MENU
klinika

Jep 7 deputetë për formimin e grupeve!

Prapaskenat/ Negociata deri në minutën e fundit, PD bujare me aleatët

14.09.2021 - 11:49

Koalicioni Aleanca për ndryshim, i përbërë nga Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet do të formojnë tri grupe parlamentare në Parlament.

Partia kryesore e opozitës është treguar bujare me aleatët e saj, të cilëve u ka dhënë deputetë 7 deputetë nga radhët e demokratëve për të krijuar grupe parlamentare. Gazeta “Panorama” ka mësuar përmes burimeve se negociatat kanë vijuar deri në momentin e fundit kur nisi seanca plenare e ditës së djeshme.

GRUPET PARLAMENTARE

Grupi i PD-së do të jetë edhe grupi më i madh parlamentar në kampin e opozitës. Ndërkohë, dy grupet e tjera do të jenë: Grupi Parlamentar Aleanca Për Ndryshim dhe Grupi Parlamentar për Demokraci dhe Integrim. Grupi Aleanca për Ndryshim është një iniciativë e aleatëve Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi.

Të 4 deputetët e opozitës kishin ditë që kishin bisedimet për t’u bashkuar në një grupim politik, por pa ndihmën e PD-së e kishin të pamundur për shkak se nuk krijonin numrin e nevojshëm të mandateve (7 deputetë). Në këto kushte, mundësia e vetme ishte që të bashkëpunonin me PDIU-në e Shpëtim Idrizit ose të merrnin nga radhët e demokratëve.

Mundësia që të krijonin grupin e përbashkët me Idrizin ishte mundësia e parë që u skualifikua për shkak të kauzave të ndryshme që ka Shpëtim Idrizi i çamëve dhe Vangjel Dule i minoritetit grek. Mundësia e vetme mbeti të kërkonin deputetë nga PD. Në fakt, në zgjedhjet e 25 prillit me logon e Partisë Republikane dolën 4 mandate. Fatmir Mediu në Tiranë, Lindita Metalia dhe Elda Hoti në Lezhë dhe Eralda Taso Bano në Fier.

Por në fakt deputet i PR është vetëm Fatmir Mediu, pasi të tjerët janë anëtarë kryesie të PD-së ose anëtarë dhe deputetë demokratë. Pas negociatave deri në momentin e fundit, kryedemokrati vendosi t’u japë aleatëve Elda Hotin, Emilja Koliqin dhe Merita Bakiun për të krijuar grupin parlamentar. Kështu, Fatmir Mediu do të jetë kryetar i grupit.

Ndërsa nënkryetar do të jetë Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste. Ndërkohë, derisa deputetët të shkonin në Parlament, ishte dakordësuar që Elda Hoti të ishte sekretare e grupit, por në momentin e fundit situata ndryshoi dhe sekretar u vendos kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ndërsa zëdhënësja e grupit do të jetë deputetja e dalë nga lista e PD-së Merita Bakiu. Të tjerët do të jenë anëtarë të thjeshtë.

GRUPI III

Grupi tjetër parlamentar në kampin e opozitës do të jetë “Demokraci dhe Integrim”. Ajo që tërhoqi vëmendjen në këtë grup në fakt është se nuk do të drejtohet nga Shpëtim Idrizi, që është edhe kryetari i PDIU-së, por nga Mesila Doda. Me logon e PDIUsë në zgjedhjet e 25 prillit dolën 2 deputetë, një në Tiranë, Shpëtim Idrizi dhe një në Fier, që është Nustret Avdulla. Por në fakt deputetë të PDIU-së janë tre, pasi është edhe Mesila Doda, e cila u zgjodh në Tiranë.

Për të krijuar grupin parlamentar Basha i dha PDIU-së edhe 4 deputetë nga radhët e të tijve: Ilda Dhorin, Andia Ullirin, Selaudin Jakupllarin dhe Kasem Mahmutajn. Grupi është emërtuar “Demokraci dhe Integrim” dhe do të drejtohet nga Mesila Doda. Ilda Dhori, e huazuar nga demokratët, do të jetë nënkryetare. Po ashtu, një tjetër deputete e huazuar nga demokratët do të ketë post brenda grupit. Andia Ulliri do të jetë zëdhënëse e grupit. Ndërsa Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU-së dhe të tjerët do të jenë anëtarë.

LSI, ENDE PA GRUP PARLAMENTAR

Lëvizja Socialiste për Integrim hyri në zgjedhjet e 25 prillit si aleatja e PD-së. Para zgjedhjeve ata firmosën edhe një marrëveshje bashkëpunimi paszgjedhor. Por duket se pas zgjedhjeve marrëdhënia mes PD e LSI nuk është njësoj si para zgjedhjeve. Më 25 prill LSI mori 4 deputetë, çka nuk krijon dot grup parlamentar. Gazeta “Panorama” ka kontaktuar nga selia blu nëse ka pasur negociata me LSI-në për ta ndihmuar për të krijuar gripin e saj parlamentar, por deri më tani nuk ka pasur kontakte mes dy selive. Por burimet i thanë gazetës “Panorama” se PD është e gatshme për ta ndihmuar.

DEPUTETËT duhet të bëhen bashkë për të krijuar një grup parlamentar. Asnjë nga partitë aleate të PD-së nuk e formonin dot grupin Parlamentar pa ndihmën e PD. Selia blu u dha aleatëve 7 deputetë për të formuar dy grupe.