MENU
klinika

Analiza

Europa i ofroi Turqisë para për marrëveshjen e Parisit

09.10.2021 - 14:54

Nga Karl Mathiesen, Politico

Ratifikimi i Turqisë për marrëveshjen e Parisit për klimën këtë javë erdhi pasi qeverisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan iu ofrua një garanci për ta mbështetur financiarisht gjatë bisedimeve me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.

Ankaraja  e ratifikoi marrëveshjen mbrëmjen e së mërkurës, duke i dhënë fund viteve të refuzimit dhe  duke ndërmarrë kështu hapin përfundimtar ligjor për t’ju bashkuar marrëveshjes ndërkombëtare për të kufizuar ngrohjen globale të nënshkruar në vitin 2015.

Ky vendim erdhi pas një marrëveshje në parim për t’i siguruar Turqisë mbështetje financiare për pastrimin e emetimeve të saj, një marrëveshje që u arrit midis Ankarasë dhe zyrtarëve nga Franca, Gjermania, Korporata Financiare Ndërkombëtare e Bankës Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Mbretëria e Bashkuar ishte gjithashtu pjesë e bisedimeve por nuk nënshkroi marrëveshjen.

Sekretari gjerman i Shtetit për Mjedisin Jochen Flasbarth e quajti ratifikimin e Turqisë “një hap shumë të rëndësishëm mbi të cilin Gjermania ka bashkëpunuar gjatë dhe intensivisht me Turqinë”.  Ministri turk i Mjedisit Murat Kurum bisedoi të shtunën e kaluar me Presidentin e COP26 të Mbretërisë së Bashkuar, Alok Sharma, Ministren Franceze të Tranzicionit Ekologjik Barbara Pompili dhe Flasbarth.

Një zëdhënës i IFC( Korporata Financiare Ndërkombëtare) tha se ishte “i lumtur të mbështeste Turqinë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit, por nuk e dimë nëse fondet e IFC do të përdorën për këtë qëllim.”

Pas atyre diskutimeve, Turqia njoftoi se deri në 2053 do të arrinte qëllimin e saj për “emetime zero”  por nuk e ka sqaruar nëse ai qëllim është vetëm për të gjitha gazrat serë apo CO2. Turqia ka refuzuar me vite të jetë pjesë e marrëveshjes klimatike derisa të konsideroj si një vend në zhvillim sipas kushteve të konventës klimatike të OKB-së të vitit 1992.

Në fakt statusi aktual i Turqisë është lënë në harresë, pasi vendet e kanë përjashtuar nga pagesa e kontributeve financiare, por ajo zyrtarisht mbetet pjesë e grupit të kombeve të zhvilluara. Sipas deklaratës së Turqisë, ajo do të zbatonte marrëveshjen e Parisit “si një vend në zhvillim”. Por një nga zyrtarët që përshkroi marrëveshjen me qeveritë dhe bankat europiane tha se statusi i Turqisë sipas konventës nuk do të ndryshonte si pjesë e marrëveshjes që ata kishin arritur me Ankaranë.

Erdogan nuk ka qenë subjekt i presionit të fuqive të mëdha në prag bisedimeve për klimën COP26, bisedimet, të cilat fillojnë në Glasgow për pak më shumë se tre javë. Por me administratën e Joe Biden që iu bashkua marrëveshjes këtë vit, Turqia ishte ekonomia e vetme e G20 që nuk e kishte ratifikuar marrëveshjen. Vetëm Jemeni, Libia, Iraku, Irani dhe Eritrea nuk janë pjesë e marrëveshjes.