MENU
klinika

New York Times

Pse Vladimir Putin po vazhdon të triumfojë?

21.09.2021 - 19:29

Nga Ilya Yablokov, New York Times

Zgjedhjet në Rusi janë gjithnjë të ndërlikuara për Kremlinin. Ato ofrojnë shumë mundësi zgjedhjeje, dhe qytetarët mund të zgjedhin kandidatët e gabuar. Nëse garojnë shumë më pak kandidatë, autoritarizmi i regjimit do të bëhet shumë më i dukshëm.

Këtë vit, në zgjedhjet parlamentare që nisën të premten dhe përfunduan të dielën, presidenti Vladimir Putin nuk po humb asnjë shans. Që nga momenti kur Alexei Navalny, udhëheqësi i opozitës dhe kritiku më i njohur i Kremlinit, u rikthye në Rusi në janar të këtij viti, presidenti ka urdhëruar një valë të re represioni.

Shumë media të pavarura janë etiketuar si agjentë të të huajve, duke u penguar në aktivitetin e tyre, në një kohë që figurat e opozitës ose janë ndaluar të merren me politikë ose janë frikësuar deri në atë pikë sa janë detyruar të mërgojnë nga Rusia.

Zoti Navalny ndodhet në burg, shumica e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt janë larguar nga vendi, dhe organizata e tij është shpërbërë. Opozita është e shkatërruar. Kundër këtyre lëvizjeve represive brenda vendit nuk ka pasur asnjë protestë të qëndrueshme.

Vlerësimet e Putinit në sondazhe mbeten të qëndrueshme, dhe zgjedhjet konfirmuan shumicën e partisë së tij Rusia e Bashkuar. Sistemi i regjimit funksionon. Në qendër të kontrollit të vazhdueshëm social dhe politik të Kremlinit qëndron media ruse.

Një rrjet i përhapur televizionesh dhe gazetash, shpesh të zbukuruara në stil dhe të rreme në përmbajtje, sistemi i propagandës së Kremlinit,mbetet një shtyllë qendrore e pushtetit të Vladimir Putinit. Pavarësisht gjithë kundërshtimeve dhe pakënaqësisë ndaj regjimit të tij, si brenda dhe jashtë vendit, ai vepron si një mburojë e padepërtueshme.

Dhe e kombinuar kjo me shtypjen, përbën mënyrën nëpërmjet së cilës vazhdon të triumfojë shefi i Kremlinit. Gati të gjitha televizionet dhe gazetat ruse janë nën kontrollin e shtetit. Disa, si REN TV, janë në pronësi të kompanive private që kanë lidhje të forta me Kremlinin.

Të tjerët, si Rossiya dhe Channel One, janë në pronësi të shtetit, dhe shpesh propagandën qeveritare e transmetojnë si lajme. Në prapaskenë, bashkëpunëtorët e Putin – si Alexei Gromov, që në cilësinë e zëvendësshefit të kabinetit në administratën presidenciale mbikëqyr mediat -e menaxhojnë me shumë kujdes mesazhin që do t’i jepet publikut.

Dështimet e regjimit minimizohen, kritikat shmangen dhe në çdo hap ka lavdërime për presidentin Putin, që etiketohet gjithmonë si një udhëheqës i arsyeshëm dhe i zgjuar.

Kjo makineri nuk ka nevojë të përdorë imponimin. Një ushtri e tërë reporterësh, redaktorësh dhe producentësh, janë të lumtur të zbatojnë çdo lloj linje politike në këmbim të promovimit në karrierë dhe pagesës së majme, mund të propagandojë një fluks të pafundëm të dhënash pozitive për Putinin, kryeministrin dhe guvernatorët rajonalë me shumë ndikim.

Konformistë dhe karrieristë, këta gazetarë nuk janë të verbër ndaj realiteteve të Rusisë bashkëkohore. Por ata zgjedhin të punojnë në anën e fituesve. Të financuara me miliarda dollarë nga njerëzit pranë zotit Putin, mediat u fryjnë frikërave më të këqija të popullatës ruse.

Mediat ruse evokojnë vazhdimisht kërcënimet nga katastrofa ekonomike dhe shpërbërja territoriale, dhe ato kanë ende shumë jehonë në një vend që i pësoi që të dyja këto në vitet

  1. “Vetëm besnikëria ndaj Kremlinit mund t’i mbajë larg përbindësha të tillë”, është mesazhi që përçohet vazhdimisht.

Ndërkohë,Bashkimi Evropian, Britania dhe Shtetet e Bashkuara portretizohen si vende në dekadencë morale dhe që përshkohen vazhdimisht nga destabiliteti politik dhe varfëria e ideve. Në një vend ku 72 për qind e popullsisë nuk ka një pasaportë, dhe ku mjetet financiare për të udhëtuar jashtë vendit mbeten përgjithësisht të paarritshme, mesazhe të tilla gjejnë një audiencë pranuese.

Ky lloj mbulimi mediatik ka efekte të mëdha mbi opinionin publik. Në vitin 2008, kur u përshkallëzua konflikti midis Rusisë dhe Gjeorgjisë fqinje, në lojë hyri media, duke e përshkruar Gjeorgjinë si një parajsë të veprimtarisë anti-ruse me qëllim kryesor dhunën. Rezultatet ishin mbresëlënëse:Një vit më vonë, pas përfundimit të luftës, 62 për qind e rusëve e konsideronin Gjeorgjinë një republikë të vogël në Kaukazin Jugor, si armikun kryesor të Rusisë.

Tashmë që është e qeverisur nga një qeveri disi më miqësore me Rusinë, Gjeorgjia është zhdukur kryesisht nga lajmet e televizionit shtetëror rus. Pikëpamja mbi të si armiku kryesor i vendit, ka rënë vazhdimisht, dhe tani ruhet nga vetëm 15 për qind e rusëve.

Si mediat elektronike ashtu edhe ato të shkruara janë nën kontrollin e Kremlinit. Po kështu është pothuajse edhe interneti. Dhjetë vjet më parë, rrjetet sociale ndihmuan në nxjerrjen e njerëzve në rrugë në protestë kundër zgjedhjeve të manipuluara parlamentare.

Që atëherë, një sërë masash teknologjike dhe legjislative – përgjimi i telefonave dhe kompjuterëve të përdoruesve, ndjekja penale me akuzën e përmbajtjeve të etiketuara si “ekstremiste”, dhe kufizimi i pavarësisë së kompanisë më të madhe të teknologjisë në Rusi, Yandex – e kanë kthyer internetin në një terren shumë të kontrolluar.

Edhe një postim kritik në mediat sociale, mund t’i kushtojë një rusi disa vite burg. Por kjo nuk është e gjitha. Suksesi i madh i dokumentarit investigativ të zotit Navalny për pallatin

e supozuar të Putin buzë Detittë Zi, që është parë nga të paktën 118 milionë njerëz që kur u publikua në Youtube në janar të këtij viti, tregon se dominimi i shtetit mbi mediat nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar mbërritjen tek rusët e zakonshëm të përmbajtjeve të padëshiruara nga regjimi.

Pavarësisht se sa shumë ka ndërhyrë Kremlini në platformat e internetit, është ende e mundur përhapja e informacionit të dëmshëm për regjimin. Në Rusi ekzistojnë ende disa media të pavarura lokale dhe kombëtare. Edhe pse ato nuk mund të konkurrojnë me kanalet televizive dhe gazetat e financuara nga shteti, ata janë gjithsesi në gjendje të arrijnë tek një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Për shembull “Meduza”, një nga portalet e lajmeve më të respektuara të pavarura në Rusi, tërheq miliona lexues çdo vit. Ndërkohë“MediaZona”, një media e pavarur që fokusohet tek korrupsionin dhe abuzimi i autoriteteve me zbatimin e ligjit, shtoi më shumë se 2 milionë lexues këtë vit gjatë raportimit mbi gjyqin e Navalny.

“TV Rain”, një kanal televiziv i pavarur, arrin të tërheqë vëmendjen e 2.3 milion shikuesve.

Ky sukses, sado i vogël dhe i kufizuar, ishte sërish shqetësues për Putinin, ndaj ai iu drejtua sërish represionit. Përmes “ligjit kundër agjentëve të huaj”, të miratuar në vitin 2012 dhe

që në fillim kishte si objektiv mediat e financuara nga jashtë si “Zëri i Amerikës” dhe “Radio Evropa e Lirë”, Kremlini ka qenë në gjendje të përgjysmojë numrin e mediave të pavarura në vend.

Gjashtë portale u goditën këtë vit, së bashku me 19 gazetarë. Për mediat e vogla, ky ishte fundi. Ndërkohë ato më të mëdha, përfshirë “Meduza”, janë në kufijtë e mbijetesës. Edhe pse situata është e zymtë, ka ende shpresë.

Gazetarët dhe mediat e pavarura vazhdojnë që të gjejnë një mënyrë për të vepruar, duke anashkaluar përmes metodave shumë kreative kufizimet e vendosura mbi ta nga Kremlini, përmes financimit masiv nga njerëzit e zakonshëm dhe humorit.

Ata ofrojnë një shembull për gazetarët e tjerë të pavarur në të gjithë botën, që të luftojnë për t’i detyruar politikanët autoritarë të japin llogari për krimet e tyre. Por edhe kështu, metoda mediatike e zotit Putin – propaganda nga njëra anë, dhe represioni nga ana tjetër – vazhdon të japë frytet e veta. Përballë një ekonomie në stanjacion, plakjes së popullsisë dhe pakënaqësisë në rritje, kjo gjë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Por, tani për tani, sistemi putinian po funksionon.