MENU
klinika

U prezantua si drejtues politik i Vlorës

Zv.kryeministri Ahmetaj: Ka filluar puna për mandatin e katërt!

21.09.2021 - 20:25

Ka përfunduar mbledhja e strukturave të Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës ku pasditen e sotme u prezantua Arben Ahmetaj si drejtuesi i ri i këtij qarku.

Pas përfundimit të takimit, Ahmetaj është shprehur në një prononcim për mediat se ka nisur puna për mandatin e katërt.

Duke komentuar situatat “konfliktuale” me Bashkinë e Vlorës, Ahmetaj është shprehur se marrëdhëniet janë normale dhe nuk do të ndryshojë politika e ndjekur gjatë këtij mandati.

“Është privilegj që të vij si drejtues politik i Vlorës. 8 mandatet që morëm janë të rëndësishme. Ka pasur momente që sytë e Shqipërisë kanë qenë nga Vlora. Linja jonë politike është vazhdimësi në Vlorë, nuk ka asnjë surprizë. Kemi filluar punën për mandatin e katërt. Partia socialiste nuk ka konflikte, por ka debate. Politika e PS-së nuk ka ndryshuar në raport me Bashkinë e Vlorës. Nuk do të ndryshoje, kemi rrugë për të bërë sëbashku. Ju garantoj që nuk ka asnjë surprizë përsa i përket politikës së ndjekur nga ne në Vlorë. Socialistët janë të bashkuar, do vazhdojmë punën në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Bashkimi i socialistëve është çelësi i suksesit. Vëmendja e kryeministrit nuk ka ikur asnjë second nga Vlora” – tha Ahmetaj.

Në mbledhjen e sotme ka qenë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i cili më herët ka mbajtur postin e drejtuesit politik.

Të pranishëm ishin dhe deputetë e kryetar bashkish, ku u vu re mungesa e kryebashkiakut Dritan Leli.