MENU
klinika

Analiza e The Economist

Bashkimi Evropian s’duhet të heqë dorë nga zgjerimi

15.10.2021 - 15:19

The Economist

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, përshëndeti përkrah udhëheqësve të Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës hapjen e urës Svilaj që lidh të dyja vendet. Ceremonia ishte pjesë e turneut të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një term i përdorur nga BE për t’iu referuar vendeve të Ballkanit që nuk i janë bashkuar ende unionit, dhe të cilat janë lënë në pritje në pragun e derës,që kur iu premtua anëtarësimi përfundimtar në vitin 2003.

Integrimi i lumtur midis BE-së dhe fqinjëve të saj ballkanikë, u konsiderua sërish si diçka e pashmangshme.

“I gjithë Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Kjo është në interesin tonë të përbashkët, por gjithashtu unë besoj se ky është fati ynë i përbashkët”- deklaroi në fjalën e saj zonja von der Leyen.

Por fjalët e saj të mira u përplasën me realitetin një javë më vonë. Në samitin e Brdos në Slloveni më 6 tetor midis 27 udhëheqësve të vendeve të BE-së dhe 6 homologëve të tyre nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, mungoi perspektiva e vendeve të reja që do t’i bashkohen BE-së së shpejti.

Në vend të kësaj, vendeve të Ballkanit Perëndimor iu premtua ulja e tarifave të roaming kur qytetarët e tyre të vizitojnë Bashkimin Evropian. Një përpjekje e Sllovenisë për të garantuar anëtarësimin e tyre deri në fund të kësaj dekade, u hodh poshtë nga vendet e tjera.

Pra ura e Svilaj nuk u shoqërua me ndërtimin e një ure metaforike midis BE-së dhe këtij rajoni.

Por duket se zgjerimi i BE-së është ndalur. Në mbarë Ballkanin Perëndimor, qeveritë janë dëmtuar nga kjo qasje. Maqedonia e Veriut mund të ketë treguar përkushtimin më të madh në lidhje me kriteret që kërkoheshin për të filluar bisedimet e anëtarësimit, përfshirë ndryshimin e emrit të saj, për të zgjidhur një mosmarrëveshje të vjetër me fqinjen e saj jugore Greqinë.

Megjithatë, një mosmarrëveshje e vjetër rreth origjinës së gjuhës maqedonase, bëri që Bullgaria të vendosur veton kundër fillimit të negociatave. Edhe Shqipëria, aplikimi i së cilës është i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut, në një përpjekje të kotë për t’i ndalur lojëra të tilla politike, mbetet gjithashtu e bllokuar.

Kryeministri Edi Rama e krahasoi marrëdhënien e Shqipërisë dhe BE-në si një martesë të dështuar. Bashkimi Evropian dëshiron të jetë një forcë globale, por me sjelljen aktuale ai po rrezikon që të humbasë kontrollin e“oborrit”të shtëpisë së vet.

Një perspektivë realiste për t’iu bashkuar unionit, është mjeti kryesor që ka blloku për t’u angazhuar me fqinjët e tij. Për momentin, të gjitha palët e dinë se kjo është një fantazi. Vendet anëtare si Franca janë shumë skeptike, duke preferuar një BE me një integrim të brendshëm më të thellë, sesa një BE më të zgjeruar.

Diplomatët nga vendet e tjera të kujdesshme si Danimarka dhe Holanda, këmbëngulin se qeveritë e tyre nuk dakord me idenë e zgjerimit të unionit, për aq kohë sa të përmbushen kriteret e rrepta të anëtarësimit.

Megjithatë, politikanët vendas nuk janë gjithmonë aq të nuancuar. Për momentin nuk ka shanse që BE-së ti shtohen vende të reja, edhe pse udhëheqja në Bruksel pretendon të kundërtën. Kjo qasje është shumë problematike. Nëse zhduken stimujt për sjellje të mirë, po ashtu zhduken edhe pengesat për sjelljen e keqe. Zhgënjimi në Ballkanin Perëndimor është tani më se i zakonshëm, dhe sjellja e liderëve të këtyre vendeve është bërë edhe më autoritare, pasi ata e dinë se tashmë nuk kanë asgjë për të humbur.

E pse duhet të shqetësohen vallë për ndjekjen e interesave të caktuara apo reformimin e sistemit gjyqësor, kur në këmbim nuk fitojnë asgjë? Ata që kanë pak për të humbur, kanë njëherazi më pak arsye që të kenë frikë. Prandaj, një konflikt mbi targat midis Serbisë dhe Kosovës, çoi në vendosjen e forcave speciale në kufi.

Në Ballkanin Perëndimor, marrëzitë po ndodhin gjithnjë e më shpesh. Skeptikët këmbëngulin se klubi nuk mund të përthithë dot anëtarë të rinj. Shembujt model të zgjerimit të BE-së, si Polonia, tashmë janë bërë shumë problematikë.

Një BE pa Poloninë apo Hungarinë, do të shpenzonte më pak kohë duke u shqetësuar për pavarësinë e gjyqtarëve apo për përdorimin e dyshimtë të fondeve brenda klubit. Është e lehtë të gjesh diplomatë që mendojnë se zgjerimi ishte një gabim. Por është pikërisht ky kundër-fakt, ai që e lë BE-në me një kufizim edhe më shqetësues.

Nëse anëtarët lindorë të Bashkimit Evropian do të kishin mbetur jashtë klubit, ata mund të kishin ndjekur trajektoret e vendeve të tjera përtej BE-së, siç është Ukraina. Përjashtimi nuk është zgjidhja e duhur. Ndërkohë, një ndjenjë e perspektivës vjen nga përtej Atlantikut.

Diplomatët amerikanë u kujtojnë homologëve të tyre më skeptikë evropianë, se jeta do të ishte shumë më e lehtë me Ballkanin Perëndimor të integruar në union.

Mali i Zi tashmë është zhytur në telashe me një hua prej 1 miliardë dollarësh që i detyrohet Kinës. Serbia po luan diplomatikisht me dy porta, duke pranuar vaksina nga kudo që mundet, dhe më pas i shpërndan ato tek fqinjët. Presidenti francez Emmanuel Macron, e sheh Bosnjën si një burim të islamizmit radikal.

Pra me pak fjalë, Ballkani nuk është një rajon të cilin BE ka luksin ta humbasë. Mjerisht në vend të kësaj, midis qeverive të BE-së gjallon një vetëkënaqësi e rrezikshme. Kjo pasi BE ka shpërndarë vaksina në rajon, dhe zë gati 70 për qind të volumit tregtarë të Ballkanit.

Ajo investon çdo vit rreth 3 miliardë euro, që është një shumë e drejtë për një rajon të varfër prej 20 milionë banorësh. Logjika mbetet se çfarëdo që mund të ofrojnë Rusia dhe Kina, BE sërish mbetet shumë më joshëse.

Dhe kërcënimet e një ndryshimi të mundshëm gjeopolitik janë shpërfillur nga zyrtarët e BE-së, duke i konsideruar ato thjesht si akte të guximshme diplomatike nga homologët e tyre të Ballkanit. Kësisoj vëmendja zhvendoset diku tjetër.

Udhëheqësit preferojnë të përqendrohen në anën tjetër të botës, në vend të “oborrit”të rrëmujshëm të BE-së. Në prag të samitit slloven, udhëheqësit diskutuan strategjinë e unionit ndaj rajonit të Paqësorit, e cila është një temë shumë më joshëse për ata që ëndërrojnë fuqinë evropiane në nivel global.

Ideja e të kaluarit orë të tëra duke diskutuar mbi targat e Kosovës dhe Serbisë,apo mbi etimologjinë e fjalëve maqedonase,nuk është aspak frymëzuese për udhëheqësit evropianë. Ndërkohë, ata shohin se në Paqësor po krijohet një histori e re. Ndërsa në Ballkan, ata shohin përsëritjen e historisë deri në mërzi dhe lodhje.

E megjithatë, është Ballkani Perëndimor testi më urgjent i aftësive të politikës së jashtme të BE-së, më tepër sesa çështjet në dukje më të mëdha dhe më globale. Një politikë koherente e përbashkët për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe fqinjët e tyre duhet të jetë diçka më e lehtë, krahasuar me zgjedhjet më të vështira që ka përpara BE mbi çështje të tjera.

Për momentin, politika e Bashkimit Evropian ndaj Kinën e përcakton vendin aziatik si partner, konkurrent dhe rival. Por në fund Brukseli do të detyrohet të zgjedhë, duke vendosur se çfarë është më e mira për interesin e tij kolektiv.

Ndaj do të ishte mirë që unioni të këshillohet,që t’ia fillojë më mirë me zgjedhjet më të lehta. Në rast se Bashkimi Evropian dëshiron që të jetë një fuqi globale, së pari ai duhet të bëhet një fuqi rajonale. Dhe vendi i duhur për t’i nisur është ringjallja e politikës së zgjerimit.