MENU
klinika

Masat anti-COVID

Radhë kilometrike automjetesh nga Kosova!

06.09.2021 - 11:09

Ditën e sotme kanë hyrë në fuqi masat e reja Anti-COVID në kufi, gjë që ka shkaktuar radhë kilometrike nga Kosova për të hyrë në Shqipëri. Automjete të vogla, autobusë, mjete të tonazhit të rëndë, janë në pritje për të hyrë në vendin tonë përmes doganës së Morinës. Fluksi i qytetarëve është shumë i lartë, shumica e të cilëve vijnë për pushime në vendin tonë. Qytetarët shprehen të irrituar për shkak të orëve të gjata të pritjes, ndërsa thonë se në kufi janë paraqitur me kushtet që duhen plotësuar për të kaluar kufirin.

“Po vijmë për pushime, i kemi ditur që ka masa të reja, por jo dhe kështu. Unë e kam bërë vaksinën, kemi 2 orë që presim këtu”, thotë njëri prej tyre.

“Kam një orë që po pres këtu, po na thonë që duhej të kisha bërë të dyja dozat, unë kam bërë vetëm një, nuk e dija. Është bllokuar kufiri, nuk kemi ça bëjmë”, shprehet një tjetër.

“Unë po shkoj në Durrës, është shumë e pakuptueshme, masat janë marrë dje, ne nuk na njoftoi njeri. Jam i vaksinuar, kemi 1 orë që po presim këtu”, thotë një tjetër shqiptar i Kosovës.

Kjo situatë ka shkaktuar dyndje në pikën e testimit të shpejtë pranë Doganës.