Ndonëse “luftuan” që të shpëtojnë nga talebanët, refugjatët afganë të strehuar në Britaninë e Madhe duan të shkojnë sërish në shtëpi duke u shprehur se nuk munden të jetojnë më në kushtet e këqija me të cilat përballen, shkruan The Mirror.
Jetesa në hotele për shumë familje afgane është bërë e pamundur, por kjo situatë duket se do të vazhdojë dhe për muajt e ardhshëm pasi ende nuk kanë gjetur shtëpi të përshtatshme për to.
Afganët u mirëpritën në fillim të gushtit nga Boris Johnson gjatë Operacionit Mirëseardhje e Ngrohtë. Sipas programit 7000 afganë u mirëpritën për të “rindërtuar jetën e tyre, për të gjetur punë, për të ndjekur arsimin dhe për t’u integruar në komunitetet e tyre lokale”.
Tani disa nga refugjatët kanë thënë se “nuk mund ta durojnë më këtë situatë” raportoi Guardian.
“Kam pasur disa pacientë që më thonë se duan të shkojnë në shtëpi. Një burrë, 67 vjeç, vazhdonte të thoshte: Nuk mund ta duroj më këtë. Më duhet të dal nga kjo dhomë (hoteli). Unë thjesht dua lirinë time nga hoteli. Më duhej t’i jepja ilaçe dhe gruas time sepse ishte shumë e mërzitur”, tha një mjek.
Po sa sukses ka pasur ky projekt kaq ‘altruist’ i Mbretërisë së Bashkuar në momentin që një popull i arratisur kërkon të kthehet në terrorin e atdheut? Danny Thorpe e përshkroi programin e qeverisë si një “dështim”. Kjo sipas tij pasi deklaratat e Johnson nuk ishin në përputhje me vendimet që u morën për këta njerëz praktikisht.
Mes vendeve të para që hapi dyert për afganët është edhe Shqipëria, ku deri më tani janë strehuar 644 afganë. ‘Qytet Studenti’ ishte vendi i parë ku u akomoduan fillimisht afganët, i cili shërbeu vetëm si një vend tranzit, deri sa të përfundonin procedurat e regjistrimit. Më pas afganët janë strehuar në strukturat hoteliere. Durrësi, Lezha dhe Berati janë tre qytetet që kanë hapur dyert për akomodimin e afganëve, sepse mundësia për strehimin e tyre në kampe është përjashtuar kategorikisht nga kryeministri Edi Rama, duke e quajtur atë një mënurë çnjerëzore. Ato do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.