MENU
klinika

Nxënësit kthehen në shkollë nate

Viti i ri shkollor nis me amulli, me orë të kufizuara e mësim me turne!

28.09.2021 - 10:11

Nisja zyrtare e vitit të ri shkollor në arsimin parauniversitar shkaktoi amulli të hënën në Tiranë. Shkak u bë një vendimi i papritur i shkollave për zhvillimin e mësimit të kufizuar dhe me turne.

Në shkollat e kryeqytetit, ku klasat kalojnë kapacitetin e nxënësve, mësimi do të bëhet me turne, në disa prej tyre edhe me 4 turne. Prindërit janë njoftuar vetëm 3 ditë më parë nga mësuesit kujdestarë nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” se mësimi do të jetë nën masat anti-COVID. Ledia Baho, nënë e dy vajzave në arsimin parauniversitar, tha për BIRN se këto masa ishin të pakuptimta dhe penalizuese. “Vajzën e madhe e kam nxënëse maturante në shkollën “Sami Frashëri”, por është detyruar ta bëjë shkollën pasdite vonë te shkolla “Çajupi”. Si mund të pretendojmë të bëhet mësim në orën 6 me 8 të darkës?”, tha ajo, duke shtuar se dy vitet e zhvilluara në kushtet e pandemisë janë vite të humbura shkolle. Baho priste vajzën e vogël të dilte nga mësimi i shkurtuar në shkollën “Edith Durham”, ku mësimi këtë vit do të bëhej me 4 turne për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasa. “Shteti nuk mendon se ne prindërit duhet edhe të punojmë, ndërkohë që duhet të ndjekim fëmijët në shkollë, ku rrinë vetëm 2 orë”, shtoi ajo.

PETICIONI

Prej 4 ditësh, një organizim online i prindërve ka arritur të mbledhë rreth 4 mijë firma në një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit, ku kundërshtohen masat anti-COVID. “Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ndërkohë që në gjithë fushat e tjera jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar”, thuhet në këtë peticion që po shpërndahet dhe firmoset online, duke i bërë thirrje Ministrisë që të kthejë normalitetin në shkolla. Prindërit u ankuan gjithashtu se ndjehen të përjashtuar nga vendimet e marra nga shkollat për fëmijët e tyre.

“S’JEMI PYETUR”

Riviera Dedaj, nënë e tre fëmijëve që ndjekin ciklin 9- vjeçar me turne të ndryshme, i tha BIRN-it se vendimi është marrë pa asnjë konsultim me prindërit dhe pse ekziston struktura e bordit të prindërve. Ajo e cilësoi vitin akademik 2020-2021 një vit të dështuar, “ku fëmijët kanë mbetur me shumë boshllëqe, pa arritur të ezaurojnë plotësisht lëndët mësimore”. Shpresat se viti i ri do të ishte ndryshe u shuan kur tre ditë më parë, kur “mësuesit njoftuan në grupe “ËhatsApp” për oraret e shkurtuara dhe mësimin me dy turne”. “Unë jam kundër orareve të shkurtuara, pasi brenda 25 minutash nuk mund të ezaurohet plotësisht mësimi. Fëmijët hasin shumë vështirësi dhe është e domosdoshme rikthimi në normalitet me orare të plota mësimore. Ky vendim nuk është konsultuar në bordin e prindërve, ishte si rrufe në qiell të hapur”, tha Dedaj për BIRN.

REVOLTA

Dhjetëra prindër të tjerë kanë shfrytëzuar platformën “Facebook” për të shprehur zemërimin e tyre, duke shkruar në profilin e ministres së Arsimit, Evis Kushi. Ata kundërshtojnë vendimin për mësimin e kufizuar duke komentuar në një video-mesazh të ministres me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. “Çfarë urimi po bëni zonja ministre?! Çfarë viti shkollor është ky, ku fëmijës në klasë të 3-të i kërkohet të fillojë mësimin në orën 4:20 dhe të mbarojë në orën 18:30”, shkruan një prej prindërve. “Ju lutem shikojeni këtë problem, pasi këto vendime po na shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve”, shton një prind tjetër.

Ndarja e klasave në turne po kryhet në mungesë të një udhëzimi zyrtar të Ministrisë së Arsimit për këtë vit shkollor. BIRN mësoi se ky organizim është marrë bazuar mbi dy udhëzime të mëparshme të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që mbajnë datën e një viti më parë dhe i referohen vitit akademik 2021-2022. Në bazë të këtyre udhëzimeve, organizimi i mësimdhënies nga klasa 1-12 do të jetë i njëjtë me masat e praktikuara gjatë vitit që shkoi; që bazohet në 3 skenarë; mësim në shkollë; mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë); mësim në kushtet e shtëpisë (online). Skenarët do të zbatohen nga shkollat në varësi të infrastrukturës së tyre, duke zbatuar kriterin jo më shumë se 20 nxënës në klasë. Fëmijët shihen si grupmosha me riskun më të ulët nga COVID-19, por megjithatë duket se ata po zbatojnë edhe masat më të rrepta në kuadër të pandemisë. Përveç mësimit të shkurtuar, që nënkupton se ata nuk kalojnë më shumë se 2 orë në shkollë, masa parashikojnë edhe mbajtjen e maskës dhe distancë fizike me nxënësit e tjerë.

Mbi 85% e mësuesve të vaksinuar, nxënësit kthehen në shkollë nate

Ndonëse mbulesa vaksinale e mësuesve është rritur përgjatë shtatorit, pa llogaritur ata që e kanë kaluar virusin duke fituar imunitet natyror, sërish kjo nuk ndaloi ministrinë e arsimit dhe shëndetësisë të vinin barriera për nxënësit. Janë prindërit ata që ankohen se fëmijët janë kthyer dhe po zhvillojnë “mësim nate” si dikur, i cili për fëmijët gjykohet krejt i papërshtatshëm. “Unë kam 2 fëmijë, janë me turne dhe nuk jam fare dakord. Gjyshërit që i marrin janë nga 75 vjeç. Kjo është një nga zgjidhjet e mundshme, pastaj jam dakord apo s’jam dakord dihet që më e mira është normaliteti. Nuk është aspak e drejtë që fëmijët e klasave të para dhe të dyta të lihen në këtë orar”, shprehen disa prindër. Situatën e rëndon fakti që ky është viti i tretë radhazi që historia përsëritet, ndonëse jo në të njëjtat kushte. Tanimë ka një zgjidhje, vaksina, përmes të cilës, me apo pa hir shumica dërmuese e arsimtarëve janë vaksinuar. Këtë të hënë e nisën mësimin rreth 480 mijë nxënës, nga të cilët 30 mijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë parashikon urdhri i ministrisë së Shëndetësisë

Nis viti i ri shkollor pandemik/ Me maskë, turne dhe orë të reduktuara!