Kompanitë e ndërtimit presin rritje të çmimeve të apartamenteve në të ardhmen. Janë këto pritshmëritë e sektorit pasqyruar në vrojtimin e bankës qendrore, ku balanca e përgjigjeve nëse do ndryshojnë çmimet për 3-muajt e ardhshëm rezultoi pozitive në 12.4 gjatë gushtit, nga 8.6 që ishte në korrik.
Por, cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimeve të ndërtimit?
“Çmimet rriten për dy arsye: e para sepse pronarët kanë arritur në maksimumin,ka raste që përqindja e pronarëve të truallit shkon edhe 50% dhe shteti ka rritur barrën e taksave mbi ndërtuesit, së fundmi 3% e sipërfaqes kalon në favor të bashkisë për të pastrehët, taksë që e kemi konstestuar dhe jemi akoma në proces gjyqësor, taksa e infrastrukturës si dhe ka një rritje të materialeve bazë që pasqyrohen në rritjen e çmimit të banesave. Po ashtu ka një rritje të kostove për punëtorët”, shprehet Arben Dervishaj, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve
Dervishaj shpjegon se zhvendosjet drejt kryeqytetit do të shtrenjtojnë më tej çmimet e banesave në Tiranë, çka do ta bëjë akoma më të vështirë blerjen e një apartamenti për të jetuar.
“Tregu i banesave ka një rritje, por duhet theksuar që rritja është vetëm në ato zona që qytetarët kanë interesa si në Tiranë, në zonën e Durrësit dhe pjesën e bregdetit. Do të kërkojnë brenda qendrës së Tiranës aty gjithmonë do të kemi rritje të çmimeve sepse kërkesa është shumë e madhe dhe oferta është më e vogël se kërkesa. Gjithmonë do ketë ardhje drejt Tiranës”, shprehet ai.
Teksa çmimet e apartamenteve rriten vrullshëm e të ardhurat në nivele minimale, konsumatorët duken më të stepur pasi sipas vrojtimit të bankës qendrore pjesa më e madhe e tyre nuk kanë në plan të bëjnë blerje të mëdha në të ardhmen afatshkurtër, ku përfshihet edhe ajo për banesa.