Profesori dhe akademiku Artan Fuga ka analizuar situatën politike brenda Partisë Demokratike. Në një intervistë për News24, Fuga e krahason përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD me largimin që Rama i bëri Fatos Nanos. Sipas Fugës, mënyra si Basha e eliminoi Sali Berishën ishte gjysmake
“Jam nisur në atë që 2 muajt e fundit në ligjërimin e kryetarëve të partive kryesore më duket një fushatë elektorale duke iu referuar Fatos Nanos. Ai tha se ka pasur konflikte dhe ka mënjanuar atë në lidershipin e partisë por ka kryer një atvrasje. Pak më vonë i pyetur nga gazetarët Basha tha se unë vij nga një parti konservatore dhe kam respekt për “babain”. Siç eliminoi Nano Ramiz Alinë dhe Rama Nanon. Kjo lloj mënyre e Bashës për ta eliminuar Berishën si babain simbolik ishte gjysmake. Pse? Sepse nga njëra anë e përjashton nga grupi, qoftë edhe përkohësisht, por kjo është përfundimtare dhe e mban në parti. Madje në organet drejtuese sepse atij i takon për faktin se ka qenë drejtues partie dhe kryeministër”, u shpreh Fuga.
Po ashtu Fuga e konsideron pozitive të gjithë situatën që ka krijuar vendimi i kreut të opozitës pasi mund të krijohet një opozite tjetër duke e bërë parlamentin me dy të tilla.
“Unë kam thënë që PD ka nevoje të demokratizohet. Demokratizimi vjen përmes njohjes së fraksioneve. Sot PD është e detyruar që të njohë fraksionet. Unë nuk e di çdo ndodh më vonë, a do shkojnë këto fraksione në atë pikë sa të çahet? Mundet, por jemi akoma shpejt për ta thënë. Nëse kjo do të çahet dhe ne pas një sërë hapash do kemi dy parti demokratike, njëra që ka vulën dhe logon dhe tjetra që ka totemin simbolike. Totemi Berisha dhe logoja dhe vula zoti Lulzim Basha. Nëse kjo ndodhe ne do të kemi dy parti opozitare, pra do të kemi dy parti opozitare në parlament. Kjo është pozitive. Dmth ndodhi si ndodhi, kriza ka shpërthyer dhe unë jam i bindur që kjo është pozitive, për arsyen e thjeshtë që opozita e sotme çfarë do të bëjë në parlament. Asgjë, vetëm fjalë. Opozita ka problemin e madh në kuvend që është një opozitë retorike jo politike, pra flet por nuk bën asgjë. Në momentin që prodhohen ngjarjet politike brenda saj do reflektohen në ngjarjet politike brenda institucioneve politike”, shprehet Fua.
Sipas tij, Partia Socialiste në luftën mes Bashës dhe Berishës, kërkon që të fitojë Lulzim Basha.
“Sot PS po i ofron zotit Basha, ne jemi gati të të japim ty një akses më të madh ndikues mbi reformën territoriale. Kjo lidhet me faktin se partia në pushtet e thotë apo nuk e thotë në një farë mënyrë do që në luftën e brendshme mes Berishës dhe Bashës të mbështesë Bashën. Që të mbështesë Bashën dhe që të bëjë këtë duhet ti kërkojë militantëve të PD, që kanë një mërzi të madhe me lidershipin, ti tregojë që kjo opozitë ndikon. A do të shprehet kjo në një reformë territoriale, do ta shohim. Skena politike zihen. Unë jam pozitiv për të gjithë qytetarët, për militantët e PD, për elektoratin, përgjithësisht për Shqipërinë”, mbyll argumentin e tij profesor Fuga.