Deputetja e Bundestagut e FDP-së, Renate Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe raportuese e grupit parlamentar të liberalëve për Europën Lindore e Juglindore u shfaq kritike ndaj rezultateve të samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Brdo.
“Që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të kënaqen me fjalë ngushëlluese, kjo con në një zhgënjim të mëtejshëm në rajon në lidhje me procesin e anëtarësimit. Me paketën e investimeve, BE nga njëra anë tregon, se do të angazhohet edhe më tej, por nuk do të përcaktojë një perspektivë të qartë europiane, për të mos folur për detyrimet konkrete që duhet të përmbushin këto vende“, u shpreh ajo.
BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humbet besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit, thekson deputetja liberale gjermane. “Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë. Veçanërisht të rinjtë e arsimuar e të orientuar nga reformat po e lënë vendin që nga viti 2019 në masë dhe kërkojnë diku tjetër një perspektivë për të ardhmen“, kujton ajo duke përmendur se ky është një zhvillim që BE po e nxit me hezitimin dhe mungesën e unitetit të saj.
Deputetja gjermane, Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, ndërsa theksoi se një herë sesa po sfidohet influenca e bllokut në rajon nga vende si Kina, Rusia e Turqia.