MENU
klinika

Erida Nelaj: Dy dozat që njihen për certifikatën

Vaksina me detyrim për sektorin privat?

15.09.2021 - 19:57

Deri sot, 15 shtator në Shqipëri kanë mbërritur mbi 2 mln doza, mbi 1.6 mln qytetarë janë të vaksinuar, 41% e të cilëve me dozën e parë dhe rreth 30% me të dyja. Gjithmonë personat mbi 18-vjeç. Sot KE miratoi vendimin për njohjen e certifikatës shqiptare të vaksinimit, por kur do të futet në fuqi?

“Nuk mund të them datë të saktë, por di të them që është punuar me kohë dhe formati i certifikatës është i njësuar, është me dy gjuhë, anglisht dhe shqip” tha mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC, Erida Nelaj, e cila shtoi se “Për fat të keq njihet vetëm certifikata për ata që janë vaksinuar me “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. Nuk është e drejtë, por ndoshta do të ndryshojë”.

Shefja e programit të vaksinimit në ISHP theksoi se javët e fundit ka pasur një fluks të qytetarëve që u janë drejtuar pikave të vaksinimit. “Ne e krahasojmë me javë, periudha e gushtit dhe shtatorit ka rritje.

Para dy javësh ishim shumë më mirë. Ka një rritje të grupit 18-30 vjeç, që vetëm brenda një jave ka një rritje 4%”. Por cila është vaksina më e kërkuar sot në Shqipëri? “Kërkesa më e madhe është drejt “Pfizer”.

Administrata, personeli shëndetësor, arsimtarët, por edhe për kategori të tjera vaksinimi është bërë me detyrim. Por a do të ndodhë e njëjta gjë për sektorin privat? “Jo, jo, absolutisht deri në këtë fazë” tha Nelaj.

Në shumë vende ka filluar aplikimi i dozës së tretë, po në Shqipëri? “Për dozën e tretë ende diskutohet për personat që kanë probleme me imunitetin që nuk arrijnë që të krijojnë mbrojtje me dy dozat e para”. Për fëmijët nën 18-vjeç, Nelaj tha se “Është diskutuar dhe besoj se do të merret një vendim në të ardhmen”./