Lufta politike për gllabërimin e partisë,po nxjerr në sipërfaqe betejën e skandaleve mes klaneve të Berishës dhe Bashës. Ndoshta kjo është faza e parë e një beteje e cila nuk ka as principe dhe as rregulla “loje”. E ndërsa Berisha po përpiqet të “ndezë” gjoja atmosferën si dikur, duke hipur majë makinës dhe duke dashur të elektrozojë ata që akoma i puthin dorën, tek rrethi i ngushtë i Bashës po dalin tek-tuk elementë si Salianji apo Duma, që po i kujtojnë deputetëve të vetëlarguar nga grupi “ofiqet, nderet dhe paratë” që përfituan deri dje nga partia.
Debatet dhe “kujtimet” do të zgjohen edhe më shumë me kalimin e ditëve. Pothuajse në çdo takim me demokratët e tij, Sali Berisha po nxjerr “vrerin” e 8 viteve për Lulin, po e akuzon si “të blerë dhe të shitur, si pengkryetar, si njeri të pabesë”, dhe ka mbetur ende pa i kujtuar se “është edhe i korruptuar”. Brënda asaj partie tashmë nuk ka qetësi. Dosjet dhe qitapët do të hapen nga 2005-2013 dhe në vazhdim. Berisha në betejën e tij,nuk ka gjasa të ndalet në akuzat e drejtpërdrejta ndaj “birit” të tij politik Basha.
Kjo jo për faktin sepse e ka përzënë në mënyrën më flagrante nga grupi parlamentar, por edhe sepse (sipas Berishës) “ai e ka ngrënë pas shpine”. Në gjithë fjalimet e tij të gjata me mbështetësit e tij, ish-kryeministri i përjashtuar nga Basha, i mëshon faktit se “pengkryetari është i pabesë”. Kjo puna e besës në Partinë Demokratike, ha diskutim dhe debat në çdo kohë në fakt, po të kemi parasysh kohën nga Azem Hajdari, dhe me rradhë gjithë ata emra burrash dhe grash ish-kontributorë të asaj partie, që u flakën si lecka sikur të mos kishin qenë kurrë atje. Por nejse, Berisha “besën” e ka të shenjtë, kështu thotë tani. Mes Berishës dhe Bashës, natyrisht duhet të ketë patur një marrëveshje “bese” mes tyre, derisa i pari e ka mbështetur të dytin edhe kur bënte skandale , apo edhe kur ka humbur 5 palë zgjedhje pa asnjë fitore.
Petët “lakrorit” në atë parti dolën pas vendimit të Lulzim Bashës.Berisha hoqi “maskën”, flaku tej dorashkën e “avokatit” ndaj Lulit dhe i hipi kalit të betejës, edhe pse në moshë të thyer. Natyrisht ç’ka ka thënë deri sot për kryetarin e partisë mund të merren me rezerva, aq më tepër kur këto i deklaron vetëm Berisha.Por “afrimi” i Mondit, Mulit, apo edhe i ndonjë ish-deputeti të pakënaqur nga Basha, dhe reagimet e besnikëve të kryetarit, ka gjasa të ndezin betejën e skandaleve. Ata tashmë po i kujtojnë “të vjetërve” postet, ofiqet, paratë, pronat që fituan me Partinë Demokratike, por harrojnë se edhe Lulzimi ka qenë pjesë e tyre dikur. Sali Berisha po tenton të krijojë në atë parti, “axhendën e Nanos dikur”, kur ai nisi të bëjë “katharsis” në Partinë Socialiste, por me ndryshimin e madh se beteja e tij po bëhet larg strukturave të Partisë Demokratike, duke minimizuar efektet e saj. Duke e kthyer në betejë personale mes tij dhe kryetarit të partisë, Sali Berisha nuk e ka kuptuar akoma se Lulzimi nuk është më ai “kopisti” dikurshëm, të cilin mund ta përdorje si ogiç sa herë të doje.