Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur konferencë të përbashkët për media me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ku ka folur edhe për vendimin e qeverisë për targat.
Kurti tha se Serbia merr donacione nga BE-ja por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina, raporton Gazeta Express.
Ai tha se kanë zbatuar një dakordim të vjetër sa i përket targave por që Serbia u përgjigj me forcë duke grumbulluar mjete luftarake të prodhimit rus.
“Në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër, fatkeqësishyt Serbia u përgjigj me forcë duke grumbulluar forca ushtarake dhe mjete luftarake siç janë tankset dhe aeroplanët luftarakë të Rusisë”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se Serbia përfiton donacione dhe fonde nga BE-ja por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina.
“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë ku Serbia merr donacione nga BE-ja, dhe përkundër që i merr këto donacione pa zbatuar vlera do të duhej të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia e Kina”, tha Kurti.
Ai tha poashtu se sulmet në Zubin Potok janë pasojë e deklarata luftënxitëse të Vucicit.
“Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok e Zveçan pasi këto sulme erdhën pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve luftarake në kufi me Kosovën”, tha ai.