MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Si Covid-19 ia zbuloi edhe Shqipërisë anti-intelektualizmin?!

07.09.2021 - 15:51

Anti-intelektualizmi ose ashtu siç njihet në thelb: hedhja poshtë e së vërtetës, argumentit, faktit të dukshëm dhe shkencës ka marrë një përmasë shqetësuese në vitet e fundit. Për fat të keq, përballjet e Shqipërisë sa i përket tërmetit shkatërrimtar dhe prej gati 2 vitesh Covid-19 me kinse ekspertët që për hir të inatit me Ramën dhe kur duhej të apelonin, dezinformonin; kur duhej të këshillonin, mallkonin dhe kështu me rrallë janë gjithsesi ende disa shenja fare minore para asaj që bëri ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Ky i fundit shpalosi në presidencën e vet nëpërkëmbjen e frikshme të specialistëve të shëndetit me rastin e Covid-19.

Kurrë si në rastin e Covid-19 nuk kemi pasur një përplasje të tillë, e cila përmbledh gati të gjitha fashat sociale në botë por edhe në Shqipëri, teksa argumenti shkencor tashmë anashkalohet ose më keq akoma është bërë inflamativ sepse bëhet për t’u bërë nga shumë zëra, qoftë të arsyeshëm por më shumë për t’u dukur. Edhe pse në media të besueshme shkencore bëhet fjalë dhe sqarohet situata për vaksinat e sigurta të certifikuara, të cilat mund t’i sigurojnë imunitet një pjesë të madhe të komunitetit, më së shumti grupeve në rrezik, te shqiptarët tashmë po merr jetë ideja se: vaksinat nuk janë të domosdoshme, madje shumica prej tyre jo thjesht i frikësohen efekteve anësore, por flasin për lloj-lloj konspiracionesh. Kohë më parë, në një anketim të kryer nga IDRA Poll, rezultonte se vetëm 37% e qytetarëve shqiptarë ishin të gatshëm për t’u vaksinuar, sapo vaksina do të ishte në qarkullim. Në këtë masë, 53% e personave që ishin kundër vaksinimit, më së shumti i frikësoheshin efekteve anësore, kurse 20% e tyre ishin kategorikisht kundër vaksinimit në tërësi.

Këtij grupi i shtohej edhe një përqindje prej 11 %, e cila mendonte se vaksina nuk do të ishte asnjëherë e efektshme. Dhe, mjaftoi dalja e mutacionit të ri të Covid-19, me emrin Delta, ndaj të cilës efektiviteti i vaksinave nuk ishte aq i lartë, saqë mëdyshuesit të fërkonin duart dhe të konfirmonin tollovinë e krijuar me ose pa dashje. Gjithsesi, jo në pak vëzhgime deri në orët e fundit, u pa se më të rrezikuar mbeten sërish të pavaksinuarit. E megjithatë edhe kjo konsiderohet si e paprovuar dhe jo e saktë!!! Kurrë anti-intelektualizmi nuk ka pasur një truall kaq pjellor sa ky i kohës së pandemisë. Edhe njëherë për të: “Anti-intelektualizmi është përcaktuar si: Një doktrinë filozofike që i jep arsyes ose intelektit një vend të varur në skemën e gjërave dhe pyetjeve ose mohon aftësinë e intelektit për të kuptuar natyrën e vërtetë të gjërave … Çdo gjë që lartëson ndjenjën mbi mendimin, intuitën mbi logjikën, veprimin mbi soditjen, rezultatet mbi mjetet, përvojën mbi traditën dhe rendin tenton drejt anti-intelektualizmit”, shkruan hulumtuesit Clarence Hugh Holman.

Shqiptarët, në fakt, nuk është se nuk besojnë në masë për gjëra (të paktën në Socializëm e provuan këtë hapur), por i janë nënshtruar të pafuqi kakofonisë së zërave dhe shkrimeve të kinse-specialistëve në studiot e TV, të cilët në garë me njëri-tjetrin vetëm përpiqen “të bëjnë” lajmin duke e shtuar edhe më tej konfuzionin. Qysh nga ata, të cilët duke përmendur argumente të ndryshëm, të tregojnë në thelb se: vaksinat edhe nëse i bën nuk kanë ndonjë dobi; kjo apo ajo vaksinë nuk e ka efektivitetin e duhur; e deri te më kritikët që përmendin se kjo apo ajo vaksinë janë me probleme dhe nuk kanë kushte optimale ruajtje. Sidomos në rastin e Shqipërisë?! Po atëherë pse nuk bëhen protesta masive si në Perëndim dhe kudo gjetkë, kur është ky mosbesim? Për këtë e ka një përgjigje: Shqiptarët e kanë shumë të vështirë organizimin dhe mbi të gjitha mbledhjen në një kauzë të përbashkët. Zakonisht ia kanë dalë partitë me anë të kontingjentit të gatshëm të militantëve dhe shumë më pak kauzat sociale, që kulmuan me protestën e studentëve dhe pak më parë me armët kimike por aspak më shumë. Kjo sepse menjëherë ia behin ushtria e mohsave, zakonisht nga radhët e politikanëve, ata që kundërshtojnë dhe hedhin poshtë gjithçka, ata që marrin peng kauza e protestave deri dhe te lëvizjet e thjeshta, ata që shkojnë të parët te minatorët, bujqit dhe punëtorët dhe pastaj i braktisin sapo e marrin të gjithë vëmendjen mediatike për vete.

Në fakt, gjendja është e hidhur ngado, e kjo e justifikon si duhet kulmimin e anti-intelektualizmit deri edhe në SHBA. “Ish-presidenti Trump konsiderohet si një qasje e qartë në udhën e gjatë të historisë së gjatë të anti-intelektualizmit në Amerikë. Ndërkohë që anti-intelektualizmi është përdorur nga qeveritë totalitare për të mbajtur publikun në errësirë. Është përdorur nga regjimet autoritare në histori, përfshirë të gjithë nga Hitleri, Franko, Pinochet, Robert Mugabe, Nicolás Maduro dhe Slobodan Millosheviç. Vetëm ai fakt ofron një paraqitje të frikshme se sa të rrezikshme mund të jenë lëvizjet anti-fakt, anti-shkencë dhe anti-të vërteta”, shkruan Abigail Bassett tek “The Rise of Anti-Intellectualism”. Anipse s’është kaq e thjeshtë. Konfuzionin e shtojnë edhe një sërë pretendimesh pseudoshkencore, si ato në diskursin popullor (veçanërisht në mediat sociale) që kanë të bëjnë me lidhjen midis COVID-19 dhe teknologjisë së telekomunikacionit të gjeneratës së pestë (5G); aftësia për të kuruar COVID-19 me ilaçet homoeopatike ose vitamina C, që ne shqiptarët i shtuam edhe prodhimet tonat bio( raki& hudhër!); dhe krijimin artificial të SARS-CoV-2, nga Kina ose Shtetet e Bashkuara.

Disa nga këto perceptime të gabuara janë të natyrës konspiracioniste, ndërsa të tjerat etiketohen më saktë si urtësi popullore mjekësore pseudo-shkencore. Ndoshta dëmi më i madh që iu bë publikut, sa i përket COVID-19 ishte ajo që e llogariste si një sëmundje aspak serioze dhe se efektet e saj ishin të krahasueshme me ato të gripit sezonal, ku rasti i Suedisë ishte nga më të spikaturit. Veçse profesor Fuga e shtron edhe në formë më interesante rastin specifik shqiptar: “Nga informacionet që qarkullojnë në web, gjithçka është bërë lesh arapi. Gjen çfarë të duash, si ta duash, ta besosh, mos ta besosh? As mjeku nuk besohet sepse ai nuk e ka prodhuar vetë vaksinën! Një teori që mbrojti një ekip i kryesuar nga një akademik se gjoja po krijohej imuniteti i tufës, dhe për këtë nuk dihet sesa miliona po harxhohen, doli krejt fyçkë dhe nuk po vërtetohet fare. Më duket sikurse e kam thënë pa asnjë besueshmëri. Atëherë çfarë faji ka mileti, siç e quajnë këta antipopulistët e ndyrë, që e trajtojnë popullin si tufë injorante, që nuk beson argumentet për vaksinën?”

Ishte e vërtetë që pandemia COVID-19 na përplasi përballë një mal me ekspertë, që madje u vunë edhe në krye të planeve të qeverisë për të kontrolluar pandeminë apo nga ata që na këshillonin sesi mund t’i shmangnim pasojat e pashmangshme dhe katastrofike ekonomike të bllokimeve të qeverisë dhe distancimit shoqëror. E megjithatë kjo i shërbeu studiuesve të tregonin sesa fitoi terren anti-intelektualizmi: “Ne ofrojmë dëshmi eksperimentale të rëndësisë së anti-intelektualizmit në sjelljen e kërkimit të informacionit me dy studime të përbashkëta (N ~ 2,500) që tregojnë se preferencat për lajmet COVID-19 dhe informacionet e COVID-19 nga ekspertët shpërndahen midis të anketuarve me nivele më të larta të ndjenjave anti-intelektuale. Anti-intelektualizmi paraqet një sfidë themelore në ruajtjen dhe rritjen e pajtueshmërisë publike me direktivat shëndetësore të udhëhequra nga ekspertët COVID-19”, shkruajnë me shqetësim Eric Merkley & Peter John Loewen tek studimi “Anti-intellectualism and the mass public’s response to the COVID-19 pandemic” në “Nature Human Behaviour”.

E gjithë kjo na sjell te pyetja thelbësore se: çfarë mund të bëhet për lëvizjen anti-intelektuale, që tashmë po shkatërron gjithçka? Filozofia na kërkon të bëjmë më shumë dialog në vend të debatit dhe të jemi të hapur dhe kurioz sa më shumë të mundemi e në çdo situatë. Më shumë akoma duhet të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të kultivuar një ndjenjë kërkimi dhe të menduari kritik, t’i shikojmë disi me rezerva postimet në Facebook që lexojmë dhe dyshimet t’i lemë për politikanët tanë të sotëm, shkatërruesit e vërtetë të qetësisë së shekullit tonë. Ndoshta kjo do ishte e vetmja mënyrë për të luftuar me të vërtetë kundër lëvizjes anti-intelektuale e cila po e gërryen njerëzimin në makthin e vet. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten thjesht pasojë. (Homo Albanicus)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Ben Andoni

E keqja, na mundi!