MENU
klinika

Tjetër mundësi për maturantët

Rihapet aplikimi online për formularët A1 dhe A1Z

09.09.2021 - 14:10

Maturantët që duan të vijojnë konkurimin për studimet e larta në një nga universitetet publike apo private në vend, kanë ende një mundësi që të rikthehen në garë. Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që nuk kanë mundur dot të plotësojnë deri më tani Formularin A1 dhe A1Z, do të mund ta kryejnë këtë procedurë deri në datën 13 shtator.

“Pas kërkesave të shumta të të rinjve që kanë përfunduar maturën dhe ende nuk kanë plotësuar formularët A1/A1Z, i ftoj të shfrytëzojnë mundësinë për të kryer këtë aplikim në datat 8-13 shtator 2021”, konfirmoi gjatë ditës së djeshme nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

Aplikimi online mund të bëhet vetëm nga kandidatët që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e maturës shtetërore dhe plotësojnë formularin vetëm për aplikim në institucionet e arsimit te lartë. Plotësimi online i Formularit A1Z do të kryhet në shkollat ku maturantët apo kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

Sipas kushteve të përcaktuara nga MASR, formularin A1 duhet ta plotësojnë të gjithë nxënësit që kanë përfunduar përgjatë këtij viti studimet e shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij.

Ndërsa formularin A1Z duhet ta plotsojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2021 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Këtë formular mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së dhe rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturs, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri, ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2021, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik.

Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesmë të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN