MENU
klinika

Historia e panjohur e bandës

Komunikimi me ”kod” dhe italiania misterioze…

17.09.2021 - 13:31

       Pjesa e tretë

Publikohet historia e panjohur dhe e bujshme e të ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, ku bënin pjesë: Sabaudin Haznedari, Xhevdet Mustafa dhe Halit Bajrami, të cilët në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982, me anë të një motoskafi të vogël që ishte nisur nga brigjet italiane, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, ku pasi vranë një oficer policie dhe një fshatar të zonës, nën forcën e armëve, mbajtën peng një polic tjetër, i cili do t’u tregonte rrugën për të përparuar në brendësi të territorit shqiptar, deri sa ata arritën në qytezën e vogël të Rrogozhinës, ku u zbuluan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe pas një përpjekje me armë, ‘kapo’ i saj Sabaudin Haznedari, mbeti i vrarë në një qendër zjarri, dhe po ashtu të njëjtin “fat” do të kishte edhe Xhevdet Mustafa, që mbeti i vrarë pas disa orësh, në një shtëpi të fshatit Zhamë të Lushnjes, pasi më parë kishte vrarë të zotin e shtëpisë dhe një nënoficer policie që po e ndiqte me motoçikletë. Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit nga qyteti i Durrësit, vëllait të ‘kapos’ së asaj bande, që rrëfen për herë të parë gjithë historinë e së ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, e cila sipas versionit të Enver Hoxhës, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.

Nga: Dashnor Kaloçi

Ngjarja e panjohur, vjen nëpërmjet vëllait të ‘kapobandës’, Haznedari, duke filluar nga historia e tyre familjare për të cilën aktori dhe dramaturgu i njohur, Sulejman Pitarka, do t’i kushtonte dramën “Familja e peshkatari”, si dhe të gjithë kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, që nga arratisja e tyre dhe deri në ngjarjen e 26 shtatorit 1982, ku Sabaudini dhe Xhevdeti mbetën të vrarë, në përpjekje me forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse Halit Bajrami, pasi u mbajt disa kohë në “Hetuesi” dhe te Hotel “Tirana”, u përcoll nga Zbulimi Shqiptar në Zelandën e Re, ku jetoi i qetë edhe pas viteve ’90-të, duke mos pranuar të shkelte më në Shqipëri!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Plot 39-vjet më parë, në paraditen e së dielës së 26 shtatorit të vitit 1982, një ngjarje aspak e zakontë dhe tepër e bujshme e ndodhur në një qytezë të vogël të Shqipërisë së Mesme. Shprishi heshtjen e monotoninë mbytëse që mbizotëronte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, duke shkaktuar pështjellim e panik të madh edhe në radhët e hierarkisë së lartë të udhëheqjes komuniste të kryesuar prej Enver Hoxhës.

Po atë pasdite, lajmi mbi atë ngjarje, që ishte përhapur me një shpejtësi po të pazakontë pothuaj në të gjithë vendin, duke u rrëfyer në forma nga më të ndryshmet. U bë i ditur edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, me anë të një njoftim zyrtar të dhënë nëpërmjet një komunikate zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u transmetua në emisionin e lajmeve të orës 20.00. Ajo komunikatë zyrtare në mes të tjerash, bënte të ditur se: ‘një bandë e armatosur e financuar dhe e stërvitur nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinje, në bashkëpunim dhe me armiqtë e popullit shqiptar, kishte zbarkuar disa km. në thellësi të territorit shqiptar në bregdetin e Divjakës, ku dhe ishte asgjësuar plotësisht nga forcat e Ministrisë së Brendshme’.

 

 

Afro dy muaj më pas, akoma pa u shuar jehona e asaj ngjarje, gjatë një takimi që kreu i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, mbajti me zgjedhësit e zonës së tij elektorale në Tiranë, në mes të tjerash foli dhe për atë “bandë” që tashmë ishte bërë e njohur, kudo në të gjithë Shqipërinë, si “Banda e Xhevdet Mustafës”. Lidhur me këtë, ai u shpreh: “Banda e armatosur e kriminelit Xhevdet Mustafa, që u përgatit dhe u financua nga Leka Zogu në bashkëpunim me UDB-në jugosllave dhe shërbimet e huaja sekrete, të disa vendeve fqinje, u asgjësua e u eliminua plotësisht brenda gjashtë orëve nga zbarkimi i tyre, akoma pa e parë mirë diellin shqiptar”.

Për këtë ngjarje të bujshme, që asokohe tronditi gjithë Shqipërinë dhe hapi panik të madh për disa muaj me radhë duke vënë në gatishmëri të lartë të gjitha repartet e Forcave të Armatosura dhe çetat vullnetare, është folur dhe shkruar vetëm pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist, por përsëri, e gjithë ngjarja e 26 shtatorit të vitit 1982, ku mbetën të vrarë Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa, si dhe e ashtuquajtura “banda Xhevdet Mustafa”, edhe pse kanë kaluar katër dekada që nga ajo kohë, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, duke mbajtur mbi vetë një sërë pikëpyetjesh!
Në këtë kontekst, me qëllimin për të tentuar për të hedhur sadopak dritë mbi atë ngjarje të largët, Memorie.al i rikthehet përsëri një cikli shkrimesh për të ashtuquajturën “banda Xhevdet Mustafa”, duke publikur fakte dhe ngjarje të reja të panjohur më parë, të cilat vijnë nëpërmjet intervistës me Gafurr Haznedarin nga qyteti i Durrësit, i cili është vëllai i Sabaudin Haznedarit, kryetarit të “grupit komando”, që së bashku me Xhevdet Mustafën e Halit Bajramin, zbarkoi në bregdetin e Divjakës në mesnatën e largët të 26-shtatorit të vitit 1982, ku sipas versionit të Tiranës zyrtare të artikuluar nga vetë Enver Hoxha në fjalën e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale në Tiranë, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.
Pas intervistës me z. Gafurr Haznedari që do të publikohet në gjashtë numra radhazi, (duke filluar nga sot), Memorie.al do vazhdoj përsëri me shkrime të tjera, me dëshmi dhe intervista, nga aktorë të asaj ngjarje, të afërm të familjeve të tyre, si dhe dëshmitarë të ndryshëm, që rastësia i lidhi, apo i çoi në atë vend ku 39 vite më parë zbarkoi ‘grupi i armatosur komando’ i njohur ndryshe si “banda Xhevdet Mustafa”, ngjarje e cila edhe sot pas katër dekadash, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.

Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit, vëllait të “kapos’ së “Bandës Xhevdet Mustafa”

                                                     Vijon nga numri i kaluar

Zoti Gafur, a mund të na thoni ndonjë nga versionet e mundshme lidhur me arratisjen e Sabaudinit?

Një nga versionet që unë personalisht mendoj se është dhe më afër së vërtetës, është ky: Gjatë kohës që Sabudini është takuar me Halit Bajramin, si shok fëmijërie dhe lufte që e kishte, i ka shprehur atij pakënaqësitë lidhur me qëndrimin, që po mbante Partia ndaj tij dhe i ka kërkuar mendim, për një arratisje të mundshme. Pas takimit të parë, si njeri i Sigurimit të Shtetit, Haliti e ka raportuar tek eprorët e tij, të cilët i kanë thënë që t’ia mbështeste mendimet dhe të arratiseshin bashkë. Njerëzve të Sigurimit nuk u ka interesuar aspak arrestimi dhe dënimi i Sabaudinit, por ata kanë qenë më të interesuar që ai të arratisej dhe kur të dilte jashtë, nëpërmjet Halitit, ta kishin nën kontroll, për të parë dhe zbuluar të gjithë personat e mundshëm antikomunistë me të cilët mund të takohej dhe të kishte lidhje Sabaudini. Këtë gjë ata e kanë bërë, duke pasur shpresa se si ish-komunist, Sabaudini mund t’ju shërbente përsëri. Pra, arratisjen e Sabaudinit, indirekt e kanë nxitur vetë njerëzit e Sigurimit të Shtetit për qëllimet e tyre.

Pas arratisej nga Shqipëria, ku u vendosën Sabaudini me Halit Bajramin?

Pasi kaluan kufirin dhe ikën nga Shqipëria, Sabudini me Halit Bajramin, u kapën nga forcat greke të kufirit dhe u dërguan në një kamp refugjatësh, diku në afërsi të asaj zone kufitare?

Sa u mbajtën ata të dy në atë kamp dhe ku ndodhej ai?

Në atë kamp refugjatësh që nuk mund ta them me saktësi se ku ndodhej, ata nuk u mbajtën shumë për arsye se ata kërkuan dhe u lejuan, që të iknin nga kampi e të shkonin në Stamboll, tek një kushëriri ynë i cili u bëri dhe garancinë për t’i marrë nga kampi.

Si quhej kushëriri juaj dhe në ç’rrethana ndodhej ai atje?

Kushëriri ynë quhej Halit Krestiçiler dhe ishte djali i hallës sonë, motrës së babait, Mahmudit. Halla jonë banonte prej vitesh në Stamboll, pasi ishte martuar atje me një turk, që nga koha kur familja jonë ishte shpërngulur nga Prilepi i Manastirit.

Sa kohë qëndruan Sabaudini me Halit Bajramin, në Stamboll dhe ku shkuan më pas?

Sabaudini me Halitin, nuk qëndruan shumë tek shtëpia e djalit të hallës sonë në Stamboll, sepse pak kohë pasi shkuan atje, ata nisën sherret e debatet në mes tyre. Kjo erdhi pasi Haliti ngulte këmbë që ta merrte Sabudinin me vete në Zelandën e Re.

Përse kërkonte Haliti që të shkonte në Zelandën e Re?

Halit Bajrami, kërkonte që të shkonte në Zelandën e Re, sepse ashtu ishte misioni i tij, që ia kishte ngarkuar Sigurimi i Shtetit. Në atë kohë, por edhe më vonë, Zelanda e Re ka shërbyer si ‘strofull’ apo ‘çerdhe’ e sigurtë e agjentëve të Zbulimit Shqiptar.

Nga çfarë burimesh e dini dhe si e faktoni këtë gjë?

Këtë e di shumë mirë dhe po jua argumentoj me fakte konkrete. E para: është fakti se Halit Bajrami, u vendos në Zelandën e Re dhe atje ka jetuar e vazhdoi të jetojë dhe shumë vite pas shembjes së regjimit komunist, në mos gaboj rreth 20 vjet. Po kështu, në atë vend të largët të Azisë, kanë shkuar dhe kanë jetuar edhe shumë agjentë të tjerë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, të cilat pas viteve ’90-të, janë kthyer dhe kanë ardhur në Shqipëri.

Pas debateve që patën Sabaudini me Halit Bajramin, në Stamboll ku shkuan ata?

Pasi Sabaudini nuk pranoi që të shkonte me Halitin, në Zelandën e Re, ai e bindi atë që të mos largoheshin shumë nga Shqipëria dhe që të dy, ikën nga Stambolli dhe vajtën në Itali.

Përse Sabaudini nuk donte të largohej shumë nga Shqipëria dhe ku u vendosën në Itali?

Sabaudini, nuk kishte dëshirë që të largohej shumë nga Shqipëria dhe njëkohësisht, të mos e largonte vëmendjen prej saj, për arsye se ai kishte shpresa për t’u kthyer përsëri një ditë pranë familjes. Ai mendonte në një rrëzim të mundshëm të regjimit komunist, të Enver Hoxhës. Këtë gjë ai ia kishte thënë një shqiptari, nga fshati Gallatë i Laçit të Kurbinit në kampin e Greqisë. Ky njeri për të cilin do flas më poshtë, ishte i arratisur nga Shqipëria dhe u riatdhesua përsëri e këtë gjë, ma tha mua kur erdhi në shtëpinë tonë.

Ku u vendosën Sabaudini me Halitin kur shkuan në Itali?

Pasi Sabaudini nuk pranoi që të shkonte me Halitin në Zelandën e Re edhe Haliti, ndërroi mendjen dhe bashkë me Sabaudinin, shkuan në Itali. Kur mbërritën në Itali, ata të dy u ndanë. Halit Bajrami, shkoi në Siçili, ku kishte motrën e tijë, që ishte vendosur aty, që nga koha e Luftës, kur dhe ishte e martuar me një oficer italian që kishte qenë në Shqipëri. Gjatë kohës së Luftës, për arsye propagandistike, Duçja kishte nxjerrë një ligj, për ata oficerë italianë që do të martoheshin me vajza shqiptare, do t’i kthente në Itali. Kështu që në atë kohë shumë oficerë italianë, për t’i shpëtuar luftës, u martuan me vajza shqiptare dhe një nga ato ishte dhe motra e Halit Bajramit. Ndërsa Haliti u vendos tek shtëpia e kunatit të tij, Sabaudini shkoi dhe u vendos me banim, në qytetin e Foxhias.

Sa kohë qëndruan ata në Itali?

Haliti nuk qëndroi shumë në Itali, sepse pas nëntë muajsh, kunati i tij e përzuri nga shtëpia, sepse ai nuk punonte  dhe iu bë barrë familjes së tij. Pas kësaj Haliti iku nga Italia, në Zelandën e Re, sepse atje e kishin nisur me mision shefat e tij, ndërsa Sabaudini u vendos përfundimisht me banim në Itali.

Si mundët të hynit në lidhje me Sabaudinin, me korrespondencë, me anë të letrave postare?

Për vendosjen e Sabaudinit në Itali, ne e mësuam pas disa kohësh, sepse ai na dërgoi një letër me postë në shtëpi. Ndërsa lidhjet me të me anë të letrave, nga të pesë vëllezërit, i mbajta vetëm unë, për vite me radhë.

A ishit të sigurtë që ajo letër ishte e Sabaudinit dhe jo ndonjë truk i Sigurimit, e pasi e morët atë a i’u përgjigjët?

Që ajo letër ishte e vëllait tonë Sabudinit, ne nuk dyshuam fare, sepse e njihnim mirë shkrimin e tij. Ne nuk i kthyem përgjigje, por e vërtetuam më pas, sepse në vitin 1962, në shtëpinë tonë këtu në Durrës, erdhi një njeri nga Italia të cilin e kishte dërguar Sabaudini.

Kush ishte ky person, si erdhi tek ju dhe çfarë u tha për Sabaudinin?

Në vitin 1962, në shtëpinë tonë erdhi e trokiti një grua, e cila na tha se kishte një porosi për të na dhënë. Ne e futëm brenda dhe ajo na tha se vinte nga Italia dhe kishte porosi nga Sabaudini, që të takohej me të gjithë pjesëtarët e familjes dhe mos kthehej në Itali, pa e parë djalin e tij, Skënderin. Ajo ishte një shqiptare me origjinë nga Korça dhe banonte në Itali, që nga viti 1942, kur ishte martuar me një oficer italian i cili kishte vdekur më pas. Ajo na tha se Sabaudinin e kishte njohur rastësisht dhe ai ishte i vetmi shqiptar, që ajo kishte njohur në Itali. Sipas saj, gjatë bisedave me Sabudinin, ajo i kishte thënë se po bënte dokumentat, që të vinte për vizitë tek njerëzit e saj në Korçë. Sabaudini e kishte ndihmuar, duke i gjetur avokatë, për t’i plotësuar dokumentet që i kërkonin në ambasadën shqiptare, të Italisë dhe gjithçka ajo kishte nevojë. Në këmbim të ndihmës që Sabaudini i kishte dhënë asaj, i kishte kërkuar që: të vinte në shtëpinë tonë, për të na takuar dhe të na jepte të falat e tij,  si porosi kryesore, të shihte djalin e tij të vogël, Skënderin, që atëherë ishte 12 vjeç. Kur erdhi ajo në shtëpi, Skënderi ishte i shtruar në spital, por ajo nguli këmbë, se s’ikte pa e parë. Kështu unë u detyrova e mora një taksi dhe shkova e mora në spital dhe e solla në shtëpi. Atë ditë sapo pa djalin, ajo iku nga shtëpia dhe u nis për Korçë, tek njerëzit e saj”.

U takuat përsëri me të dërguarën e Sabaudinit?

Që të nesërmen e ikjes së saj për në Korçë, unë vendosa që të shkoja ta takoja, e të bisedoja me të vetëm për vetëm, pasi në shtëpinë tone, nuk mund ta pyesja për shumë gjëra në praninë e vëllezërve të tjerë. Jo se unë nuk e besova se atë e kishte dërguar Sabaudini, por kisha dëshirë që të mësoja diçka më shumë për vëllanë tim. Pa ju thënë gjë njerëzve të familjes, pas dy ditësh u nisa për Korçë dhe ajo u habit, kur më takoi në një nga rrugët kryesore të qytetit. Pasi i dhashë disa porosi gojarisht për Sabaudinin, i kërkova që kur të kthehej në Itali, t’i thoshte, të më bënte vetëm mua një lajm-thirrje, për të biseduar në telefon. Me këtë gjë, unë doja të sigurohesha, se po të më vinte lajm-thirrja, ishte e vërtetë që atë e kishte dërguar Sabaudini në shtëpinë tonë.

A ju erdhi lajmë thirrja nga Sabaudini?

Pas disa ditësh, mua më erdhi lajm-thirrja nga Italia prej Sabaudinit, në atë adresë që ai na kishte dërguar letrën e parë. Ajo më gëzoi pa masë, por për të folur nuk fola, sepse nuk më lidhi njeri. Kur shkova në Postë-Telegrafë, më thanë të prisja, se nuk punonte linja dhe kur ikëm ne, na thanë se ai kishte dalë më vonë, por ne kishim ikur. Kuptohet se ato ishin lojëra, që punonjësit e Postë-Telegrafës, i bënin sipas porosive që kishin nga njerëzit e Sigurimit.

Po pas kësaj, a mundët të krijonit lidhje me Sabaudinin?

Pasi nuk arritëm të komunikonim dot me telefon me Sabudinin, sipas lajmë thirrjes që ai na kishte bërë, unë vendosa dhe i shkruaja atij letrën e parë sipas adresës që na kishte ardhur.

Çfarë i shkruat në atë letër dhe a morët përgjigje prej tij?

Duke e ditur se korrespodenca me jashtë, ishte nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, unë përdora një metodë, në mënyrë që letrat të mos bllokoheshin prej tyre. Kështu, në fillim të letrës së parë që i dërgova, i shkruaja shumë ashpër, duke i thënë: “Sabaudin, kthehu në Shqipëri, sepse ti nuk ke çfarë bën në atë vend. Habitem, se si të mbajnë akoma italianët, kur ti e ke pritur dhe i ke luftuar kundër tyre. Të kesh besim, se kur të kthehesh, Partia dhe shoku Enver, do të gjykojnë drejt dhe do ta falin gabimin e bërë”. Pas kësaj, i shkruaja për njerëzit e shtëpisë, duke i thënë se ata ishin shumë mirë dhe mezi e prisnin kthimin e tij në Shqipëri. Por Sabaudini e dinte se ato fjalë, unë nuk i kisha nga zemra, sepse mendimin tim, ia kisha përcjellë gojarisht me anë të asaj gruas korçare, që na dërgoi ai nga Italia. Kjo metodë që përdora unë në letrat që i dërgoja, rezultoi me sukses, sepse pas letrës së pare, ai më ktheu menjëherë përgjigje.

Domethënë kishit krijuar besim te zonja nga Korça?!

Jo se kisha besim por ishte dashuria për vëllanë dhe e dyta, se më mbante shpresa se edhe po të më denonconte te Sigurimi i Shtetit, unë do t’ja mohoja dhe ajo nuk kishte asnjë dëshmitarë, pasi siç thashë më lart atë e takova në një nga rrugët e qytetit të Korçës, pa e lajmëruar më parë.

Sa letra keni shkëmbyer me Sabaudinin dhe përveç jush, vëllezërit e tjerë a i shkruanin atij?

Unë kam marrë nga Sabaudini rreth 20 letra, të cilat i ruajtur deri vonë, në shtatorin e vitit 1982, (kur ndodhi ngjarja në Rrogozhinë që u vra Sabaudini), kur më sekuestruan shtëpinë dhe m’i morën të gjitha. Ndërsa për sa i përket vëllezërve të tjerë, ata nuk patën asnjë lloj korrespodence me Sabaudinin, sepse si Emini, ashtu dhe Naimi, ishin anëtarë Partie dhe me funksione, si drejtorë ndërmarrjesh. Kuptohet se ata nuk mund dhe nuk kishin dëshirë të rrezikonin veten, duke pasur korrespodencë me Sabaudinin.

Po babai, Mahmudi, çfarë qëndrimi mbante ndaj tij?

Mahmudi deri sa ishte gjallë, e kishte ‘gozhdë në zëmër’ mungesën e Sabaudinit, se e kishte pasur krahë në familje dhe në Luftë. Në vitin 1958, ai vdiq i pikëlluar me emrin e Sabaudinit në gojë.

Diku gjatë bisedës, u shprehët se Sabaudini u bë një antikomunist i betuar dhe këtë e ka përforcuar edhe një njeri që erdhi nga Greqia?

Po është e vërtetë dhe nuk është vetëm ai person, por kam dhe fakte të tjera. Aty nga mesi i viteve ’60-të, vëllai ynë, Naimi, që në atë kohë ishte shef-furnizimi, në Kantierin Detar, na solli në shtëpi një njeri, që e kishte zënë nata jashtë dhe nuk kishte gjetur dot hotel në Durrës. Në mos gaboj, mbiemri i tij ishte Lika dhe ai ishte nga fshati Gallatë i Kurbinit. Ai kishte bërë një vrasje për probleme gjakmarrje dhe ishte arratisur nga Shqipëria, duke shkuar në Greqi. Atje e kishin mbajtur në atë kamp, ku ishin dhe Sabaudini me Halit Bajramin, më pas, ai ishte kthyer përsëri në Shqipëri, pas një amnistie që ishte dhënë nga Kuvendi Popullor. Të gjitha këto, ai na i tregoi atë natë në shtëpinë tone, duke na thënë se Sabaudini ishte një antikomunist i betuar dhe atë e njihte i gjithë kampi se njeri të tillë.

Po ndonjë burim tjetër, lidhur me qëndrimin dhe bindjet antikomuniste të Sabaudinit,  kishit…?

Lidhur me bindjet dhe qëndrimin antikomunist të Sabaudinit, ka dëshmuar dhe z. Avdul Banushi, pasi ata të dy, kanë hedhur bombat në ambasadën shqiptare në Romë.

Për këtë ngjarje, pra hedhjen e bombave në ambasadat shqiptare të Romës e Parisit, a keni pasur ju dijeni para intervistës së zotit Banushi?

Po kam pasur, atë gjë unë personalisht e kam mësuar dy tre muaj më pas, kur…! Memorie.al