MENU
klinika

Ndryshimet e fundit

Qendrat ku do të shpërndahet bonusi i bebes në çdo qark

17.09.2021 - 12:26

Duke nisur nga fundit i muajit gusht, tërheqja e bonusit të bebeve për të gjithë fëmijët e lindur jashtë vendit, apo në strukturat spitalore private që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, do të mund të bëhet pranë drejtorive rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. “Duke nisur prej datës 26 gusht bëjmë me dije se bonusi i bebes për fëmijët e lindur jashtë shtetit dhe në strukturat spitalore private do të shpërndahet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror sipas qarqeve në vend”, sqarojnë burimet zyrtare të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH). Ndërkohë që afati i vendosur për tërheqjen e pagesës në bankën e nivelit të dytë të përcaktuar do të jetë deri në moshën 1-vjeç. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara adresat e të 12 strukturave rajonale të SHSSH-së për secilin qark ku çdo prind mund të paraqitet për të marrë bonusin e bebes.

Tre janë dokumentet që duhet të dorëzoni për të marrë këtë pagesë. Sipas ekspertëve të Shërbimit Social Shtetëror, për të marrë bonusin e bebes, prindërit duhet të paraqesin një Çertifikatë personale të bebit ku duhet të jetë e shënuar me patjetër për bonusin e bebes. Po ashtu në dosjen e dokumenteve duhet të përfshini edhe një certifikatë familjare, me shënimin për bonusin e bebes, si dhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit të të dy prindërve. Për rastet kur fëmija ka lindur në spital jo-publik, certifikata personale dhe ajo familjare duhet të kenë në fund të saj edhe shënimin “Lindje në institucion jopublik (emri i institucionit) që lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Bonusi). Ndërsa në rastet kur fëmijët kanë lindur jashtë territorit të Shqipërisë certifikata e lindjes dhe ajo familjare duhet të kenë në fund shënimin ku të saktësohet: “Lindje jashtë shtetit, nr… akti, datë, muaji, viti, vendin ku ka ndodhur lindja, dhe që lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare regjistruar brenda afatit 90-ditor (Bonusi). Kur deklarimet bëhen përtej këtij afati të përcaktuar, prindërit nuk do të mund të përfitojnë shpërblimin prej 5,000 lekësh.

Pagesa mund të tërhiqet edhe nga një tjetër person i familjes, por vetëm duke respektuar kushtin e përcaktuar. Kështu, në rastet kur çeku do të tërhiqet nga një familjar kërkohet me patjetër pajisja me prokurë të posaçme për tërheqjen e çekut të bebes.

Sa i takon masës së përfitimit, ndihma e menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për prindin/prindërit me foshnja të porsalindura është 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë, 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë, si dhe 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim. Për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë, si dhe për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë në masën 120 mijë lekë për secilën foshnjë.

Zbatimi i përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, është subjekt kontrolli nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për rastet kur strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor, publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Dokumentacioni që duhet për tërheqjen e bonusit nga njëri prej prindërve:

Certifikatë personale e bebit, me shënimin për bonusin e bebes.
Certifikatë familjare, me shënimin për bonusin e bebes.
Fotokopje e dokumentit të identifikimit të të dy prindërve.
Në rastet kur çeku do të tërhiqet nga një familjar kërkohet pajisja me prokurë të posaçme për tërheqjen e çekut të bebes.

Strukturat rajonale ku do të mund të merrni bonusin e bebes:

Drejtoria Rajonale e SHSSH Tiranë – Rruga: “Rifat Bodinaku” pas Ministrisë së Jashtme.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Durrës – Rruga: “Aleksander Goga”, lagjia 11, përballë Gjykatës.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Elbasan – Lagjia “Kongresi i Elbasanit” pallati 35, hyrja nr 3.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Berat – Lagjia “30 vjetori” Berat.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Korçë – Ish menca e Parkut të Mallrave Korçë.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Kukës – Lagja Nr. 2, rruga “Dituria”, prapa Hotel Gjallicës.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Dibër – Bulevardi Elez Isufi.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Shkodër – Lagjia “Qemal Stafa”, rruga Zogu i Parë.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Fier – Lagjia “Kastrioti” Fier.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Gjirokastër – Qafa e Pazarit.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Vlorë – Sheshi 4 Heronjtë, pranë Bashkisë Vlorë.
Drejtoria Rajonale e SHSSH Lezhë – Rr. Luigj Gurakuqi, kati i 2-të, përballë Prefekturës, Lezhë.

Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin