MENU
klinika

Kontrolle në orët e mbrëmjes

Radari kap ‘pilotët’ e natës, gjobë e heqje patentash

19.09.2021 - 10:12

Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle në orët e mbrëmjes së kaluar në aksin Sauk-Teg, ku ka konstatuar 21 shoferë me shpejtësi deri në 156 km/h. Policia iu ka hequr patentën 10 shoferëve, si dhe ka gjobitur 11 të tjerë.

Nga monitorimi në të gjitha rrugët e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtetet e flagrancës 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe 1 që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Sakaq janë pezulluar 9 patenta për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 gjoba.

Njoftimi i policisë:

Vijon monitorimi i qarkullimit të automjeteve nga Policia Rrugore e Tiranës duke përdorur radarë e alkooltestues në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan – Tiranë – Durrës – Tiranë dhe në orët e mbrëmjes në aksin Sauk – Teg për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Gjatë orëve të mbrëmjes deri në orën 22:30, pasi monitorimi u ndërpre për shkak të reshjeve të dendura të shiut, si rezultat i monitorimit me radar në aksin Sauk-Teg, konkretisht në Mjullbathore, Policia Rrugore e Tiranës konstatoi 10 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, shpejtësi që varionte nga 131 km/h deri në 156 km/h.

Policia Rrugore u pezulloi drejtuesve të automjeteve lejen e drejtimit nga 1 deri në 5 muaj dhe masë administrative nga 10.000 deri në 20.000 lekë të rinj, si dhe zbritje nga 3 deri në 6 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu, u konstatuan dhe 11 raste me shpejtësi nga 119 km/h deri në 127 km/h, ku drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 2.000 lekë deri në 4.000 lekë të rinj secili. Nga monitorimi me alkooltestues në të gjitha rrugët e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtetet e flagrancës 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe 1 që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Gjithashtu janë pezulluar 9 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Policia e Shtetit apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi në rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin ka prezencë të lagështirës si pasojë e motit të keq. Policia vijon monitorimin me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore të kombinuara me Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparatë fotografikë.