MENU
klinika

Mesazhet që u dhanë një ditë më parë në Tiranë

Rama e nisi me Merkelin si Kryeministër në 2014, Kancelarja e mbyll me kreun e qeverisë shqiptare!

15.09.2021 - 09:43

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilloi vizitën e saj të fundit në Tiranë në këtë detyrë, e cila u prit nga Kryeministri Rama. Kujtojmë se Kryeministri Rama e nisi mandatin e tij të parë në krye të qeverisë me takimin me Kancelaren Merkel në Berlin në prill 2014, kur u iniciua edhe Procesi i Berlinit.

Në konferencën e përbashkët dje për mediat, kreu i qeverisë shqiptare tha se “Open Balkan” është pjellë e Procesit të Berlinit dhe jo një alternativë e saj, ndërsa shtoi se ai do të shërbejë si një mekanizëm për ta implementuar e përshpejtuar Procesin e Berlinit. Rama kritikoi mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë proces, duke thënë se ajo dhe tri vendet e tjera kanë rënë pre e teorive të konspiracionit, të cilat ai i cilësoi si dokrra.

“Angela Merkel është një dhe nuk vjen më, që të jemi të qartë. Kancelarja ka iniciuar Procesin e Berlinit, i cili është një vizion largpamës, jo thjesht për të kaluar një fazë disavjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. E përtej të gjitha rezultateve konkrete, në aspektin e fushave që mbulon Procesi i Berlinit besoj që arritja më e madhe e këtij Procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët. Prandaj Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njeri, absolutisht, por për të mos u varur nga vetot e njërit dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, por për të ecur përpara, gjithmonë duke pasur parasysh gjithë ‘road map’-in e Procesit të Berlinit.

Në fund të ditës, Procesi i Berlinit dy gjëra ka: katër liritë e Bashkimit Europian në rajon (lirinë e lëvizjes së njerëzve, lirinë e lëvizjes së kapitaleve, të mallrave dhe të shërbimeve) dhe investimet. Për sa u përket investimeve, ky është një proces që ecën paralelisht. Ne duam të ecim më shpejt dhe dua ta theksoj këtu që pengesa për të ecur më shpejt, një nga pengesat, ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizje e lirë të njerëzve. Pse? Sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për ‘Open Balkan’.

Traseja është e shtruara, Procesi i Berlinit është një proces që do të vazhdojë. ‘Open Balkan’ është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit. ‘Open Balkan është një mekanizëm për ta implementuar e përshpejtuar Procesin e Berlinit. Kush i vendos këto të dyja kundër njëra-tjetrës apo kush thotë që njëra bie ndesh me tjetrën, ose e bën me qëllim, ose nuk e kupton. Gjëja tjetër e rëndësishme, që me Kancelaren sot kemi diskutuar bashkë me kolegët, është që teoritë e konspiracionit ‘jo po Procesi i Berlinit apo ‘Open Balkan’ apo nismat rajonale janë të organizuara nga forca të treta, apo janë të hedhura këtu nga Bashkimi Europian, për të na gënjyer ne që të krijojmë këtu një mikro-BE që të mos na fusin kurrë në BE’ janë dokrra.

Nuk kemi pse presim që të hyjmë në Bashkimin Europian që të ndërtojmë autostradat apo të ndërtojmë infrastrukturën dixhitale apo të ndërtojmë tregjet e përbashkëta, ky është thelbi”, u shpreh Rama për mediat.

“Nuk besojmë që iniciativat rajonale duhet të bëhen pa BE-në”, Kurti i përgjigjet Ramës: Jo Ballkanit të Hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj Kryeministrit Rama, i cili tha se ata që janë kundër Ballkanit të Hapur besojnë te teoritë e konspiracionit. Në një konferencë për mediat pas takimit me Kancelaren Angela Merkel, Kurti u shpreh se kjo është tema e vetme për të cilën kanë kundërshtime. Kryeministri i Kosovës përsëriti qëndrimin se Kosova nuk do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, ndërsa theksoi se rruga e vetme e integrimit europian të vendeve të rajonit është Procesi i Berlinit. I pyetur nëse është takuar apo ka folur së fundmi me Kryeministrin Rama, Kurti u shpreh se:

“Në çdo konferencë dhe samit takohemi dhe komunikojmë. Herën e fundit ishte në Bled të Sllovenisë. Jo, jemi takuar edhe në Tiranë, edhe në Dhërmi, ne vazhdimisht takohemi. Ajo që është e përbashkët midis nesh është shumë më e madhe. Nuk biem dakord për Ballkanin e Hapur, çfarë të bëjmë tash?! Nuk mendoj që është nismë në interes të shqiptarëve të Kosovës. Për gjëra të tjera jemi në komunikim edhe bashkëpunojmë”. Për sa i përket deklaratës për teoritë e konspiracionit, Kurti tha se:

“Unë nuk e di për çfarë teorie konspiracioni flitet. A e keni pyetur për çfarë teorie konspiracioni flet?!”. Për sa i përket takimit me Merkelin, Kurti theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe njohjes së Kosovës nga Serbia. “Kancelarja gjermane tha që Procesi i Berlinit është korniza edhe rruga për integrimin e 6 vendeve të rajonit në BE. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë, që të mos ketë variante të tjera. Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm. E theksova që Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë. Ne jemi për marrëdhënie të mira rajonale dhe fqinjësore, por nuk mund ta kompensojmë as me shtetësi, as me territor Serbinë për humbjet si shtet që ia ka shkaktuar regjimi i Millosheviçit. Ku është njohja e Serbisë? Cili është kuptimi i atyre kompromiseve kur në qershor Vuçiç tha se nuk e njoh kurrë Kosovën. Kompromiset kanë qenë të gabuara. Refuzimi i Serbisë na ka lënë pa marrëveshje. Serbia duhet të ndryshojë Kushtetutën, jo Kosova. Ne nuk besojmë që iniciativat rajonale duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është që në të dytën nuk e kemi BE-në. Besoj që Procesi i Berlinit pas Merkelit do të vazhdojë. Në Ballkan ka disbalancë”, tha Kurti.

Rama i dhuron “Atleti i Krishtit” të Skënderbeut

Kryeministri Edi Rama i ka bërë një dhuratë të veçantë Kancelares gjermane Angela Merkel dje gjatë vizitës në Shqipëri. Përmes një videoje që ka publikuar nga takimi me Merkelin, Rama shihet që i jep në shenjë nderimi Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Rama thotë se Merkel nuk i ka përzemër ceremonitë teksa Kancelarja e ka pritur me buzëqeshje, duke e cilësuar një nder bashkëpunimin dhe vlerësimin. “Ky është ylli i Mirënjohjes dhe është simboli i Heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i cili mbrojti Shqipërinë nga pushtimi dhe u mbiquajt si ‘Atleti i Krishtit’, si mbrojtës i krishterimit. Kështu, mendoj se ju detyrohemi për këtë.

Nuk do të mbaj fjalim këtu se e di që ju nuk para i duroni ceremonitë ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, shpjegon Kryeministri. “Faleminderit shumë! Jam e vetëdijshme se është një nder i madh dhe ishte gjë e mirë për mua të punoja me ju. Faleminderit”, tha Merkel.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN