Legjislatura e re parlamentare nis me prioritete të ndryshëm mes pozitës dhe opozitës.
Pas kryetarit të Grupit Parlamentar, në nisje të seancës edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se do të kërkonte bashkëpunimin e opozitës për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik), të cilëve u përfundon mandati në qershor të vitit të ardhshëm. Kujtojmë që në 4 vitet e kaluara, që nga momenti i konstituimit të organeve të vetingut, kanë përfunduar procesin e rivlerësimit vetëm gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pas këtij apeli, Partia Socialiste hodhi një hap më tej ku në Grupin Parlamentar krijoi grupin që do të merret me ndryshimet kushtetuese.
Por duket se çështja e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është në fokusin e Partisë Demokratike. Këta të fundit nuk kanë nisur ende që të diskutojnë në grupin e tyre ndryshimet kushtetuese. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë gjithë kësaj jave ka zhvilluar takime me deputetët e ndarë sipas komisioneve të përhershme parlamentare. Dje në mesditë pas seancës parlamentare, kreu i PD-së mblodhi në zyrën e tij të gjithë deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve, i konsideruar si ndër komisionet më të rëndësishme.
Burime nga brenda mbledhjes bënë me dije për gazetën “panorama” se ndër të tjera, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka porositur deputetët e tij që të shikojnë me prioritet Reformën Territoriale. Ai u ka kërkuar atyre që të nisin menjëherë që të hedhin në letër idetë e tyre të Reformës Territoriale. Ndërkohë, ata do të ndajnë punët, ku fillimisht do të evidentojnë dështimin e Reformës Territoriale të 2014-ës dhe arsyet se përse dështoi ky ndryshim territorial, ku u hoqën komunat dhe mbetën 61 bashki dhe komunat u ndanë në njësi administrative.
Mësohet se për asnjë moment në grupin e deputetëve të PD-së me kryetarin e partisë Lulzim Basha nuk është diskutuar çështja e ndryshimeve kushtetuese për mandatin e institucioneve të vetingut. Ndërkohë, më herët Lulzim Basha thirri në zyrën e tij edhe deputetët e Komisionit të Integrimit, Veprimtarisë Prodhuese dhe të Komisionit të Jashtëm. Deputetëve të secilit komision i është dhënë porosi që si grup i deputetëve të opozitës të përgatisin një draft me piketat e punës ku do të fokusohen dhe më pas do ta depozitojnë në selinë blu.
EKONOMIA
Komisioni i dytë i ndjekur më me rëndësi në Kuvendin e Shqipërisë është Komisioni i Ekonomisë. Ky komision drejtohet nga maxhoranca, ndërsa opozita cakton nënkryetarin që në rastin e PD-së është caktuar deputetja e re e Korçës Sorina Koti, e cila në CV-në e saj përshkruan se ka mbaruar studimet dhe ka eksperiencë pune si pedagoge e ekonomisë, ndërsa ka kryer doktoraturën për punë publike.
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë Basha i mblodhi ditën e hënë ku edhe shpërndau porositë. Gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se prioritetet e opozitës në këtë komision do të jenë: “Oponenca ndaj ligjeve, platformave, strategjive të qeverisë në fushën e ekonomisë dhe financave. Denoncimi i çdo afere korruptive të dyshuar; abuzimet me pronat dhe fondet publike. Realiteti ekonomik dhe analiza makro-ekonomike. Projekt-propozime dhe amendime të ligjeve. Grupet e interesit, ekspozimi i çdo problematike”, mësohet të kenë qenë porositë e prioriteteve.