MENU
klinika

Importet, tarifat dhe emergjenca

Çfarë po ndodh me energjinë, pse preket edhe Shqipëria

16.10.2021 - 09:52

Kriza e energjisë, e shfaqur si një rrufe në qiell të hapur, me përmasa globale, ka prekur rëndë edhe Shqipërinë. Qeveria ka shpallur emergjencën për furnizim deri më 15 prill 2022, duke pezulluar planet e investimit të tre kompanive publike. Ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiarë për importet. Ndërkohë çmimet e një megavati në bursa kanë arritur nivele të çmendura prej 323 eurosh. Situata nuk ishte kaq dramatike, deri në maj të këtij viti, kur si KESH edhe OSHEE, shitën së bashku 53 milionë euro energji në treg të lirë. Tashmë me një faturë importesh që deri më 10 tetor kaloi 100 milionë euro për 2021, zgjidhjet janë të pakta: ose rritje çmimesh, ose rritje borxhi, të cilat në finale të dyja paguhen nga konsumatori. Operatorët e tregut pohojnë se kriza pritet të zgjasë të paktën dy vjet dhe Shqipëria, me një varësi të madhe nga “hidro”, duhet të menaxhojë më mirë burimet. Zgjidhja ideale do të ishte diversifikimi dhe Bursa, të cilët funksionojnë vetëm në letra, në praktikë asnjëra prej tyre nuk është arritur ende.

Prej vitesh, Shqipëria po vazhdonte të njëjtin cikël. Prodhonte energji, shiste në periudha të mira hidrike dhe importonte në vite me thatësira, kur nevojat dhe konsumi ishte i madh, por rezervat e saj të zeruara. Këto importe kalonin dhjetëra miliona euro.

Në këtë cikël nuk mungonin as përmbytjet e herëpashershme, teksa portat e kaskadës më të madhe hapeshin, ashtu sikurse nuk mungonin as çmimet e kripura me të cilat kompania publike e shpërndarjes siguronte energjinë për konsum. Shqiptarëve, dalëngadalë, u kishte dalë nga memoria pjesa e ndërprerjeve të gjata e me orare standarde të energjisë. Ato që ndodhnin ishin të shpejta dhe më të shkurtra, duke vendosur pas si argument problemet me rrjetin ose investimet.

Së fundmi, frika për rikthimin e ndërprerjeve u shfaq sërish në horizont, teksa kriza energjetike nuk ishte më një problem yni, por global dhe kombinimi i disa faktorëve bënë që çmimet në bursa të arrinin nivele të çmendura prej 323 euro/MWh (data 7 tetor në pik në Bursën Hungareze).

Blerjet e fundit të Shqipërisë (përmes Furnizuesit të Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group) ishin 233 euro/MWh, çmimi më i lartë që Shqipëria ka siguruar ndonjëherë energjinë. Pesha e konsumit që sigurohet nga importet sipas të dhënave të Institutit të Statistikave është mesatarisht nga 15 për qind në 48 për qind për konsumin e energjisë në vend, e llogaritur për një periudhë 20 vjeçare (2000-2020) çka tregon për një varësi të lartë të vendit.

Në vitin 2020, të paktën 43 për qind e energjisë së konsumuar në vend u sigurua në import. Në vitin 2018 Shqipëria ishte eksportues neto, por në konsum Shqipëria 23 për qind të energjisë e siguroi sërish në import.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT
Për t’iu rikthyer krizës edhe një dalje e jashtëzakonshme e Kryeministrit Edi Rama dy javë më parë bëri që frika për një krizë energjetike me pasoja deri te konsumatori të shihej e mundshme. E sigurt është se Shqipëria nuk është imune ndaj kësaj krize që ka hyrë në një cikël të rrezikshëm dhe po alarmon çdo vend në Europë, Kinën e më gjerë.

Problemi real është spiralja e rrezikshme e pasojave që do të ketë kjo situatë, të cilat mbeten të paqarta dhe jo afatshkurtra.

Çfarë po ndodh me energjinë, arsyet e krizës që prek edhe Shqipërinë

Revista “Monitor” kontaktoi me të paktën dy kompani vendase që kanë në objekt të tyre tregtimin e energjisë dhe janë aktive në bursa, për të kuptuar se çfarë po ndodh në tregje. Dy prej tyre preferuan që të mos citohen me emra, por nënvizuan se një krizë energjetike si kjo, me të cilën po përballet bota sot, mbetet e paqartë për mënyrën sesi do të vijojë dhe pasojat janë të pashmangshme edhe për Shqipërinë.

“Edhe ne jemi të paqartë se çfarë po ndodh realisht me tregun, pasi ka luhatje të mëdha çmimi në hark kohor të shkurtër, ku edhe kompanitë tona partnere ndërkombëtare nuk po arrijnë t’u japin shpjegim. Ato janë kompani që kanë të dhëna dhe burime shumë më të larta se tonat.

Ajo çfarë flitet nga mediat ndërkombëtare jep një ide mbi disa nga arsyet kryesore që kanë sjellë këtë situatë, të cilat nisin me rritjen e çmimit të gazit, rritjen e kërkesës për energji pas pandemisë, mungesën e prodhimit nga burimet e rinovueshme të energjisë (era në këtë rast që ka dhe peshë) si dhe një rritje e tregut, si efekt i masave për uljen e shkarkimeve CO2” pohuan aktorët kryesorë të tregut.

Rritja e kërkesës për energji ishte parashikuar më herët nga ekonomistët në mbarë botën, si pjesë e rimëkëmbjes post-pandemi të industrisë. Kjo situatë erdhi e kombinuar me një sërë elementesh të tjerë, që përkuan në të njëjtën kohë, të cilat bënë që sasia e energjisë së disponueshme të ishte e ulët dhe çmimet të arrinin nivele rekord. Rritje e çmimeve është raportuar në Spanjë, Itali dhe kudo nëpër Europë, teksa Kina ka vendosur në një regjim më strikt vendin. Kompanitë e mëdha në këtë treg, përfshirë Apple dhe Tesla, kanë ngritur alarmin për rrezikun e ndërprerjeve të mundshme që do të kishte pasoja katastrofike.

Situata e Kinës lidhet me rezervat e ulëta të qymyrit. Në Europë, shkak është bërë çmimi i gazit. Ky i fundit po shitet të paktën 5 herë më shtrenjtë sesa një vit më parë. Rezervat e gazit janë të ulëta si efekt i post-pandemisë. Çdo lëvizje e çmimit të gazit ndihet menjëherë në 27 shtetet e Bashkimit Europian, të cilat edhe pse kanë reduktuar përdorimin e tij, e kanë atë një nga burimet kryesore të energjisë.

Kriza vjen në një kohë kur ka përpjekje për të ulur emetimet e CO2 dhe termocentralet kanë dalë jashtë funksionit, si pjesë e strategjisë për nxitjen e burimeve të rinovueshme. Ndërkohë, prodhimi i impianteve të erës është në nivelet më të ulëta të 50 viteve të fundit. Por çfarë do të thotë e gjithë kjo panoramë për Shqipërinë? Jo thjesht çmime më të larta për të siguruar energjinë. Nga kompanitë publike është pohuar nën zë se tashmë, edhe pse mund të marrësh parasysh koston financiare, është bërë e vështirë të sigurosh sasi energjie të disponueshme.