MENU
klinika

Mesazhi i ipeshkvit

”Të rinjtë janë thesar, po i braktisëm… lëndë shpërthyese”

30.09.2021 - 14:30

       Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka ndarë një mesazh pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Lezhës, dy ditët e fundit. Ai shkruan se të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë janë thesar mirëpo nëse braktisen, nga qeveria, familja, shoqëria kanë rrezik që të kthehen në lëndë shpërthyese.

Mesazhi i plotë:

Rritja e kriminalitetit në vitet e fundit, sidomos ajo e trafikut të lëndëve narkotike, kultivimit të tyre, veçanërisht në zonat e thella të vendit, ka vënë në rrezik shumë ekuilibra socialë dhe ekonomikë. Dy ndër kategoritë që po ndjejnë peshën e madhe të kësaj batërdie janë të rinjtë e familjeve të varfëra dhe me probleme si dhe policët e thjeshtë të terrenit. Ndërsa kategoritë më të paprekura janë kryet e trafikut e të kultivimit dhe mbrojtësit e tyre me pushtet.

Kam pasur raste të flas si me të rinjtë e po ashtu me policët. Janë të dyja kategori në thelb të varfëra që mbijetojnë me logjikën e ushtarit, pavarësisht se njëra palë në anën e antiligjit e tjetra në anën e ligjit. Por ajo çka i bashkon në mbrëmje është varfëria dhe mospasja e një perspektive të qëndrueshme dhe reale. Ngjarja e ndodhur dje në Lezhë, e të tjera që i kemi parë e dëgjuar me bollëk, megjithëse në mes të një kaosi informativ të pashoq, e tregon më së miri këtë përplasje që ndodh në bazë, në basifondet e shoqërisë shqiptare e cila është aq e vogël sa njihemi të gjithë me njëri-tjetrin.

Mungesa e politikave të punësimit, sidomos për të rinjtë, në veçanti të zonave periferike; një sistem arsimor gjithnjë e më problematik, sidomos në këto vitet e fundit që po rëndohet me pandeminë; paqartësia e të ardhmes evropiane të vendit; mungesa e hapësirave dhe nismave për formimin dhe pro-ligjshmërinë nga shoqëria civile si edhe qershia mbi tortë e korrupsionit, janë vetëm disa nga shkaqet që shumë të rinj shkojnë drejt e në duart e krerëve të krimit ose braktisin vendin. E situata nuk po shkon drejt përmirësimit.

Nuk është e lehtë unë e di këtë. Aspak e lehtë. Ne jemi shqiptarë e në historinë tonë kemi shtresa e nënshtresa problematike të akumuluara me dhjetra e qindra vite. Të gdhendësh në granitin e këtyre shtresave rrezikon shumë, ose të mos bësh asgjë, ose ta shkërrmoqësh krejt. E për këtë arsye duhet art, durim, këmbëngulje në një shoqëri të frustruar e plot probleme, por ende plot me energji.

Të rinjtë e të rejat që kemi janë një thesar plot energji, por nëse i braktisim mund të kthehen në lëndë shpërthyese dhe dëmtojnë shoqërinë, përveçse veten e tyre. Ata meritojnë vëmendje. Po ashtu punonjësit tanë të policisë janë njerëz të jetës së përditshme si të gjithë ne, me një mision dhe një detyrë. Nuk është aspak e lehtë as për ta. Prandaj përveçse të kemi besim, duhet t’i mbështesim si shoqëri.

“Distancohem nga çdo bisedë e kolegut tim me Suel Çelën“

I doli emri në dosje, gazetari reagon nga SHBA

"Pacienti nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë..."

Luis Meçja kërkoi ndihmë ekonomike për t’u kuruar! Reagon spitali i Traumës

Si e mbajti nën vëzhgim shënjestrën për 2 vite

Plani i Suel Çelës për eliminimin e Ardjan Çapjas!

Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë

Zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit