MENU
klinika

“Ne po vijmë për ju...”

Të burgosurit e liruar nga talebanët nisin “gjuetinë” ndaj grave gjyqtare në Afganistan

04.09.2021 - 19:17

Një gjykatëse afgane përshkruan se si ajo ishte ndjekur nga një grup burrash që kishte burgosur dikur, tani të liruar nga luftëtarët talebanë që morën kontrollin e vendit.

“Katër ose pesë anëtarë talebanë erdhën dhe i pyetën njerëzit në shtëpinë time: ‘Ku është gruaja gjykatëse?’ Këta ishin njerëz që i kisha futur në burg”, tha ajo për Reuters në një intervistë nga një vend sekret në Evropë, duke kërkuar të mos identifikohej.

Afganistani ka rreth 250 gjyqtare gra. Disa ishin në gjendje të iknin javët e fundit, por shumica u lanë prapa dhe ende po përpiqen të dalin jashtë vendit, thanë kolegët dhe aktivistët ndërkombëtarë të cilët kanë krijuar rrjete që punojnë gjatë gjithë kohës për t’i ndihmuar që të arratisen.

Ad by Valueimpression
Militantët, të cilët erdhën në pushtet muajin e kaluar, ndërsa Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat e tyre ua ndalonin punën grave në kohën që ishin në pushtet para vitit 2001.

Në një konferencë shtypi menjëherë pasi morën Kabulin më 15 gusht, një zëdhënës i talebanëve tha se të drejtat e grave do të mbrohen në përputhje me sheriatin. Ato gjithashtu do të lejohen të punojnë në sektorë të rëndësishëm të shoqërisë, tha ai.

Fuqitë perëndimore kanë thënë se janë të gatshme të angazhohen me talebanët, por duan të shohin veprime – jo vetëm premtime – në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Gratë që punojnë në drejtësi kanë qenë objektiva të profilit të lartë më parë. Dy gra gjyqtare të Gjykatës Supreme u qëlluan për vdekje nga persona të armatosur të paidentifikuar në janar. Një zëdhënës i talebanëve tha në atë kohë se grupi nuk ishte i përfshirë.

Tani, talebanët kanë liruar të burgosurit në të gjithë vendin, një pjesë e mirë e të cilëve të dënuar me vendim të gjykatëseve gra. Në liri, ata janë vënë në kërkim të hakmarrjes, për të ndëshkuar gratë që i dënuan.

Përveç gjyqtareve ka rreth një mijë gra të tjera mbrojtëse të të drejtave të njeriut, të cilat gjithashtu mund të jenë nën kërcënimin e talebanëve.

Të burgosurit e liruar raportohet se po “kërcënojnë me vdekje gratë gjyqtare, prokurore, police dhe aktiviste, duke deklaruar se ne po vijmë pas jush”.

Por disa aktiviste të të drejtave të njeriut dhe ligjore të përfshira në përpjekjen për të shpëtuar gratë gjyqtare dhe mbrojtëse të të drejtave thanë se vendet perëndimore nuk e bënë evakuimin e tyre si prioritar në kaosin pas rënies së Kabulit.

“Qeveritë kishin zero interes për të evakuuar njerëzit që nuk ishin shtetas të tyre”, tha Sarah Kay, një avokate e të drejtave të njeriut me bazë në Belfast dhe anëtare e rrjetit të avokatëve ndërkombëtarë Atlas Women.