MENU
klinika

“Berisha po u bën presion strukturave, kam SMS pafund”

Debati me dyer të mbyllura në Grupin e PD!

26.10.2021 - 13:00

Çështja “Berisha” nuk është shmangur dot as në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në fakt, kryetari i kësaj force, Lulzim Basha, në fjalën e tij hapëse porositi që deputetët të shkojnë në bazë për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe më pas t’i adresojnë ato për t’u zgjidhur.

Madje kërkoi që për secilin deputet të ketë një raport ku të pasqyrohet angazhimi i çdo deputeti në zonën elektorale dhe në komisionet parlamentare. Por ka ndërhyrë deputeti Flamur Noka, i cili e ka akuzuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, se po bunkerizon partinë. Në fjalën e tij, Noka është shprehur se demokratët në bazë janë të përçarë për shkak të vendimmarrjes së Bashës dhe se ky i fundit, sipas tij, prej muajsh ka humbur kontaktet me ta.

Në mbledhjen e djeshme ra në sy edhe reagimi i anëtarit të kryesisë së PD-së, Tomor Alizoti, i cili kërkoi nga Basha që të mos nënvlerësojë krizën brenda PD-së. Edhe Alizoti konfirmoi situatën jooptimiste në bazë, madje ai e cilësoi PD-në si një anije të madhe në të cilën ka rënë zjarri dhe kapiteni i anijes duhet të angazhohet që ta zgjidhë çështjen pa përfshirë grupin. Por kreu i PD-së ka përsëritur se për shqiptarët halli nuk është Berisha dhe vetë ai (Basha), por rritja e çmimeve dhe ekonomia e tyre. Ndërkohë nuk munguan as debatet mes deputetëve dhe ankesat për procesverbalin që mbahet për çdo mbledhje.

DEBATI I PLOTË

Lulzim Basha: Kërkoj nga ju që të jeni sa më shumë pranë qytetarëve në zonën tuaj. Parlamenti ka rëndësinë e vet të veçantë, por më kryesorja është që të jemi pranë atyre që na kanë zgjedhur. Ju duhet të shkoni të takoheni me banorët e zonave tuaja, të merrni prej tyre shqetësimet që ata kanë. T’u shpjegoni atyre për nismat e PD-së, sa të prekshme janë ato për vetë qytetarët. T’u sqaroni edhe propozimet tona. Çfarë synon drafti ynë për vetingun e politikanëve.

Albana Vokshi: Nuk e di se si i ndani folësit në Parlament, sepse kam kërkuar që të flas. Rendi i ditës është që të flitet për shqetësimet e qytetarëve në zonat përkatëse. Në fakt, unë kam kërkuar që të flas sot për shkak të një problematike që ka në zonën time, në Laprakë ku po ndërtohet Unaza e Madhe dhe ku projektohet të shemben 700 shtëpi. Unë dua të flas për këtë, sepse është problem i drejtpërdrejtë. Nëse unë nuk e ngre shqetësimin e tyre, si do t’u shkoj sërish.

Alfred Rrushaj: Ne do të kërkojmë sërish që të shfuqizohet rregulli i njëanshëm i PS-së për të kufizuar kohën e foljes së deputetëve.

Lulzim Basha: Me kryetarin e grupit do të keni edhe një rol më të madh tani, sepse duhet t’i referoni në lidhje me punën tuaj jo vetëm për komisionet parlamentare, por edhe për punën tuaj me bazën. Dua që ta kem një raport me kontributin dhe rolin e secilit prej jush në bazë dhe në komisionet parlamentare.

Flamur Noka: Je bërë si struci. Ti po e bunkerizon partinë. Ti thua të shkojnë deputetët në terren, por s’ka terren, sepse ti i ke përçarë duke i urdhëruar që të mos shkojnë në foltore. Baza e PD-së po vuan një përçarje si kurrë më parë. Ju kam dëgjuar që thoni “bunkerizim”, por baza kërkon zhbunkerizimin e partisë së bunkerizuar. Ju nuk keni zbritur në bazë për të diskutuar përçarjen e shkaktuar nga vendimi kundër Sali Berishës. Zoti kryetar, duhet gjetur një rrugë që partia të çlirohet nga ky makth. Nuk është zgjidhje ngurtësimi brenda bunkerit. Nuk është zgjidhje përjashtimi. Ju përsërisni fjalët për kuvend antiamerikan. Asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Kuvendi duhet për të rikthyer ligjshmërinë në vendimet e partisë, pas vendimit për Sali Berishën, timin apo edhe të zotit Baçi pa vendim kryesie.

Tomor Alizoti: Ky është një konflikt mes ju të dyve. Në çdo kafe të Tiranës të pyesin “je me këtë apo me atë?”. Unë shikoj që në këtë anije ka rënë një flakë shumë e madhe. Nëse kjo parti, pas kaq vitesh, do të jetë më e vogël, PD nuk do të jetë e aftë të mundë PS-në. Propozoj që ne si Grup Parlamentar, si kryesi dhe institucione të diskutojmë për këtë çështje. Nuk mund ta anashkalojmë. Ky është një konflikt që nuk mund të anashkalohet. Kjo ka një zgjidhje institucionale. Kriza është në PD, nuk e shmangim dot. Ju që jeni 2 grupime jeni pjese e krizës. Zgjidheni ju.

Beteja ka nisur mes ju të dyve, unë s’kam lidhje fare, zgjidheni ju. Në këto raste janë institucionet qe zgjidhin problemin. Në PD ka një krize të madhe. Heshta, heshta, por po flas tani se unë PD-në e shoh në një rrezik të madh. Aseti i PD-së është baza. Kam pasur dilemën time dhe lufta e brendshme është më e rrezikshmja dhe nuk kam dashur. Por kriza duhet marrë seriozisht. Shkaktarët duhet t’i japin zgjidhje krizës. Nuk jam palë e asnjërit. Aseti i demokratëve të jetë i unifikuar. Nëse nuk bashkohet, nuk ka shans të vijë në pushtet. Se po nuk erdhën në pushtet, kthehet në fondacion. Të diskutojmë për krizën se nuk flasim dot me komisionet pa folur për krizën.

Luan Baçi: Në mbledhjen e kaluar na u dha një letër e bardhë për të firmosur, për propozimet tona si Grup Parlamentar, për tri çështje të rëndësishme, që duhet bashkëpunimi me maxhorancën për t’i miratuar! Kërkuam të njiheshim me draftin paraprak, të hartuar nga ekspertët tanë të pakrahasueshëm dhe na i dërguat. Por pas kësaj asgjë më tepër, u depozituan në Kuvend draft-propozimet dhe nuk dimë gjë, se a u mor parasysh ndonjë gjë nga propozimet dhe mendimet që u dhanë më pas? Mirë do të ishte që ne të kishim draftin përfundimtar të depozituar, atë qe u dorëzua pas plotësimeve dhe normale do të ishte që të diskutohej përsëri mbi të pas propozimit përfundimtar! Në drafte i kushtohej shumë pak rëndësi Reformës Territoriale, që është shumë e rëndësishme për ne dhe shumë e kontestueshme kjo që kemi, pasi të gjithë e kemi pranuar se është bërë vetëm për t’u shërbyer interesave politike të PS-së dhe vetëm nga ata!

Po kështu, Reforma Zgjedhore, e bërë përsëri vetëm nga Edi Rama, për interesa të tij dhe Partisë së tij! Në draft kishte shumë pak trajtim për këto dy çështje shumë të rëndësishme, që janë jetike për opozitën! Ndërsa i kushtohet rëndësi e veçantë vetingut të politikaneve, që absolutisht është shumë i rëndësishëm, por duket se kjo bëhet si për të trembur, nuk e di se kë nga politikanët! E di që trajtimi i kësaj çështjeje është shumë delikat, shpeshherë bëhet në mënyrë djallëzore, propozohen gjëra që nuk realizohen dhe që nuk dëshirohen edhe nga vetë ata që i propozojnë dhe duhet t’i votojnë, gjithmonë për të bërë show! E di që kushdo që konteston sadopak mënyrën se si trajtohet ky problem, menjëherë anatemohet se ka frikë dhe konsiderohet i përlyer, kështu që na duhet të heshtim! Sa për dijeni, s’e kam fare problem vetingun personalisht dhe këtë besoj tani e dimë. Prandaj, do t’ju lutesha mos ta interpretonit se kam interesa personale në kontestimin tim, por është dukshëm jo e duhura qe propozohet!

Lulzim Basha: Qytetarët janë me halle. S’duan të dinë për Bashën e Berishën. Askujt nuk i kam thënë apo urdhëruar të jetë apo të mos jetë në aktivitetet e Berishës. Përkundrazi, kam pafund SMS që nga ana tjetër janë presionuar. Kryetar degësh dhe deputetë janë kërkuar që të jenë në foltore. Të thotë njëri këtu që unë i kam kërkuar të mos shkojë në takimet e Berishës. Një të më thotë!

Tritan Shehu: Dëgjova në media që mbledhjet që zhvillojmë ne kanë një procesverbal. Madje edhe u regjistruakan. Unë nuk kam ndonjë shqetësim, sepse ato që them këtu mund t’i them edhe jashtë në media dhe mund të përballem. Por ne duhet të paktën të vihemi në dijeni. Sepse nuk besoj që dikush të kundërshtojë nëse na thuhet se po regjistrohemi, por neve kështu po na shkelen të drejtat duke na regjistruar pa na lajmëruar.

Lulzim Basha: Sigurisht që procesverbale mbahen, sepse partia do të ketë një arkiv. Ndërkohë, sa u përket regjistrimeve, partia nuk bën regjistrime. Mbase dikush mund të regjistrojë veten kur flet. Është vendimmarrje e tij dhe nuk mund të them gjë. Këtu nuk jemi për t’u edukuar. Ne e kemi shumë të thjeshtë për të mos lejuar telefonat apo të vendosim bllokues valësh, por nuk e kam zgjedhur këtë dhe nuk kam ndërmend, sepse këtu nuk jam për të edukuar njeri. Por regjistrime të partisë nuk ka.

DEBATI PËR QARKUN E FIERIT

Eralda Tase Bano: Kërkoj ndjesë nga kolegët, pasi dua të them diçka që jo të gjithë i prek. Unë dua të sqaroj diçka me Luan Baçin, i cili në çdo dalje në media më thotë se nuk vij nga strukturat e PD-së.

Lulzim Basha: Kjo nuk është çështje për t’u trajtuar në këtë mbledhje. Më pas, së bashku me Enkelejdin dhe Luanin do të vini në zyrën time e t’i sqarojmë.

Eralda Tase Bano: Jo, nuk ka asgjë për ta mbajtur të fshehtë.

Lulzim Basha: Do ta sqarojmë më pas në zyrë

Luan Baçi: Nuk vij unë në zyrë për të humbur kohë për diçka që s’ia vlen. Unë kam respekt për Eraldën si person, por nuk kam respekt si deputete, sepse ajo nuk vjen nga strukturat e PD-së. Nuk doli si kandidaturë nga strukturat e PD-së.

Lulzim Basha: Stop, stop! Kur nuk lejova Eraldën që është femër që ta vazhdonte këtë debat, nuk mund të të lejoj ty. Kjo çështje nuk do të sqarohet këtu, por në zyrë. Edhe pse ju thoni që partia s’ka institucione, ajo ka institucione dhe këtë do ta zgjidhim në institucione. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe me etikë me kolegët.

DEBATI BASHA-NOKA JASHTË MBLEDHJES

Flamur Noka: Ajo që ndodhi në mbledhje ishte tendenca për të vazhduar te diskutimet e rutinës, ndërkohë që PD-ja është në krizë të thellë. Iu kërkua nga Alizoti që të kuptohet që kjo parti është në krizë të thellë dhe që ka nevojë për zgjidhje dhe që nuk duhet fshehur. Berisha ka bërë me dije që shumë shpejt do të mblidhemi për datën e Kuvendit, iu bë me dije edhe Bashës që Kuvendi do të mblidhet për të diskutuar për Statutin dhe për t’i dhënë një zgjidhje PD-së. Kuvendi nuk është as i Bashës dhe as i Nokës.

Lulzim Basha: Mbi interesat e gjithkujt është ai i shqiptarëve. PD do t’u shërbejë këtyre interesave, demokratët mish për top nuk i përdor dot askush.