MENU
klinika

Nuk ishte gjykuar se kishte imunitet

“Gërdeci”, SPAK nis hetimet për Fatmir Mediun, rrezikon deri në 8 vjet burg

29.10.2021 - 10:06

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar dje procedim penal ndaj Fatmir Mediut, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, në kuadër të dosjes “Gërdeci”.

Hetimet SPAK i ka nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Në zbatim të këtyre neneve, Mediu rrezikon deri në 8 vjet heqje lirie.

“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, thuhet në nenin 248 të Kodit Penal.

Ndërsa neni 70 i Kodit Penal Ushtarak përcakton se:

“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, për përmbushjen e rregullt të detyrës, kur i ka sjellë pasoja të rënda shtetit ose interesave të ligjshme të shtetasve, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet. Kur kjo vepër është kryer nga kuadri ose personeli komandues dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.

HETIMI

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: ‘Shpërdorim i detyrës’, kryer në bashkëpunim, si dhe ‘Shpërdorim i detyrës’ në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, njoftoi dje SPAK.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi pasi Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator të këtij viti riktheu për hetim në Prokurorinë e Posaçme dosjen e Gërdecit. Në vendimin e Apelit thuhej se çështja nuk ishte gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hapte rrugë procesit për rihetim.

“Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte e përkohshme. Rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

“Gjykata vendosi të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e prokurorit të posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet prokurorit të posaçëm për të proceduar”, shpjegon Gjykata e Posaçme e Apelit në njoftimin për vendimin e saj.

Shpërthimi në Gërdec, pak kilometra ne Jug të Tiranës, në vitin 2008, shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve edhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Një numër i madh personash, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve, u vunë nën akuzë dhe u dënuan në procesin gjyqësor për këtë çështje.

Por ish-ministri i Mbrojtjes nuk u gjykua kurrë, ndonëse dhe ndaj tij u zhvilluan hetime.

Prokuroria e Përgjithshme një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009 ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila sipas legjislacionit të kohës, ishte kompetente për gjykimin e personave me imunitet.