Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë prindërve për kohëzgjatjen e mësimi dhe zhvillimin e tij me disa turne. E ftuar në rubrikën “Opinion”, Kushi tha se ky vendim nuk është përfundimtar pasi bëhet vlerësimi i situatës pandemike në vend.
Ajo tha mësimi është i ngarkuar kryesisht në shkollat e qendrave të mëdha urbane ndërsa në ato rurale çdo gjë vazhdon normalisht. Po ashtu ministrja bëri me dije se sipas shifrave të fundit 87% e mësuesve janë të vaksinuar, 71% prej tyre kanë marrë dy doza.
“Është udhëzuesi i ministrisë baza ku ne marrim të gjitha vendimet. Unë e mirëkuptoj shqetësimin për kohëzgjatjen dhe mësimin me dy turne, por duhet të kuptojmë se jemi në kohë pandemie. Jemi dëshmitarë që kohët e fundit kemi pasur rritje të rasteve të reja. Ky vendim nuk është përfundimtar për të gjithë vitin shkollor.Ky vendim nuk është standard për të gjitha. Në ato klasa ku hapsira është e vogël bëhet me turne, kryesisht në qytetet e mëdha. Ndërsa në periferi e zonat rurale mësimi zhvillohet normalisht. Tek shkollat e dëmtuar nga tërmeti ka edhe mësim me 4 turne dhe në këto raste jemi të detyruar ta bëjmë mësimin për 30 minuta. Vitet e fundit ne aplikojmë 6 orë për 3 lëndë. Shpresoj që prindërit të na mirëkuptojnë për vendimet që kemi marrë. Procesi i vaksinimit të mësuesve po shkon shumë mirë. Sot 87% e mësuesve janë vaksinuar, nga këta 71% kanë marrë dy doza”- tha ajo.
Lidhur me skenarë të tjerë të përkeqësimit të situatës, ministrja Kushi tha se ne dimë t’u përgjigjemi çdo skenari të mundshëm dhe se konsultohemi për çdo vendim që marrim. Ajo tha se asnjë mësues deri tani nuk ka refuzuar të marrë vaksinën dhe nëse ndodh një gjë e tillë ai duhet të paraqesë test PCR çdo javë.
“Ne kemi parashikuar të gjithë skenarët dhe dimë t’i përgjigjemi të gjithë skenarëve. Shpresoj që me vaksinimin nuk do të shkojmë në ekstremin e mësimit online, por jemi të përgatitur. Edhe Komiteti i Ekspertëve ka një eksperiencë. Nuk marrim asnjëherë një vendim sipas gjykimit tonë. Konsultohemi mirë pai janë vendime të vështira. Për ne është përgjegjësi e lartë të marrim një vendim që do të dëmtonte cilësinë e arsimit. Përpiqemi të gjejmë balancën më të mirë mes shëndetit dhe mësimit. Nuk kam parë rast të mësuesve që refuzojnë të vaksinohen. Rastet e tyre që nuk janë vaksinuar janë ata që e kanë kaluar Covid pak kohë më parë ose kanë sëmundje të tjera. Në rastet që mësuesit refuzojnë vaksinën duhet test PCR çdo javë. Ky është një urdhër nga MSH”- tha ajo.
Ndërsa lidhur me mësimin në shkollat e dëmtuara nga tërmeti ministrja Kushi tha se bëhet transportimi i nxënësve në shkolla të mira. Ndërkohë për mësuesit tha se edhe këtë vit pagesa e tyre do të bëhet në varësi të orëve të mësimit.
“Shkolla është e dëmtuar dhe ekspertët kanë hartuar një raport që shkolla është në kushte të rrezikshme. Bashkia ka marrë masat që nxënësit të transportohen në shkollën më të afërt, është vendosur autobuzi në dispozicion. Prindërit të mos rrezikojnë jetën e fëmijëve. Kemi 151 shkolla në Tiranë-Lezhë-Durrës që janë përfshirë në procesin e rindërtimit, ku 68 janë të përfunduara.Edhe shpërndarja e mësuesve bëhet sipas pikëzimit të tyre me përzgjedhjen në Portalin “Mësues për Shqipërinë”. MSH ka një buxhet të caktuar për rikonstruksionin e shkollave sipas një konkursi të bërë nga bashkia.
“Edhe vitin e kaluar mësuesit janë paguar në bazë të orëve që kanë bërë. Në rastin e karantinës apo infektimit, mësuesit janë paguar. Ne shtuam 1 mijë mësues për të plotësuar mangësitë dhe janë paguar për të gjitha orët suplemetare. Të njëjtën praktikë do të përdorim edhe këtë vit”-tha ministrja Kushi.