MENU
klinika

"Sherr për nëndetëset"

Pse Franca largoi ambasadorët nga SHBA?

18.09.2021 - 13:12

Franca ka kaluar në kundërsulm pas marrëveshjes me SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Australisë me qëllim furnizimin e këtij shteti me nëndetëse bërthamore.

Më parë, Australia kishte firmosur një marrëveshje me kompanitë franceze për 18 nëndetëse, por ndërhyrja e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, të cilat i kanë ofruar nëndetëse bërthamore si edhe një mori shërbimesh të tjerë përballë kërcënimit kinez ka bërë që vendi të pranojë këtë ofertë.

Menjëherë pas marrëveshjes, presidenti francez Macron vendosi tërheqjen e ambasadorëve nga Australia dhe SHBA-të për konsultime në Paris.

“Me kërkesë të Presidentit kërkova tërheqjen për konsultime në Paris të ambasadorëve nga SHBA-të dhe Australia. Ky vendim vjen pas vendimit të paprecedentë të këtyre shteteve më datë 15 shtator”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian.

Krahas SHBA-ve dhe Australisë, Franca ka akuzuar edhe Britaninë e Madhe, por me një ton më të ulët për përfshirjen në programin AUKUS.

Sipas francezëve, Britania e Madhe u tregua opurtuniste duke marrë pjesë në këtë program duke nxjerrë nga loja Francën.

Çfarë është Aukus?

Kjo është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme e sigurisë midis tre kombeve që nga Lufta e Dytë Botërore, thonë analistët. Pakti do të përqëndrohet në aftësinë ushtarake, duke e ndarë atë nga aleanca e inteligjencës Five Eyes, e cila gjithashtu përfshin Zelandën e Re dhe Kanadanë.

Ndërsa nëndetëset Australiane “copa e madhe”, Aukus do të përfshijë gjithashtu ndarjen e aftësive kibernetike, inteligjencën artificiale, atë kuantike dhe teknologji të tjera nënujore.

“Kjo është një mundësi historike për tre kombet, me aleatë dhe partnerë të të njëjtit mendim, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe për të promovuar sigurinë dhe prosperitetin në rajonin Indo-Paqësor”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Drejtuesit nuk iu referuan Kinës drejtpërdrejt, por thanë se sfidat e sigurisë rajonale ishin “rritur ndjeshëm”.