Pas pesë vjetësh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, akuzat e frikën për fatin e objektit të këtij institucioni, e inaugurimeve të pafinalizuara, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, do të rihapet të mërkurën e 15 shtatorit me një ceremoni solemne. Tenori i famshëm, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, janë dy yjet që pritet të marrin pjesë në ceremoninë me sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB”. Detaje për këtë ngjarje, janë dhënë të martën në një konferencë për media, e cila ka përkuar edhe me 65-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, duke pranuar zvarritjen e inaugurimit, citohet të ketë thënë se përpos gjithë kritikave që u janë bërë për inaugurime të shpeshta të kësaj hapësire, kanë qenë vështirësitë si tërmeti e pandemia që i kanë kushtëzuar.
“Për këtë arsye, jam e lumtur që sot ndaj me ju me kënaqësi lajmin që do të kemi bashkë me ne Ermonela Jahon dhe Placido Domingon në ditën e inaugurimit”, ka thënë ministrja Margariti.
Rikonstruksioni i nisur në janar të 2017-s e zhvendosi aktivitetin jashtë godinës. Rihapja, siç bëhet e ditur edhe në programin që ka publikuar Ministria e Kulturës, parasheh një ceremoni me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në inaugurim dhe për herë të parë pas pandemisë edhe me spektatorë, që pritet të shkojnë deri në 60 për qind të kapacitetit të sallës.
Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-së, ka thënë se pas pesë vjetësh, duke filluar nga data 15 shtator, nis një seri aktivitetesh që do të celebrojnë inaugurimin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe do të nisin rihapjen e tij. “Ceremonia përmbledh momentet kulmore të Operës duke sjellë edhe premierën më të fundit të Angjelin Preljocajt”, ka thënë Çela.