MENU
klinika

‘Ndërtuesit s’kanë prioritet shitjet’

Ekspertët: Paratë e dyshimta po shtrenjtojnë apartamentet

09.10.2021 - 16:33

Pas një bumi ndërtimesh që ka përfshirë vendin, Banka e Shqipërisë raporton se kërkesat për të blerë nga qytetarët u ulën në muajin shtator, por nga ana tjetër çmimet kanë vijuar tendencën rritëse.

Shkakun e rritjes së çmimit në shtator dhe tetor vlerësuesi i pasurive të paluajtshme e shikon tek rikthimi i studentëve.

“Tani në sezonin e studentëve çmimet rriten goxha, ndoshta edhe në mënyrë fiktive, duke qenë se ka shumë kërkesë. Rritja e çmimeve ka nisur që në shtator, rritja e qirave mund të jetë deri në 20% krahasuar me vitin e kaluar”, pohon vlerësuesi i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu.

Ndërsa sipërmarrësi i sektorit të ndërtimit Zef Shtjefni, përpos rritjes së taksave, rritjes së kostove të ndërtimit, shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit apo të trojeve thotë se ka ndërtues që nuk kanë prioritet shitjet e apartamenteve ndaj kërkon verifikim për burimin e të ardhurave.

“Në Shqipëri ndodhemi edhe në një fenomen të tillë, ku shumë biznese kanë akumuluar para nga drejtime të ndryshme, dhe ata ndërtojnë dhe nuk kanë interes të shesin dhe i mbajnë aty derisa të rriten akoma çmimet, sepse nuk ekziston mundësia tjetër që një biznes që e qarkullon atë para në pallatin që ndërton pasi nëse nuk ka blerës nuk ka shanse që ta mbaj gjatë kështu që do të uli çmimin dhe do të shesë në mënyrë që të ndërtojë pallatin tjetër. Nuk besoj se Shqipëria është aq e pasur sa të ketë luksin e madh që të mbajë me lagje të tëra pa shitur. Këtu ka lidhet me ligjshmërinë ka lidhje me pagesën e taksave, pagesat si çdo biznes dhe të verifikoj burimin e të ardhurave. Ku i more paratë është pyetja e parë që duhet të bëhet”, pohon sipërmarrësi Zef Shtjefni.

Të gjithë në të njëjtin mendim ekspertët e ekonomisë, thonë se shkak për këtë shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve jo në përputhje me jetesën, është investimi i parave të pista në ndërtim.

“Nuk shpjegohet kurrsesi se si hyrjet e ndërtuara 10 apo 20 viteve kanë pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve. Kjo tregon që sektori i ndërtimit ka diçka që nuk shpjegohet ekonomikisht, ose ka diçka që shpjegohet me faktorët e jashtëm, për paratë që vijnë nga jashtë jo nëpërmjet parave bankare si dhe me paratë kriminale. Kemi ndërtime pafund rreth e rrotull dhe këto nuk po shiten, kjo të çon të mendosh që ndërtuesit nuk ndërtojnë se e shikojnë si një mundësi për të gjeneruar para në mënyrë të menjëhershme, por ndërtojnë sepse kanë likuiditet shumë të madh dhe e shohin si një mundësi për të ardhmen”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

“Është përfolur gjithmonë për përdorimin e tij për pastrimin e parave, kështu që pavarësisht se kemi pasur rritje të ndërtimeve apo të kullave, ato kanë mbetur stok”, shprehet eksperti i Ekonomisë Vjoldi Danaj.

“Zë një peshë shumë të rëndësishme sidomos në sektorin e ndërtimit dhe në pasuritë e patundshme, efektet e së cilës po duken si në mbiçmimin e monedhës kombëtare, ashtu edhe në deformimin e çmimeve”, pohon eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Rreziku për pastrim parash në vendin tonë është rritur në vitin 2021 sipas Indeksit të Bazelit ku Shqipëria nga vendi i 44 që ishte në vitin e kaluar tashmë renditet e 72-ta për këtë fenomen negativ.