“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Dhimbjet e qafës/ Si mund të gjej qetësi me trajtime natyrale?
Mjeku: Spondiliartroza cervikale është një sëmundje shumë e përhapur jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Kjo sëmundje prek kryesisht shtyllën kurrizore nga qafa deri tek vertebra e fundit. Dhimbjet manifestohen kryesisht tek krahët, qafa, shpatullat, duart e ndonjëherë edhe koka. Pjesa e qafës vuan nga një presion i jashtëzakonshëm si pasojë e mbajtjes së kokës ulur gjatë punës në kompjuter ose në telefonat celularë.
Megjithatë, kjo sëmundje është e menaxhueshme dhe ajo mund të mbahet nën kontroll për të mos prishur cilësinë e jetës.
Ja disa trajtime:
Aktiviteti Fizik: Mungesa e aktivitetit fizik nxit shfaqjen e spondiliartrozës. Përpiquni të bëni aktivitet fizik të paktën 10 minuta në ditë. Aktivitetet më të rekomandueshme janë ecja, noti dhe çiklizmi.
Kompresat e ngrohta dhe të ftohta: Një mënyrë tjetër për të kuruar këtë sëmundje është përdorimi i alternuar i kompresave të ngrohta dhe të ftohta. Kompresat duhen vendosur në zonën e qafës dhe të shpatullave. Kompresa e ngrohtë përmirëson qarkullimin e gjakut dhe qetëson muskujt. Kompresa e ftohtë zbut inflamacionin dhe enjtjen.
Hudhra: Hudhra është shumë e mirë kundër dhimbjeve të kyçeve, qafës, shpatullave dhe artritit. Konsumoni dy thelpinj hudhër esëll në mëngjes duke i shoqëruar me ujë.
Xhenxhefili: Xhenxhefili përmirëson ndjeshëm qarkullimin e gjakut dhe zbut dhimbjet e shkaktuara nga inflamacioni. Xhenxhefilin mund ta konsumoni si çaj ose të përdorni vajin esencial të tij për të masazhuar qafën.
Uthulla e mollës: Zhyteni një peshqir të vogël në një legen të mbushur me uthull molle dhe mbajeni mbi qafë për disa orë. Këtë bëjeni dy herë në ditë. Ju mund të bëni edhe banjë duke hedhur në vaskë dy gota me uthull molle.
Speci i kuq djegës: Kapsaicina që gjendet tek speci i kuq djegës largon dhimbjet dhe inflamacionit. Bëni masazh me vaj ulliri të përzier me spec djegës pluhur. Mbulojeni zonën me një fashë dhe mbajeni për disa orë ose gjatë gjithë natës.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.