Në programin e qeverisë “Rama 3”, në seksionin për sigurinë, bëhet një bilanc i viteve të fundit dhe parashtrohen objektivat deri në vitin 2025. “Në 2025-ën, me përfundimin e vetingut në Policinë e Shtetit, objektivi ynë madhor është ai i një Shqipërie pa grupe kriminale, pa të fortë dhe banditë, një vend që për nga siguria, të renditet në mesataren e shteteve të BEsë”, thuhet në program.
Mes objektivave të qeverisë “Rama 3” parashtrohet beteja kundër krimit të organizuar, hetimi dhe ndjekja e aseteve dhe pasurive të paligjshme të lidhura me krimin. “Ashpërsojmë betejën në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në hetimin dhe ndjekjen e aseteve dhe pasurive të paligjshme të lidhura me krimin, duke rritur kapacitetet e strukturave dhe duke filluar punën brenda shtatorit 2021 për miratimin e Kodit të ri Penal.
Sigurojmë kontrollin e plotë të territorit, veçanërisht ndaj ndërtimeve pa leje nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe investimeve të konsiderueshme në sistemet inteligjente bashkëkohore për monitorimin e veprimtarive të kundërligjshme e për sinjalizimin e rrezikut.
Hartojmë ligjin që siguron dhe zgjeron aksesin e Policisë së Shtetit në regjistrat e llogarive bankare, në regjistrin e pronarëve përfitues, të pasurive të paluajtshme, noterëve, transaksioneve të dyshimta, si dhe në databazat e tatimeve dhe doganave. Rrisim sigurinë rrugore duke filluar punën për ndryshimet në Kodin Rrugor dhe për rritjen e investimeve në sistemet e monitorimit të trafikut dhe dixhitalizimin e proceseve që kanë të bëjnë me përdoruesit e automjeteve dhe sjelljen e tyre”, thuhet në programin e qeverisë “Rama 3”.