MENU
klinika

Kryesia e PS, Balluku dhe Bushati më të votuarit!

TABELA/ Kush do jetë në kupolën e re

03.09.2021 - 10:36

Asambleja kombëtare e PS-së zgjodhi dje me votim të fshehtë 12 anëtarët e rinj të Kryesisë së re. Belinda Balluku me 207 vota nga lista e grave dhe Ditmir Bushati me 204 vota nga lista e burrave janë më të votuarit nga asambleja.

I lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë më 25 prill, Bushati merr votëbesimin e asamblesë kombëtare për të vazhduar punën e partisë si anëtar kryesie.

Kryesocialisti Rama u shpreh pas bërjes publike të listës së kandidatëve për deputetë, se Ditmir Bushati “zbriti nga treni” dhe se “nuk e punoi tokën”.

“Ndërsa Ditmir Bushati ditën e parë që u ndryshua si drejtues i Shkodrës ka zbritur nga treni, nuk është shfaqur në asnjë aktivitet. Unë s’kam asgjë me Ditmir Bushatin, ai thotë të vetat, unë them të miat.

Ai duhej të kishte punuar tokën e të ishte si shokët e vet. Kështu që nuk është personale. Kush është lart duhet të rrijë poshtë çdo ditë, nuk e mas unë një lojtar të PS-së që është pjesë e lidershipit të PS-së. Prandaj Bushati nuk është në skuadër.

Shpresoj ta kapë treni prapë, në tren të hipën partia, por nëse rri apo zbret, e vendos vetë”, është shprehur Rama për ish-ministrin e tij të Jashtëm pas përplasjeve të forta në qarkun e Shkodrës.

“Kam përshtypjen që në fjalën e tij kryetari i PS-së e theksoi që ka vend për përmirësimin e debatit politik dhe përmirësimi i hapësirës së debatit politik jam i bindur që do të fillojë nga PS”, u shpreh Bushati dje gjatë pushimit në asamblenë kombëtare të PS-së.

Vangjush Dako, i cili është shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit, nuk u propozua nga Edi Rama për në Kryesinë e re të PS-së.

XHAFAJ

E ndërsa Bushati rimerr besimin politik brenda Asamblesë Kombëtare, deputeti Fatmir Xhafaj, i cili theu herësin duke u bërë pjesë e listës fituese me 11 mijë vota më 25 prill, nuk arriti të merrte votat e asamblesë kombëtare për të qenë në Kryesinë e PS.

Është hera e parë që Fatmir Xhafaj nuk është më pjesë e Kryesisë së PS-së, nga e cila nuk ishte ndarë që nga viti 2003. Xhafaj mori 137 vota në asamblenë kombëtare, ku bashkë me Pjerin Ndreun, Ervin Demon, Eduard Shalsin mbetën jashtë kryesisë së PS-së. Asambleja e Partisë Socialiste votoi për 12 anëtarët e kryesisë, 6 gra dhe 6 burra.

Në garë kanë qenë 20 kandidatë, por vetëm 12 kanë mundur të marrin besimin e socialistëve. Të gjithë emrat u propozuan nga kryetari i Partisë, por nuk pati asnjë propozim alternativ nga anëtarët e asamblesë, siç edhe përcaktohet në statutin e partisë.

Nga 10 gratë kandidate u zgjodhën Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Blerina Gjylameti, Evis Kushi, Olta Xhaçka dhe Mimi Kodheli. Ndërkohë, kandidatet që nuk fitojnë garën për Kryesinë e PS janë Ermonela Felaj, Milva Ekonomi, Klotilda Ferhati dhe Almira Xhembulla.

Ndërsa nga radhët e burrave fitues janë: Ditmir Bushati, i cili është edhe më i votuari, Arben Pëllumbi, Pandeli Majko, Armando Subashi, Erjon Braçe dhe Ilir Beqja. Kryeministri Rama propozoi Lindita Nikollën si Kryetare të Kuvendit të Shqipërisë.

SEKRETARIATI

Kryeministri Rama riformatoi tërësisht sekretariatin e partisë, ndërsa disa nga ish-ministrat morën detyra të larta partie. Postin e Sekretarit të Përgjithshëm ia besoi Damian Gjiknurit.

Nga ministër i Turizmit, Blendi Klosi rikthehet sërish sekretar organizativ në PS. Merakun e Edi Ramës për dixhitalizimin e PS-së duhet ta përmbushë Etien Xhafaj. Dy ministret e kabinetit Rama 2, Etilda Gjonaj dhe Anila Denaj, respektivisht në PS do të drejtojnë forumin e gruas dhe burimet njerëzore.

Zëvendësministres së Punëve te Brendshme Romina Kudo iu besuan marrëdhëniet me jashtë, ndërsa Bojkena Bashës rinia socialiste.

DREJTUESIT NË QARQE

Kryetari i PS-së bëri një përmbysje të drejtuesve të PS-së në qarqe. Rama vendosi Damian Gjiknurin në Elbasan, duke e lëvizur atë nga Vlora, qark që drejtohej që prej 2013-ës nga Taulant Balla.

Arben Ahmetaj do të mbulojë qarkun e Vlorës, ndërsa Ulsi Manja, i cili mori postin e ministrit të Drejtësisë, do të drejtojë punët e partisë në qarkun e Dibrës. Ardian Çela, drejtori i OSHEE-së, do të drejtojë qarkun e Durrësit, ndërsa Elisa Spiropali qarkun e Kukësit.

Bledi Çuçi do të drejtojë qarkun e Beratit, Edona Bilali, Shkodrën, Mirela Kumbaro Gjirokastrën dhe Blendi Klosi Lezhën.

Niko Peleshi mbetet drejtues i qarkut të Korçës. “Partia Socialiste nuk mund të zgjohet vetëm kur vijnë zgjedhjet dhe as nuk mund të mbahet gjallë në periudhën midis zgjedhjeve si një moçal interesash të rretheve të privilegjuara nëpër komunitetet e vendit’, u shpreh Kryeministri Rama dje gjatë fjalës së tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qeveria ‘Rama 3’/ Shkrihet ministria e Pandeli Majkos

Kush janë ministrat që u konfirmuan në detyrë dhe prurjet e reja në kabinet