Viti i ri shkollor ka nisur me protesta në shkollën 9 vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër. Për të dytën ditën prindër dhe nxënës të klasës së tretë D kanë protestuar duke bojkotuar procesin mësimor pasi kjo klasë është shkrirë pasi ka vetëm 19 nxënës duke mos plotësuar kuotën prej 30 nxënësish që nevojitet.
Prindërit e nxënësve refuzojnë shkrirjen e kësaj klase dhe shpërndarjen në klasat e tjera të treta.
Ndërkohë, mësuesja Nineta Zadrima thotë se ky ndryshim në klasën e tretë është bërë jashtë afateve të përcaktuara.
Mësuesja renditet e dyta për nga pikëzimi brenda shkollës “Ismail Qemali” dhe e para ndër mësuesit e klasave të treta dhe shkrirja e klasës thotë ajo bëhet në kundërshtim me çdo udhëzim ligjor.
Prindërit thonë se nuk do të kthejnë fëmijët në shkollë deri sa kërkesat e tyre të merren parasysh. Në rastin më të keq, ata do t’i shpërngulin fëmijët në një shkollë tjetër. Drejtorja e ZVA Shkodër Sindis Kopliku u shpreh se lidhur me këtë rast është respektuar ligji.