Ministrja malazez e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq, njoftoi se autoritetet shëndetësore vendosën t’i japin përparësi imunizimit, në vend të shtetrrethimit.
Risia është se në të ardhmen, statusi i vaksinimit të pjesshëm (një dozë) nuk do të njihet dhe se ne do të jemi në gjendje të hyjmë në qendrat tregtare vetëm nëse plotësojmë një nga kushtet e përcaktuara nga certifikata Kombëtare dixhitale COVID.
Gjithashtu janë shtrënguar kushtet për të hyrë në shtetin e Malit të Zi, raporton rtcg.me.
Nga 14 shtatori, shpjegoi Boroviniq Bojoviq, hyrja në Mal të Zi lejohet vetëm nëse qytetarët malazezë dhe të huajt plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara:
Se kanë kaluar 14 ditë nga koha kur kanë marrë dy doza, gjegjësisht se kanë kaluar dy javë nga imunizimi me vaksinat e dhëna në një dozë;
Se personi posedon një test negativ PCR për COVID-19 që nuk është më i vjetër se 72 orë ose një test pozitiv PCR që është më i vjetër se 14 dhe jo më i vjetër se 180 ditë;
Se personi posedon një test negativ të shpejtë të antigjenit që nuk është më i vjetër se 48 orë.
Ministrja përsëri apeloi dhe kërkoi nga qytetarët që të vaksinohen, sepse është një fakt i padiskutueshëm që në 90 për qind të rasteve, pacientët e pavaksinuar janë në terapi intensive. /Telegrafi/