MENU
klinika

Duart e lyera me gjak

Si Wikileaks tregoi sekretet e luftës në Afganistan

04.09.2021 - 18:55

Në “Afghan War Logs” të zbuluara nga organizata e Julian Assange një copëz e vërtete e paprecedentë lidhur me konfliktin afganas.

[…] Më 25 korrik 2010 Wikileaks botoi «Afghan War Logs», që e tërbuan fare Pentagonin. Në dosje ndodheshin 76910 raporte sekrete lidhur me luftën në Afganistan të hartuara nga ushtarët amerikan në terren midis janarit 2004 dhe dhjetorit 2009. Hapnin një dritare të paprecedent në këtë konflikt të largët e të injoruar. […] Pak muaj përpara botimit të këtyre dokumentave, organizata e Julian Assange kishte botuar një memo të rezervuar të CIA, të datuar 11 mars 2010. Nuk kishte shkaktuar shumë bujë, megjithatë ishte e rëndësishme sepse shpjegonte strategjitë për t’u përdorur në shmangien e rrezikut që opinioni publik francez dhe gjerman të revoltohej kundër luftës, duke kërkuar tërheqjen e ushtarakëve të tyre. Në këtë periudhë të dy vendet europiane kishin kontigjentet më të mëdha në Afganistan, pas atyre të Shteteve të Bashkuara dhe Anglisë: një tërheqje e trupave të tyre do kishte qenë pak të thuhej problematike për Pentagonin. Një prej faktorëve që CIA i besonte më shumë ishte pikërisht indiferenca që kjo luftë gjeneronte në opinionin publik perëndimor: për të flitej shumë rrallë nëpër gazeta dhe akoma më pak shihej në televizion, kështu që masakra dhe mizori nuk gjeneronin kurrfarë reagimi në opinionin publik perëndimor. «Rëndësia e pakët e misionit në Afganistan», shkruante faktikisht CIA në dokumentin e zbuluar nga Wikileaks «i ka mundësuar liderëve të Francës e të Gjermanisë ta injoronin kundërshtimin e njerëzve dhe të vazhdonin ta rrisnin në mënyrë konstante numrin e trupave të tyre në misionin ISAF».

Megjithatë, dosja këshillonte që të mos shpresohej vetëm tek apatia, por të përgatiteshin edhe strategji të mundshme bindjeje në rast se humori i opinionit publik ndryshonte. Argumentat propagandistikë për t’u përdorur me qytetarët francezë qenë rikthimi i mundshëm i talibanëve në pushtet edhe efektet që kjo e fundit do të kishte ndaj jetës së grave afganase: «Perspektiva që talibanët ta kthejnë prapa vendin, pas përparimeve të arritura me vështirësi në temën e arsimimit të femrës, mund të shkaktojë indinjatë dhe të bëhet arësye proteste për një opinion publik përgjithësisht laik si ai francez». Ndërsa për gjermanët karta që duhej luajtur ishte ajo e refugjatëve: «Mesazhe që ilustrojnë sesi një humbje në Afganistan mund të rrisë rrezikun që Gjermania të ekspozohet ndaj terrorizmit, trafikut të drogës dhe ardhjes së refugjatëve mund të ndihmojnë për ta bërë luftën më të rëndësishme për këdo që është skeptik ndaj saj». Për sa i rëndësishëm, ky dokument nuk ka pasur një impakt të madh, por kur më 25 korrik 2010 Wikileaks zbuloi “Afghan War Logs”, dokumentat u shpërndanë në të gjithë botën dhe reagimi i Pentagonit qe shumë i ashpër.

Një dritare e jashtëzakonshme për konfliktin

76910 dokumentat sekrete e përshkruanin luftën siç nuk kishte qenë e mundur kurrë më parë. Bëhej fjalë për raporte të shkurtëra të hartuara nga ushtarë amerikanë që luftonin në terren. Përmbanin informacione faktike, përfshi koordinata gjeografike të vendeve ku qenë zhvilluar luftime, incidente dhe masakra të civilëve, gjithçka e përshkruar me datë dhe orën e saktë dhe në një zhargon të prerë ushtarak. Dosjet përmbanin në kohë reale ngjarjet domethënëse (SigActs, significant activities) nga janari i 2004 deri në dhjetorin e 2009, domethënë në vitet që shkonin nga mandati i dytë presidencial i George W. Bush deri në vitin e parë e administratës të Barack Obama. Çdo njësi dhe avampost i pranishëm në teatrin e luftës duhej të raportohej në mënyrë jashtëzakonisht sintetike lidhur me: sulme të pësuara, përleshje, të vdekur, të plagosur, të rrëmbyer, robër, mesazhe alarme dhe informacione lidhur me Improvised Explosive Devices (IED), minat e improvizuara e vendosura përgjatë rrugëve dhe të shkrepura në distancë që shkaktonin masakra civilësh dhe ushtarësh. Secili prej raporteve ishte si një i atypëratyshëm që fiksonte në një moment të caktuar dhe në një pikë gjeografike të caktuar konfliktin në Afganistan. Duke i vënë bashkë të gjitha të atypëratyshmet, ushtarë dhe inteligjencë mund të kishin një vizion të plotë të luftës, ashtu siç zhvillohej në terren aksion pas aksioni, në mënyrë që të bëheshin plane operative dhe analiza inteligjence. Raportet qenë të hartuara nga ushtarë të ushtrisë amerikane, US Army, kështu që qenë rrëfimi i konfliktit nga ana e tyre. Nuk përmbanin informacione ngjarjesh top secret, pasi bëhej fjalë për dokumenta të klasifikuara në nivelin secret.

Dokumentat mundësonin të shfaqeshin për herë të parë qindrat e viktimave civile të pallogaritura asnjëherë në parë: e përditshmja angleze «The Guardian» kishte numëruar të paktën 195 të vdekur e 174 të plagosur, por kishte nënvizuar se e dhëna sigurisht që ishte e nënvlerësuar. Dosjet hidhnin edhe një vështrim mbi luftën sekrete që bëhej me njësitë speciale të panjohura deri më atëhere, si Task Force 373, dhe me dronët, avionët pa pilot, që të komanduara nga ushtarët amerikanë që ndodheshin në një bazë në Nevada, vrisnin në vende të largëta si Afganistani. Task Force 373 ishte një njësi elitare që merrte urdhëra direkt nga Pentagoni dhe kishte si mision atë të kapjes apo vrasjes së luftëtarëve të nivelit të lartë të al Qaeda dhe të talibanëve. Vendimi se kush të kapej e kush të vritej në mënyrë ekstraligjore, domethënë pas asnjë proces gjyqësor, dukej krejtësisht e besuar kësaj task force.

Vlera e “Afghan War Logs” të zbuluara nga Wikileaks qëndronte pikërisht në nxjerrjen e fakteve që makina propagandistike e Pentagonit fshihte dhe operacionet e errëta e Task Force 373 qenë një prej shembujve. Brutaliteti me të cilin këto forca speciale vepronin natën kishte çuar në vrasjen e forcave afganase aleate, grave dhe fëmijëve. Ky lloj sulmi kontribuonte në krijimin e një mërie të fortë në popullsitë vendase kundër trupave amerikane dhe të koalicionit. Por në deklarimet zyrtarëve e ushtarakëve emri i Task Force 373 nuk shfaqej kurrë dhe, siç e paraqiste «The Guardian», fshiheshin informacione për të mbuluar gabime dhe masakra të pafajshmish. Për shembull, gjatë njërit prej operacioneve të tyre ushtarët e Task Force 373 kishin vrarë 7 fëmijë. Lajmi i vdekjes së tyre ishte dhënë në një komunikatë për shtyp të koalicionit, por pa e shpjeguar kontekstin në të cilin kishte ndodhur. Askush nuk kishte treguar se shpesh këto forca speciale nuk e kishin praktikisht aspak idenë se kë po vrisnin, si në këtë rast: kishin gjuajtur 5 predha mbi një medrese, të bindur se po godisnin Abu Laith al-Libi, liderin e al Qaeda. Kurse në një rast tjetër kishin asgjësuar 7 policë afganas dhe kishin plagosur 4 të tillë, të bindur se po godisnin njerëzit e një komandanti taliban.

Por dosjet nuk zbulonin vetëm masakrat e kryera nga tripat amerikane, por edhe nga talibanët, sidomos ato të shkaktuara nga sulmet e tyre mizore me IED. Sipas të dhënave të përcjella nga «The Guardian», nga 2004 deri më 2009 databaza e “Afghan War Logs” mundësonteqë të rindlrothej sesi IED kishin shkaktuar mbi 200 viktima civile dhe si 2009 kishte qenë një vit jashtëzakonisht i tmerrshëm, me 100 sulme në rreth 3 ditë. E përditshmja londineze evidentonte sesi IED ishte arma e preferuar nga talibanët, ajo me të cilën kërkonin të kundërshtonin superioritetin dërrmues teknologjik e trupave perëndimore. Intensifikimi i sulmeve ndaj trupave amerikane dhe të koalicionit ndërkombëtar ishte i regjistruar në dosje duke filluar nga fundi i 2005. Duke rrëmuar në dokumentacion, e përjavshmja gjermane «Der Spiegel» kishte rindërtuar se ky eskalim i detyrohej faktit se talibanët dhe zotërinjtë e luftës, si famëkeqi Gulbuddin Hekmatyar, kërcënoin ose edhe paguanin shuma të konsiderueshme, që mund të arrinin deri në 10000 dollarë, me qëllim që guerrilja lokale të kryente aksione kundër ushtarëve.

Dosjet zbulonin edhe një informacion tjetër kurrë të shfaqur publikisht më parë: nga kërkimet e «New York Times» në databazë rezultonte se talibanët kishin siguruar raketa tokë – ajër të transportueshëm dhe me kërkim nxehtësie krejtësisht të ngjashme me ato Stinger që 25 vite më parë CIA ju kishte dhënë muxhahedinëve: e njëjta tipologji armësh me të cilën guerrilasit afganas u kishin shkaktuar humbje të rënda sovjetikëve, duke i detyruar të tërhiqen, kishte përfunduar në duart e armiqve të amerikanëve në Afganistan. Për sa u përket dronëve, shpesh të paraqitur si armë e pagabueshme me rrezik zero – duke parë se tamam si në një videolojë pilotoheshin nga ushtarë që vepronin në siguri të plotë nga një bazë në Shtetet e Bashkuara – jo gjithmonë qenë kaq të pagabueshëm. Faktikisht dosjet dokumentonin situata, të rindërtuara nga e përjavshmja «Der Spiegel», ku trupat qenë detyruar të bënin operacione të rrezikshme rikuperimi, pasi mjetet pa pilot qenë rrëzuar dhe informacionet sekrete e ndodhura në kompjuterët e tyre mund të përfundonin në duart e armikut. Në fakt, jo gjithmonë ishte e mundur të fshiheshin nga larg të dhënat e çarnishme në sistemet informatike e dronëve dhe, kur operacioni dështonte, ushtarët në terren në Afganistan duhej të ndërmerrnin misione të rrezikshme.

Deri në ditët e sotme “Afghan War Logs” mbesin burimi i vetëm publik që mundëson të rindërtohen sulme, të vdekur, vrasje ekstragjyqësore të ndodhura në Afganistan midis 2004 e 2009, po të kihet parasysh fshehtësia e këtyre operacioneve ushtarake. Janë edhe një prej burimeve shumë të pakta në dispozicion për të kërkuar të gjendet numri i civilëve të vrarë përpara 2007, për të cilin askush nuk duket të ketë të dhëna të besueshme, as UNAMA, misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan, që i harton këto statistika. Momentalisht askush nuk e di se çfarë lloj e ardhmjeje e pret Afganistanin, veçanërisht për sa u përket grave, në rastin e kthimit në pushtet të talibanëve, edhe pse ndërkohë në vend ka ardhur edhe ISIS. Siguria e vetme është se nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme sesa civilë janë vrarë nga tetori i 2001 deri më 2006, ndërsa dihet që vetëm në periudhën nga 2009 në 2019 kanë vrarë të paktën 35518 civilë dhe janë plagosur 66546 të tillë. Kjo do të thotë mbi 3000 të vdekur të pafajshëm në vit: është sikur nga janari i 2009 në dhjetorin e 2019 në Afganistan të kishte pasur përvit nga një 11 shtator, e megjithatë kjo luftë ka mbetur gjithmonë në ekrani i radarit të opinionit publik perëndimor. Dhe pa kurajon e Chelsea Manning e të Wikileaks, sekreti shtetëror dhe makina e propagandës së luftës nuk do të jepnin kurrë lejen për dhënien e informacioneve faktike që janë zbuluar falë “Afghan War Logs”. Bill Keller, drejtori i atëhershëm i «New York Times», i ka quajtur «një dritare e jashtëzakonshme mbi këtë luftë».

Menjëherë pas botimit të tyre, e përjavshmja gjermane «Der Spiegel» ka intervistuar Julian Assange, duke e pyetur: «Ju do të kishit mundur të krijonit një kompani në Silicon Valley dhe të jetonit në Palo Alto në një shtëpi me pishinë. Pse vendosët t’i përkushtoheshit krijimit të Wikileaks?». Assange është përgjigjur: «Jetohet një herë dhe kështu që kemi detyrimin ta përdorim sa më mirë kohën në dispozicion dhe për të kryer diçka domethlnëse dhe të kënaqshme. Kjo është diçka që e konsideroj të dyja. Është natyra ime: më pëlqen të krijoj sisteme në shkallë të gjerë, më pëlqen të ndihmoj njerëz në nevojë dhe më pëlqen të shyqej bastardët. Pra është një punë që më bën të ndjehem mirë». Por Pentagoni nuk e shikonte njëlloj dhe reagoi me egërsi ndaj zbulimit të “Afghan War Logs”. Robert Gates, kreu i atëhershëm i Pentagonit, premtoi menjëherë «një investigim agresiv», ndërsa admirali Mike Mullen ka deklaruar menjëherë: «Assange mund të thotë çfarë të dojë për të mirën që ai dhe burimi i tij besojnë se po bëjnë, por e vërteta është se mund t’i kenë tashmë duart e lyera me gjakun e ndonjë ushtari të ri apo të ndonjë familjeje afganase». Një akuzë kjo që do të përsëritej në mënyrë akritike nga mediat për mbi një dekadë, duke e dëmtuar seriozisht Wikileaks. Por a ishte e vërtetë?

Duart e lyera me gjak

Helmi që Pentagoni kishte injektuar në debatin publik për WikiLeaks nuk vonoi t’i japë frutet e tij. Pak ditë pas botimit të dokumentave sekrete për luftën në Afganistan, ideja që Julian Assange dhe organizata e tij qenë të papërgjegjshëm të rrezikshëm nisi të qarkullojë në opinionin publik dhe në redaksitë e gazetave. Fjalët e admiralit Mike Mullen për «duar të lyera me gjak», sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjesn, i referoheshin faktit se përhapja e 76910 dokumentave sekrete i ekspozonte trupat amerikane, ato të koalicionit ndërkombëtar dhe bashkëpunëtorët afganas – që u jepnin informacione dhe asistencë në terren – ndaj rrezikut të atentateve nga ana e talibanëve, pasi disa prej këtyre dookumentave përmbanin emra apo detaje që mundësonin të identifikoheshin. Ishte e qartë se Pentagoni kishte një interes shumë të madh në delegjitimimin e Wikileaks për shkak të botimit të dosjeve dhe të precedentëve të tjerë, si videoja Collateral Murder. “Afghan War Logs” përbënte një minierë informacioni në kuptimin e vërtetë të fjalës: shtypi dhe opinioni publik botëror mund të krahasonin deklaratat e liderëve të ndryshëm ushtarakë dhe të qeverive, që kishin dërguar trupa në Afganistan, me të dhënat e ndodhura në dosje dhe të zbulonin gënjeshtrat zyrtare, fshirjet dhe manipulimet.

Këto dokumenta mundësonin për herë të parë daravitjen e mjegullës së luftës, ndërsa konflikti në Afganistan ishte në zhvillim dhe jo 20 apo 30 vite më pas, kur tashmë faktet mund t’u interesonin vetëm historianëve profesionistë. Ishte nga viti 1971, kur Daniel Ellsberg nxori Pentagon Papers – 7000 dokumenta top secret për Vietnamin që opinioni publik nuk kishte pasur më mundësinë të aksesonte në mijëra informacione të rezervuara për një luftë teksa ishte në zhvillim. Përballë deklarimit të admiralit Mike Mullen ishte e detyrueshme një dozë e konsiderueshme skepticizmi të shëndoshë, pasi ishte e natyrshme që Pentagoni të ishte i tërbuar me Assange. Megjithatë ato fjalë gjetën vend shpejt tek opinioni publik dhe në media. Wikileaks nuk i kishte botuar i vetëm zbulimet lidhur me Afganistanin, kishte vendosur një bashkëpunim me tre gazeta të mëdha ndërkombëtare: «New York Times», «The Guardian» dhe «Der Spiegel». Siç ishte bërë tashmë me mua në rastin e e fajlave audio lidhur me krizën e mbetjeve urbane në Napoli, Assange dhe stafi i tij kishin zgjedhur të bashkëpunonin me gazetarët e këtyre tre redaksive të mëdha për shumë javë, gjatë të cilave gazetarët kanë pasur akses ekskluziv në dokumentat sekrete në mënyrë që t’u vërtetonin autenticitetin dhe të hetonin lidhur me zbulimet më të rëndësishme që dilnin.

Me mbarimin e kësaj pune, «New York Times», «The Guardian» dhe «Der Spiegel» i kanë botuar investigimet e tyre të bazuara mbi “Afghan War Logs” dhe Wikileaks i kishte bërë publike në uebfaqen e tij të 76910 dosjet në mënyrë që pas një periudhe aksesi të garantuar vetëm këtyre tre mediave kushdo të mund t’i lexonte. Assange dhe stafi i tij e quanin këtë lloj bashkëpunimi media partnership dhe strategjia kishte funksionuar: e gjithë bota i kishte ndjekur këto zbulime, që kanë pasur një impakt të madh ndërkombëtar dhe qenë përcjellë nga televizione dhe media në çdo cep të planetit. Tashmë Wikileaks ishte një fenomen global. Dy gjëra më godisnin në veçanti nga kjo organizatë: parasëgjithash zgjedhja për ta demokratizuar aksesin në dije dhe në informacione, duke i botuar dokumentat për të gjithë, me qëllim që çdo qytetar, gazetar, studiues, politikan apo aktivist i botës të mund t’i lexonte, të bënte kërkime të shënjestruara dhe të investigonte në mënyrë krejtësisht të pavarur lidhur me luftën në Afganistan, pa ju dashur t’i besonin ekskluzivisht asaj që kishin shkruar gazetat.

E gjeja këtë zgjedhje revolucionare, pasi i mundësonte çdo lexuesi të kishte akses në burimet parësore të informacioneve të botuara nga mediat, të kërkonte faktet për të cilat ishte më i interesuar, t’i përdorte dokumentat për të kërkuar drejtësi në gjykatë dhe të verifikonte sesi gazetarët i kishin përcjellë në artikujt e tyre: i kishin përcjellë besnikërisht apo i kishin deformuar, ekzagjeruar apo censuruar? Ky proces demokratizimi u jepte pushtet lexuesve të thjeshtë: nuk qenë vetëm marrë pasivë të asaj që përcillnin gazetat, televizionet dhe radiot, por për herë të parë kishin akses në burimet parësore dhe kjo e zvogëlonte asimetrinë midis kujt e kishte privilegj, si reporterët, dhe kujt jo. Përtej demokratizimit të informacionit, më godiste edhe një herë akoma kurajoja e Julian Assange dhe e të gjithë gazetarëve të Wikileaks. Faktikisht Pentagoni nuk ishte kufizuar t’i akuzonte se i kishin «duart e lyer me gjak», por edhe pse i kishte ftuar ata t’i hiqnin krejtësisht “Afghan War Logs” nga uebfaqja dhe t’i dorëzonin 15000 dosjet për luftën në Afganistan që nuk i patën bërë ende publike. «Zgjidhja e vetme e pranueshme», kishte deklaruar Geoff Morrell, zëdhënësi i Pentagonit, «është që Wikileaks t’i dorëzojë menjëherë të gjitha versionet e atyre dokumentave qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe t’i largojë njëherë e përgjithmonë të gjitha dosjet nga uebsajti dhe nga kompjuterët e tij». Më pas ka shtuar: «Nëse bën gjënë e duhur për ata të Wikileaks nuk është mirë, atëhere do të shohim se çfarë alternativash kemi për t’i detyruar të bëjnë gjënë e duhur».

Ishte një frikësim për të mos u nënvlerësuar: me luftën kundër terrorizmit, Shtetet e Bashkuara kishin demonstruar se nuk do të ndaleshin përpara asgjëje dhe se do të përdornin çdo lloj mjeti legal apo ilegal, nga tortura deri tek vrasja me dron, kundër kujt e perceptonin si kërcënim ndaj sigurisë së tyre. Njëkohësisht ishte për t’u përjashtuar se do të përdornin mjete kaq pafytyrshmërisht brutalë për të neutralizuar Assange dhe Wikileaks, që ishte një organizatë gazetarie e botës perëndimore dhe tashmë mjaft e dukshme. Dokumenti i vitit 2008 i kundërspiunazhit amerikan, Army Counterintelligence Center (ACIC) – që vetë Wikileaks vetë e kishte zbuluar – kishte nxjerrë në pah sesi autoritetet amerikane synonin që t’i neutralizonin, duke goditur burimet që i kalonin atyre dokumenta sekrete më shumë sesa t’i godisnin drejtpërsëdrejti. Gjuthësesi, këtë kërcënime duheshin marrë shumë seriozisht: i tingëllonin groteske kujtdo që kishte një ide për disproporcionin midis fuqisë e resurseve të Pentagonit dhe atyre të njrë organizate të vogël si Wikileaks. Pentagoni do të mund ta shtypte si mizë në çdo moment. Ama Assange dhe stafi i tij nuk ju gjunjëzuan këtij frikësimi dhe poër këtë do të paguanin një çmim shumë të lartë