Ballkani është një nga rajonet më të çuditshme në Evropë. Niveli i tij i të ardhurave është shumë më i ulët, se sa niveli mesatar i të ardhurave të Evropës Perëndimore dhe Qendrore. Ky është një fakt i mirënjohur, por ia vlen të analizohet në një qasje tjetër.
PBB -ja mesatare për frymë në Evropën Perëndimore është rreth 40.000 dollarë. Të ardhurat e vendeve të Ballkanit shkojnë nga pak më shumë se 10.000 dollarë, në pak më shumë se 20.000 dollarë (pa përfshirë Greqinë).
Pra hendeku midis Evropës Perëndimore dhe Ballkanit është të paktën 2 me 1, dhe mesatarisht rreth 3 me 1. (Natyrisht, po të krahasojmë vendet më të pasura me ato më të varfra në këtë rajon, hendeku do të ishte shumë më i lartë).
Nëse shihni hartën e Evropës pa ditur shumë nga historia, duhet të habiteni nga hendeqe të tilla:distancat fizike janë të vogla; koha e udhëtimit me avion midis Vjenës dhe Beogradit është rreth 1 orë, por hendeku i të ardhurave midis dy qyteteve është ndoshta rreth 4 me 1.
Kjo është e barabartë me humbjen e 30 për qind të të ardhurave tuaja çdo 15 minuta. Por pse ndodh kështu?Unë do të bija dakord me shpjegimin standard historik, që sheh si “fajtor” kryesor llojin e fuqisë koloniale që e ka dominuar rajonin.
Zonat e kontrolluara dikur nga osmanët për 3-4 shekuj kanë të ardhura më të ulëta, arritje më të ulëta arsimore, nivele më të ulëta të besimit tek institucione, sesa zonat që ishin pjesë e Perandorisë Habsburge.
Për më tepër, ky nuk është një fenomen i ri:hendeqet në variablat të tjera (si shkalla e shkrim-leximit) ishin edhe më të mëdha në të kaluarën, dhe veçanërisht kështu në fillimin e shekullit XIX, kur shumica e vendeve të Ballkanit (si dhe popujt e pakënaqur nën sundimin e Habsburgëve), nisën lëvizjet e tyre drejt pavarësisë.
Kjo është pjesa e parë e shpjegimit standard. Pjesa e dytë ka të bëjë me rritjen më të ngadaltë ekonomike për shkak të komunizmit. Kjo gjë mund të shihet ndoshta më së miri në hendekun e të ardhurave midis Greqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, një hendek që ishte më i vogël në vitet 1930, sesa në vitin 1989.
Për shembull, sipas të dhënave të Projektit Medison 2017, raporti i PBB-së për frymë midis Greqisë dhe Rumanisë ishte 1.4 vetëm para Luftës së Dytë Botërore. Por ai u rrit në 1.9 deri në vitin 1989. Mendoj se ky është një shpjegim standard, me një detaj të cilin unë e shoh mjaft të paqartë.
Në shumicën e studimeve dhe librave që merren me origjinën koloniale të institucioneve të sotme dhe nivelet e të ardhurave, nuk gati asnjë përmendje të ndikimit kolonial osman, gjë që natyrisht nuk vlen vetëm për Ballkanin, por edhe për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Por unë dua të jap një lloj shpjegimi se përse Ballkani nuk ishte më i zhvilluar, as edhe në kohën e Perandorisë Romake. Duke parë sërish hartën, kjo paraqet një enigmë edhe më të madhe. Ballkani gjendej midis dy pjesëve më të përparuara dhe më të zhvilluara të botës së asaj kohe: Greqisë/Azisë së Vogël dhe Italisë (Romës).
Por pse zhvillimet në Ballkan ishin kaq të ngadalta? Nëse analizohen të dhënat për urbanizimin, Ballkani (përjashtuar Greqinë) nuk ishte shumë i urbanizuar. Shpërndarja e 10 qyteteve më të mëdha rreth vitit 150 ishte si më poshtë:3 në Afrikën e Veriut (Kartagjena, Lepsis Manja dhe Ptolemais), 2 në Egjipt (Aleksandri, Memfis), 2 në Greqi (Athinë dhe Korint), 2 në Itali (Romë dhe Sirakuza), 1 në Levant (Antioki).
Më i vogli prej tyre vlerësohej se kishte 80.000 banorë. Qyteti më i madh ballkanik ishte Iader (Zadari i sotëm në Kroaci) me 30.000 banorë. Sa i përket të ardhurave, dallimet ishin gjithashtu të mëdha. Të dhënat e Medison tregojnë se Ballkani (sërish pa Greqinë) kishte pasur të ardhura për frymë pak më shumë se 400 dollarë, afërsisht në të njëjtin nivel me Galinë.
Por kjo është një surprizë, pasi Ballkani ndodhej midis 2 pjesëve më të pasura të botës Euro-Mesdhetare:Greqisë dhe Azisë së Vogël me më shumë se 500 dollarë për frymë, dhe Italisë me gati 700 dollarë për frymë.
Pritshmëria normale do të ishte që të ardhurat e kësaj zone të ishin një mesatare e ponderuar e të ardhurave italiane dhe atyre greke, dhe për pasojë ndoshta 50 për qind më të larta se sa ishin në fakt (dhe sigurisht më të larta se sa zonat më të largëta si Galia, apo edhe ishujt britanikë).
Historiani britanik i shekullit XIX Eduard Gibon e shtron këtë pyetje në librat e tij, dhe përmend atë që është një hipotezë interesante dhe që i jep ndoshta përgjigje pyetjes sonë: gjeografia.
Gjeografia e Dalmacisë dhe Mozisë (sa për të marrë si shembull krahinat në kohën e perandorit romak Trajan), është e tillë që ka vetëm një brez të ngushtë të bregdetit Mesdhetar përgjatë Adriatikut, e ndjekur gati menjëherë nga male të larta dhe të pakalueshme.
Ato krijojnë një kontrast spektakolar,dhe këtë mund ta konfirmojë cilido që ka udhëtuar ndonjëherë në Gjirin e Kotorrit në Malin e Zi. Por kjo e bën ndërkohë të vështirë komunikimin me zonën e brendshme. Pra nuk është për t’u habitur kur dikush lexon mbi udhëtimet e shumta të poetëve, shkrimtarëve, ushtarëve dhe perandorëve midis Italisë dhe Atikës dhe Egjeut, se udhëtimi bëhej gjithmonë nga rruga detare që kalonte Adriatikun, dhe mundësisht në pikën e tij më të ngushtë, Otranto, midis Puljas së sotme dhe Shqipërisë.
Pra për ta do të kishte qenë shumë më e rrezikshme dhe më gjatë po të ndiqnin rrugën tokësore. Në këtë mënyrë ndodhën dy gjëra:pjesa që komunikonte drejtpërdrejt me botën më të përparuar ishte e kufizuar në zonat bregdetare të Adriatikut ,dhe nuk u zgjerua kurrë në brendësi. Kjo gjë i bëri zonat e brendshme të pazhvilluara, dhe më pak të urbanizuara nga sa mund të pritej ndryshe.
Por pjesa “më e keqe” është se pasi përfundojnë disa nga vargmalet, kur dikush lëviz më tej në Lindje dhe i afrohet Danubit terreni bëhet i sheshtë dhe kësisoj ideal për të gjitha llojet e pushtimeve nga ana e stepave lindore. Kjo gjë ndodhi realisht, dhe numri i njerëzve që ndoqën atë rrugë, sulmuan dhe plaçkitën zonën është i panumërt.
Teksa po zgjerohej në lindje Roma u detyrua të ndërtonte muret e saj kufitarë përgjatë Danubit, dhe kur rajoni u bë më i rëndësishëm në shekujt II, III dhe IV, rëndësia e këtij kufiri u përkthye kryesisht në aspektin ushtarak dhe strategjik.
Jo vetëm që shumë Perandorë po vinin nga Ballkani (dhe kjo nuk është për t’u habitur pasi në Perandorinë e mëvonshme Romake vetëm gjeneralët mund të aspironin realisht të bëheshin perandorë), por qytetet që u zgjeruan në zonën “kufitare” ishin në thelb garnizone ushtarake.
Ato kishin disa godina luksoze ku banonin oficerë dhe gjeneralët, por kishte pak shenja të një klase të mesme aktive, që mund ta gjeje në qytetet e zonës bregdetare të Azisë së Vogël apo Levantit.
Nëse mund ta bëjmë këtë përgjithësim, qytetet ballkanike ishin kampe ushtarake. Mark Aureli që e kaloi shumicën e viteve të fundit të jetës në luftimet “në kufi”, nuk dukej se ka lënë ndonjë gjurmë të madhe. Pra, nëse malet do të ishin rreth 400 km më në lindje, a do të ishte e ndryshme e gjithë historia e kësaj pjese të Evropës, dhe ndoshta edhe e vetë Evropës? /Bota.al/