MENU
klinika

Familjet pritet të përballen me një faturë “të kripur”

Rritja e çmimit të gazit, me kosto për Europën

25.09.2021 - 16:40

Norvegjia dhe Rusia janë fituesit më të mëdhenj nga rritja e çmimeve të gazit në Europë, pasi vite më parë Bashkimi Europian u largua nga kontratat e qëndrueshme dhe afatgjata. Bençmarku europian i gazit është rritur me rreth 300% gjatë këtij viti, ndërkohë që ekonomitë po rimëkëmben nga pandemia e Covid-19. Gjithashtu, edhe mungesat në furnizim për shkak të investimeve dhe mirëmbajtjeve drejt energjisë së gjelbër kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.

Rritja e çmimeve vjen dy dekada pasi Bashkimi Europian liberalizoi tregun e gazit, duke u fokusuar kryesisht te kontratat afatshkurtra dhe fleksibël, bazuar në çmimin e gazit në qëndrat e tregtimit. Ky vendim ndihmoi në zgjerimin e listës së furnizuesve, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara apo Katarin. Por ky veprim përforcoi edhe pozitat e kompanisë ruse, Gazprom dhe të kompanisë norvegjeze, Equinor, të cilat së bashku plotësojnë rreth 60% të nevojave të Europës për gaz.

Konsumatorët europianë përfituan nga marrëveshjet e reja më fleksibël, pasi përgjithësiht tregu ka qënë i furnizuar mirë dhe çmimet kanë qëndruar të ulëta. Por, tashmë po ndodh e kundërta; disa ofrues britanikë të energjisë janë shkatërruar, ndërsa familjet europiane pritet të përballen me një faturë të kripur gjatë dimrit. Gazprom e shet 56% të gazit një ditë përpara dhe një muaj përpara, 31% me çmimin e tremujorit të ardhshëm ose të sezonit dhe 13% indeksohet me naftën.