MENU
klinika

‘Krimi i organizuar, pengesë e madhe për zhvillimin'

Eurodeputetët për Ballkanin: BE t’i mbështesë!

27.10.2021 - 09:31

Krimi i organizuar është një pengesë e madhe për zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimorë. Në këtë përfundim kanë dalë Eurodeputetët, në një raport mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor

Ata u kërkojnë qeverive në rajon që të rrisin ndjeshëm përpjekjet e tyre për të ecur përpara me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja, sipas eurodeputetëve, duhet t’i mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.

Përshpejtimi i procesit të integrimit në BE

Raporti, i miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme të martën me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për migrantët dhe refugjatët dhe si vend për pastrim parash dhe trafikim të armëve të zjarrit.

Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme.

Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme, thotë raporti, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina.

Mungesa e vullnetit të mirëfilltë politik në luftimin e krimit të organizuar

Me keqardhje për mungesën e vullnetit të vërtetë politik nga ana e elitave politike lokale për të luftuar krimin e organizuar, eurodeputetët theksojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të adresojnë plotësisht mangësitë e sistemeve të tyre përkatëse të drejtësisë penale, duke përfshirë kohëzgjatjen e procedurave ligjore.

Eurodeputetët nënvizojnë nevojën për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave mbrojtëse të qarta kundër korrupsionit dhe ndjekjes efektive të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar

Eurodeputetët nënvizojnë se është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar si dhe me organizata të tilla si NATO, Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsioni (GRECO), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC).

Raporti mirëpret përfundimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Eurojust-it dhe qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe autorizimin për hapjen e negociatave me Bosnje-Hercegovinën. Eurodeputetët i kërkojnë Këshillit që të autorizojë sa më parë hapjen e negociatave për një marrëveshje të ngjashme me Kosovën.