Në Kosovë ka mbërritur edhe grupi i katërt i refugjatëve afganë, të cilët do të strehohen në vend përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.
Jeta Tela, shefe e kabinetit në ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se deri tani në total kanë mbërritur rreth 450 shtetas afganë.
Edhe grupi i fundit, sipas saj, është vendosur në ish kampin e “Behtel Enkas”, në afërsi të Ferizajt, rreth 35 kilometra larg Prishtinës, ndërsa të premten nuk pritet ndonjë fluturim i ri.
Shumica e afganëve që kanë ardhur deri tash janë gra, fëmijë e pleq të familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë shtetas afganë, derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.
Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.
Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.