MENU
klinika

Nga Richard McManamon

Strategjia dhe politika e jashtme amerikane në Ballkan

25.09.2021 - 14:36

Nga Richard McManamon, Small Wars Journal

Zgjedhja e një presidenti të ri në SHBA, pasohet zakonisht me një strategji e re në politikën së jashtme. Ndërsa Amerika po vazhdon të menaxhojë evakuimin e forcave dhe aleatëve të fundit nga Afganistani, dhe po monitoron situatën e paqëndrueshme midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe po vëzhgon me kujdes retorikën agresive të Koresë së Veriut, ajo nuk duhet qëta humbasë kurrsesi fokusin ndaj Rusisë dhe Kinës.

Në një kohë kur të dyja këto vende po vazhdojnë që ta zgjerojnë praninë e tyre në Evropën Lindore, po bëhet gjithnjë e më qartë se SHBA-ja duhet që të ketë një strategji të fokusuar brenda Ballkanit. Grumbullimi i fundit i forcave ruse përgjatë kufirit ukrainas në prillin e këtij viti, përforcoi idenë se Rusia do të vazhdojë ta destabilizojë rajonin.

Ndërkohë,nisma kineze e Brezit dhe Rrugës (BRI), po gjen zbatim të gjerë në Evropën Lindore, dhe sidomos në vendet e Ballkanit. Praktikat e rrezikshme të Kinës në aspektin e huadhënies dhe projektet e saj në infrastrukturë, mund t’i vënë në rrezik të shtuar vendet e Ballkanit, dhe t’i sigurojnë Kinës një “derë të pasme” për të hyrë në Evropë.

SHBA-ja përfiton nga një BE dhe NATO e fortë, si dhe nga një stabilitet i qëndrueshëm në mbarë Evropën. Mbështetja për aleatët evropianë, përbën një nxitje e fortë për përfshirjen e SHBA-së në rajon, pasi Uashingtoni mund të përfitojë nga rritja e stabilitetit dhe e partnerëve më të fortë tregtarë.

Kjo u theksua edhe me nënshkrimin nga presidenti Joe Biden i një urdhri ekzekutiv më 8 qershor 2021, që shtoi sanksionet dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe promovuar llogaridhënien brenda Ballkanit dhe ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Së fundmi, Ballkani paraqet një sfidë unike për aleatët perëndimorë pasi aty shfaqet njëkohësisht edhe konkurrenca globale nga Rusia dhe Kina, dhe kjo do të kërkojë një qasje gjithëpërfshirëse për të kundërshtuar zgjerimin e tyre në rajon.

Sot shumë vende ballkanike i janë bashkuar NATO-s ose BE-së, duke u pozicionuar në një mentalitet gjithnjë e më të prirur drejt Perëndimit. Bosnja dhe Serbia paraqesin mundësinë më domethënëse për konkurrencën globale nga ana e Kinës dhe Rusisë. Dhe më e rëndësishmja:ato paraqesin kërcënimin më të madh për stabilitetin në rajon.

Kosova është një vend unik,i cili e shpalli pavarësinë e tij nga Serbia më 17 shkurt 2008, dhe që është njohur nga SHBA-ja, dhe shumë vende evropiane si dhe vende të tjera në mbarë botën. Por si Kina ashtu edhe Rusia nuk e njohin Kosovën dhe e kufizojnë përfshirjen e tyre në këtë vend si në rrafshin ekonomik po ashtu edhe atë diplomatik.

Ky refuzim i afron këto dy vende më shumë me Serbinë, por potencialisht e kufizon ndikimin e tyre në rajone të tjera të Ballkanit, gjë që mund të shfrytëzohet nga SHBA-ja. Me anëtarësimin në NATO dhe BE, për vendet ballkanike do të ketë një nivel shumë më të lartë mbështetjeje nga vendet e Evropës Perëndimore, çka mund të jetë thelbësore për rritjen e stabilitetit në rajon.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës, kanë qenë një shqetësim në rritje, në një kohë që vazhdon të intensifikohet konkurrenca globale. Anëtarësimi në NATO dhe BE nuk janë tregues përfundimtarë të mungesës së korrupsionit, por ky proces mundëson një përafrim më të mirë të ideologjisë dhe standardeve perëndimore drejt rritjes së transparencës.

Për më tepër, qeveritë e korruptuara të Ballkanit, ka të ngjarë t’i ofrojnë mundësi Rusisë që të përfitojë duke i përafruar zyrtarët e qeverive ballkanike me pikëpamjet e Rusisë dhe zgjerimin e mëtejshëm të Rusisë. Ndërsa Moska është përpjekur të mbajë një marrëdhënie të ngushtë me Beogradin, Uashingtonin ka vazhduar të jetë partner i këtij të fundit.

Që nga viti 2001, SHBA ka dhënë gati 1 miliardë dollarë për këtë vend, duke u fokusuar në qeverisjen e mirë, rritjen ekonomike dhe forcimin e infrastrukturës së vendit. Gjithsesi, Rusia ka treguar vitet e fundit se nuk ka frikë të ndjekë një qasje agresive në të gjithë Evropën, sidomos kur beson se veprime të tilla janë në interesin e saj më të mirë.

Aneksimi i Krimesë dhe konflikti Gjeorgji-Rusi, ilustrojnë më së miri përpjekjet destabilizuese të Rusisë brenda rajonit. Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin po vazhdon të forcojë pozitat e tij si udhëheqësi i përjetshëm i Rusisë, mund të argumentohet se qasja e vendit të tij ndaj Evropës Lindore nuk ka gjasa që të zbutet, madje mund të pritet që ajo të bëhet gjithnjë e më luftarake.

Rusia është e pozicionuar në mënyrë unike për të përfituar nga Ballkani, veçanërisht përmes Serbisë dhe pjesëve të Bosnjes, siç është Republika Srpska. Një NATO dhe BE e dobët, janë në avantazhin e Rusisë.

Rusia po ndjek në vetvete një strategji gjithëpërfshirëse, që përpiqet të pengojë çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në rajon. Por nga ana tjetër Moska mund të përfitojë nga stabiliteti që mund të sjellë ky zgjerim. Nga ana tjetër,Kina i është afruar Ballkanit kryesisht përmes investimeve të BRI-së.

Shumë nga vendet e rajonit kanë shfrytëzuar mundësinë për të marrë hua me norma relativisht më të ulëta në krahasim me BE-në. Siç po shihet në nivel global, Kina ka zbatuar në mënyrë agresive shumë projekte infrastrukturore, dhe Ballkani nuk përbën ndonjë diferencë.

Kina i ka dhënë hua Maqedonisë së Veriut për disa termocentrale të reja, ka ndërtuar një termocentral qymyrguri në Bosnjë, një autostradë në Maline Zi, dhe ka zbatuar projekte të ndryshme në Serbi. Kreditë e BE-së ndaj vendeve ballkanike, kanë tendencën të vijnë me kushte specifike të lidhura me rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit, gjë që e ul ndjeshëm interesin ndaj tyre në krahasim me huatë kineze.

Mbështetja si nga vendet e NATO-s po ashtu edhe ato jashtë aleancës tek huatë kineze, ka potencialin të përdoret ndaj aleatëve perëndimorë. Për shkak të teknikave të huadhënies së Kinës gjatë dekadës së fundit, është shfaqur koncepti i diplomacisë së “kurthit të borxheve”. Pra,Kina u jep hua të tepërta vendeve të rajonit me norma të larta interesi. Dhe vjen një pikë ku qeveria është shumë në borxh ndaj Kinës, dhe ka shumë pak shanse për ta shlyer huanë e marrë, duke i hapur rrugën një ndikimi të madh politik të Kinës në atë vend.

Që të mbetet konkurruese brenda garës gjeopolitike globale, SHBA duhet të ketë një politikë të jashtme gjithëpërfshirëse, për të adresuar sfidat brenda Ballkanit dhe Evropës në përgjithësi. Taktikat agresive si nga Kina po ashtu edhe nga Rusia, nuk duhet të kundërshtohen vetëm nga SHBA.

Duhet një përpjekje e konsoliduar e vendeve të ndryshme perëndimore, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe. Një strategji e specifike e politikës së jashtme për Ballkanin, është gjithnjë e më jetike për SHBA-në, në mënyrë që ajo të ketë mundësi të maksimizojë ndikimin e saj.

Një strategji e re në Ballkan ka potencialin të maksimizojë burimet amerikane në Evropë, duke e lejuar SHBA-në që të ndajë asetet e saj në prioritetet e tjera në të gjithë globin. Për më tepër, BE-ja do të ketë gjithmonë një lidhje më të fortë me vendet e Ballkanit.

Kjo nënvizon nevojën që SHBA të koordinohet me BE-në për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm, gjë që duhet të jetë synimi përfundimtar brenda Ballkanit.

*Marrë me shkurtime