur djalin tim të sëmurë. Pas asaj letre, ai m’u përgjigj menjëherë dhe më thoshte që të shkoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku të bëja një kërkesë, që shteti të na krijonte mundësinë për ta çuar djalin tim për kurim në Itali, ku do të kujdesej vetë Sabaudini.

A shkuat ju në Ministrinë e Jashtme dhe çfarë i’u thanë atje?

Pas letrës që mora nga Sabaudini, më 27 korrik të vitit 1982, unë menjëherë shkova në Ministrinë e Jashtme dhe aty takova një Drejtor Drejtorie, me të cilin ne kishim ruajtur një miqësi familjare. Atij i tregova se kisha djalin sëmurë dhe si mund të më ndihmonte, që të bëja dokumentet, për ta çuar në Itali për kurim, duke i thënë se: atje kisha vëllanë tim Sabaudin Haznedarin. Pasi më dëgjoi, ai më tha: “Gafur, unë po futem njëherë brenda dhe po pyes, sepse për këto punë, ne marrim të dhëna nga Ministria e Brendshme. Megjithatë, kam dëgjuar se vëllai yt, Sabaudini, më duket se nuk i ka mirë punët”. Pas kësaj ai u fut brenda godinës së Ministrisë dhe kur doli pas pak, mezi më dha majat e gishtërinjve, duke më thënë: “Gafur, ik sa më shpejtë që këtu, se këto ditë është në plan për t’u internuar Shefikati me Skënderin”.

Për kë e kishte fjalën?

Ai e kishte fjalën për bashkëshorten e Sabaudinit, me djalin e tij, Skënderin, që banonin bashkë me ne. Pas fjalëve të atij që m’i tha në kofidencë të plotë, unë nuk kisha ç’prisja më dhe u ktheva për në Durrës.

Është thënë se që në fillimin e vitit 1982, njerëzit e Sigurimit të Shtetit, kishin dijeni mbi ardhjen e bandës në Shqipëri. A është e vërtetë kjo gjë?

Po, kjo është më se e vërtetë. Që në fillimin e vitit 1982, diku nga janari apo pak më përpara, a më pas, këtë nuk jam në gjendje ta saktësoj, Sigurimi i Shtetit u shpërndau fotot e Sabaudinit, të gjithë agjentëve të tyre, deri tek ata ordinerë që njiheshin nga të gjithë. Këtë unë e kam mësuar që në atë kohë, pasi ma tregoi vetë njëri prej tyre në koefidencë. Madje, ai më tregoi dhe fotografinë e vëllait tim, pasi ishte plotësisht i bindur, se nuk mund t’i dilte fjalë nga unë.

Në atë kohë vetëm fotot e Sabaudinit u shpërndanë tek agjentët e Sigurimit, apo dhe të Xhevdet Mustafës?

Për këtë nuk di ç’tju them. Ndoshta kanë shpërndarë dhe të Xhevdetit, por unë në atë kohë vetëm të Sabaudinit kam parë.

Si e menduat në atë kohë shpërndarjen e fotove të Sabaudinit nga ana e Sigurimit të Shtetit, a ju shkoi ndërmend se ai mund të vinte në Shqipëri, në krye të asaj bande që erdhi më pas, me Xhevdet Mustafën?

Të them të drejtën, në atë kohë kur mora vesh për shpërndarjen e fotove të Sabaudinit, mendova shumë gjëra, por as që më shkoi ndër mënd, ajo që do të ndodhte më vonë, pra që ai të vinte në Shqipëri. Këtë gjë e çova nëpër mënd disa kohë më vonë, pasi forca të mëdha speciale të Gardës së Republikës, zbarkuan në bregdetin e Durrësit dhe filluan të bënin shërbime, në të gjithë gjatësinë e plazhit, nga Currilat e deri në Golem. Ajo  bëhej hapur dhe si të thuash në mënyrë demonstrative, sepse pas orës pesë të darkës, ata nuk e lejonin as peshkatarët amatorë, që të gjuanin peshk me grepa. Po kështu në atë kohë rreth e rreth shtëpisë sonë, filluan të dukeshin spiunët ordinerë të lagjes dhe të tjerë të qytetit, të cilët na survejonin, duke bërë shërbim të rregullt çdo 24 orë. Pas gjithë këtyre gjërave që po ndodhnin në atë kohë, fillova të mendoja se Sigurimi duhet të kishte ndonjë sinjal mbi ardhjen e Sabaudinit në Shqipëri.

A kishit ndonjë sinjal tjetër nga ana e njerëzve të Sigurimit që kishte të bënte me Sabaudinin?

Pak ditë përpara se “banda” të vinte në Shqipëri, vëllanë tonë Eminin (asokohe punonte si Drejtor Rrobaqepësie), e thirri Kryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Shehu dhe i tha: “Emin, ju jeni njerëz të mirë, të ndershëm e punëtorë dhe për këtë gjë partia i’u ka vlerësuar, duke u besuar detyra me përgjegjësi. I thoni ndonjë fjalë vëllait tuaj Sabaudinit, se po na nxjerr pengesa”.

Si i’u përgjigj Emini?

Pas kësaj, Emini i’u përgjigj disi i revoltuar, duke i thënë: “Po ne nuk kemi asnjë lidhje me të”! Ndërkohë kryetari i Degës vazhdoi: “Si nuk keni lidhje, ju i shkruani herë pas here letra atij”. Emini përsëri i revoltuar i tha: “Letrat ia shkruan një vëlla tjetër, që është i çmendur, (e kishte fjalën për mua), atë kapeni dhe futeni Brenda”. Pra ky fakt dhe ato që përmenda më lart, si heqja nga puna e kthimi në Shqipëri i dy punonjësve të ambasadës sonë në Romë, shpërndarja e fotografive etj., tregojnë më së miri, se vëllai ynë Sabaudini, jo vetëm që ishte një antikomunist i betuar, por ai me aktivitetin e tij, po i’u nxirrte probleme të mëdha, regjimit komunist të Tiranës. Kjo gjë nuk ka nevojë më për koment, lidhur me pyetjen që më ke bërë në fillim të intervistës, për arratisjen e Sabaudinit me Halit Bajramin, që ishte dërguar me mision nga Sigurimi i Shtetit.

Si dhe nga e mësuat ardhjen e bandës në datën 26 shtator 1982?

Atë ditë, pra ditën e ardhjes së “bandës”, aty nga dreka ndërsa unë isha duke qëndruar krejt i qetë në shtëpi si zakonisht, gruaja ime, që ishte duke parë nga dritarja, se po bënte dasëm një komshiu ynë, më tha se: erdhi një makinë dhe mori Eminin me gjithë Skënderin, djalin e Sabaudinit. Mbas nja 20 minutash, ajo makinë erdhi përsëri me vëllanë tjetër Naimin dhe mori edhe vëllanë e vogël Qerimin. Pas pak makina erdhi përsëri me Abdurrahimin dhe pasi qëndroi pak, përsëri u largua. Kur pashë të gjitha këto lëvizje që i ndoqa me kujdes nga dritarja e katit të dytë të shtëpisë sime, ngjalla dyshime se diçka duhej të kishte ndodhur dhe i thashë gruas sime, se tani e kisha radhën unë, për t’u marrë nga ajo makinë e Degës së Brendshme, që erdhi e mori vëllezërit e tjerë. Dhe ashtu ndodhi vërtet.

Ju morën dhe ju?!

Pas pak minutash erdhi makina dhe më mori e më çoi në Degë të Brendshme. Ndërsa ne na izoluan të gjithëve aty, në shtëpinë tonë që kishin mbetur vetëm gratë dhe fëmijët, kishin shkuar forca të shumta të Policisë dhe të Sigurimit të Shtetit, duke e kontrolluar e bastisur atë në çdo cep. Gjatë atij kontrolli të imët, ata kishin marrë shumë dokumente dhe fotografi të familjeve tona. Po kështu gjatë atij kontrolli, ata kishin gjetur në bodrumin e shtëpisë sime, 11 kapsolla ndezës dinamiti, që unë i kisha pasur aty që prej 32 vitesh, kur ne kishim banuar në “Kasollen e peshkatarit” të cilat i përdorja për të vrarë peshk.

Sa ju mbajtën në Degë dhe çfarë iu thanë atje?

Aty nga ora dhjetë e darkës, të gjithë vëllezërit e tjerë i liruan, ndërsa mua më mbajtën, duke më marrë në pyetje në hetuesi. Ata më thonin t’ju tregoja lidhjet që kisha pasur me “bandën” e vëllait, Sabaudinit. Unë i’u thosha që të më lejonin që të shkoja në shtëpi dhe t’ju sillja letrat që i kisha shkruar Sabaudinit, që nga viti 1956. Ndërsa u thoja kështu, unë nuk e dija se ata m’i kishin marrë vetë ato letra, që doja t’u sillja atyre.

Sa ju mbajtën juve në hetuesi dhe ç’ndodhi më pas me vëllezërit e tjerë?

Mua më mbajtën rreth dy muaj në hetuesi, duke më marrë në pyetje dhe më liruan më 16 nëntor të atij viti, me rastin e amnistisë që u dha atëherë nga Kuvendi Popullor. Ndërsa që të nesërmen, pra një ditë pas ardhjes së “bandës Xhevdet Muastafa”, më 27 shtator 1982, plot 23 veta nga familjet e gjithë vëllazërisë sonë, u morën dhe u internuan në fshatra e krahina të ndryshme të Shqipërisë, si: Gallatë të Laçit të Kurbinit, Memaliaj, Lapardha e Beratit, Grabovë e Gramshit, Belsh i Elbasanit, etj.

Po me këtë shtëpi tuajën të madhe, çfarë ndodhi?

Ndërsa ne na internuan, shtëpinë tonë e kthyen në Laborator e zyrë-llogarie të Qendrës Shëndetësore të qytetit. Hakmarrja e regjimit komunist, lidhur me atë që bëri Sabaudini, nuk përfundoi vetëm me internimin e familjeve tona dhe konfiskimin e shtëpisë, por ajo u shtri edhe në farefisin tonë. Më lejoni t’i përmend të gjitha ata, sepse vuajtën për vite me radhë në internime, vetëm e vetëm pse ishin kushërinjtë tanë.

Po patjetër, mund t’i përmendi të gjithë

Që më datën 27 shtator, u shkarkuan nga puna kushërinjtë e parë, që kishim në Tiranë: Hysen Strazimiri, nga Drejtor në Ministrinë e Ekonomisë, u çua llogaritar, Refi Strazimiri (Minarolli), nga nëpunse e Bibliotekës Kombëtare, u çua pastruese, Uran Strazimiri, nga Drejtor ‘Hozrashoti’ në Kinostudio, u çua punëtor, Zaba Strazimiri (Kusi), u la pesë vjet pa punë. Hasan Drini, u demaskua publikisht, si kushëri i Sabaudin Haznedarit. Po kështu u pushuan nga puna dhe tre kunetërit e mi. Sybi Bleta, veteran i Portit, u çua në NISH-Goma, Arjan Bleta, u hoq nga Porti dhe u dërgua në Belsh si punëtor, Elmaz Bleta u shkarkua si Sekretar Partie i Ndërmarrjes./Memorie.al