Ambasada gjermane ka bërë një sqarim për qytetarët lidhur me vonesat në pranimin e aplikimeve për viza.
Duke filluar nga data 1 nëntor, qytetarët do të duhet të dorëzojnë dosje të plota për aplikimet në mënyrë që Ambasada gjermane të bëjë verifikimin e dokumentacioneve.
Sipas ambasadës, aktualisht rreth 80% e aplikimeve janë të paplota, pra dosjet kanë mungesë dokumentacionesh.
Njoftimi i Ambasadës gjermane:
Ambasada Gjermane Tiranë. Një informacion i rëndësishëm nga sektori i vizave. Sektori i Vizave bën me dije si vijon: që prej datës 01.11.2021 do të pranohen vetëm dosje të plota aplikimi me të gjitha dokumentat e nevojshme (shih fletën përkatëse të informacionit në faqen tonë të internetit).
Aplikimet e paplota do të refuzohen pasi të jenë mbajtur tarifat përkatëse. Bllokojeni në kohë takimin tuaj, nëse e dini që në momentin e paraqitjes nuk i keni të gjithë dokumentat.
Ky ndryshim është i nevojshëm pasi aktualisht rreth 80% e aplikimeve janë të paplota, pra dosjet dorëzohen ndërkohë që u mungojnë dokumenta, e kjo do të thotë për të gjithë aplikuesit kohë më të gjata pritjeje për një takim dhe afate më të gjata përpunimi.
Përmes procedurës së re ne mund ta përpunojmë më shpejt aplikimin tuaj, për t’ua përcjellë më pas atë autoriteteve kompetente në Gjermani.