Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, nxit kryedemokratin Lulzim Basha që t’i jap fund heshtjes në lidhje me çështjen Berisha. Përmes një editoriali deputeti i PD-së shkruan se heshtja e zgjatur e kryedemokratit në lidhje me këtë temë po humbet edhe kuptimin e etikës. (të mos flas duke marrë parasysh se Berisha është lideri historik).
Teksa thotë se vendimi i Bashës për Berishën ishte i imponuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjekmarkaj kërkon prej kreut të PD-së duhet t’u shpjegojë demokratëve për aq sa është e mundur arsyet që e çuan të ndërmerrte vendimin drastik të pezullimit. Më tej, Gjekmarkaj ndalet edhe te sjelljet e liderit historik të PD-së, Sali Berisha. Reagimi i këtij të fundit sipas Gjekmarkajt i jep përgjigje edhe pyetjeve se përse Basha nuk e kishte mënjanuar më herët Berishën nga politika. Sipas analizës së kryetarit të Komisionit të Medias, lëvizja e Berishës nuk ka moral politik.
Këtë konkluzion ai e nxjerr teksa thotë se po të mos ishte shpallur “non grata” Berisha dhe SHBA-ja të mos ishte imponuar për përjashtimin e Berishës, ky i fundit nuk do të kishte ndërmarrë asnjë lëvizje kundër Bashës dhe nuk do të hidhte mbi Bashën akuzat që ka artikuluar gjatë takimeve me mbështetësit. Sipas Gjekmarkajt Berisha e konsideron PD-në si pronën e tij private dhe tani që dikush e ka larguar sillet sikur do të rimarr pronën dhe t’ia jap dikujt më të besuar.
AGRON GJEKMARKAJ
Asnjëherë s’më ka pëlqyer të bëj sikur për më tepër tani që kam një angazhim publik në Partinë Demokratike, formacion ky i cili po kalon ditët e veta më të këqija në historinë e vet. Në krye të lëvizjes për të rrezuar Lulzim Bashën kreun legjitim të kësaj force është vetë Sali Berisha lideri historik i demokratëve. Ai po e bën këtë pasi Basha nën presionin ultimativ të SHBA-së u detyrua ta pezullojë atë nga grupi parlamentar me një vendim personal të kryetarit.
Nëse Amerika nuk do të kishte marrë një vendim për Sali Berishën statuskuoja nuk do të ishte prishur dhe PD-ja do të notonte në të njëjtat ujëra dhe me të njëjtin kurs mbështetje të doktorit për Bashën i patrazuar nga pirgu i problemeve që PD-ja trashëgon nga e kaluara e Berishës dhe e Bashës.
Ky kontekst e komprometon etikisht dhe bën të pabesueshme lëvizjen e “Foltores” dhe zërin që del prej saj. Berisha po reagon si një njeri që dikush i ka marrë pronën dhe ai do ta rikthejë atë te trashëgimtarë më të besueshëm. “Foltorja” i ikën thelbit që është verdikti amerikan. Kjo lëvizje e Sali Berishës do të kishte kuptim kohë më parë, sidomos pas zgjedhjeve të 2017 apo edhe më vonë por jo tani.
TË VËRTETAT E “FOLTORES”
Ndonëse prej saj duhen marrë disa të vërteta që ekzistojnë përtej shtysave që një ditë duhen zgjidhur. Sali Berisha po e sulmon egërsisht Bashën dhe ky i fundit është mbyllur në një heshtje të zgjatur aq sa të krijon përshtypjen se s’do flasë kurrë mjaftueshëm. Kjo është një krizë e madhe dhe krizat nuk përballohen me heshtje i mbyllur në zyrë. Ato kërkojnë përballje, ide dhe debat e mbi të gjitha shumë kurajë. Sali Berishës i duhet dhënë çfarë është e Sali Berishës, sepse ai ka merita të shumta në PD dhe në vend e mbi të gjitha për 13 vite këtë formacion politik e ka mbajtur në pushtet.
Por, Sali Berisha nuk është shenjtor, por politika që mban në kurriz krahas sukseseve edhe dështime. Më i fundit ishte në 2013 kur mori 1 milion vota kundra. Nëse Berisha thotë të vërtetën apo gënjen Lulzim Basha duhet t’i pohojë, të thotë po është e vërtetë ose kjo është gënjeshtër, sepse po lakohet në vetë të parë. Alegoria është shumë pak. Ai duhet të shpjegojë më qartë e më thellë vendimin e tij , pozitën e tij dhe të PD-së në raport me SHBA-në dhe aq sa di e mundet të thotë për pozitën e Sali Berishës ndaj tyre.
PD-ja ka nevojë të ndryshojë dhe të dalë kjo nga një gjendje të menduari. PD-ja nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. PD-ja nuk mund të vazhdojë pas kësaj historie me rutinën e normalitetit. Këtë proces ndryshimi nuk mund ta drejtojë Sali Berisha për aq kohë sa shtysë është interesi krejt personal. PD-ja ka nevojë për bashkim të gjerë njerëzish e alternativash, por jo si masë karshillëku ndaj SHBA-së. Kjo është sa e dëmshme po aq qesharake. PD-ja si parti nën tehun e sulmit amerikan do të shndërrohej në një organizatë pa oksigjen e pa të ardhme, qytetarët e kuptojnë këtë, antihistorike dhe e sigurt në shuarjen e saj të dhimbshme.
Nëse në krye të saj sot rikthehej Sali Berisha 77 vjeç ose një kukull e tij shanset e saj për të ardhur në pushtet janë zero, po kaq zero pranimi nga SHBA-ja. Partitë janë si shoqëria si jeta e përditshme, aty nuk ka sublimitet, ka mendime racionale, ndershmëri, arsye, idealizëm po aq sa ka intriga, banalitet, iracionalitet, gënjeshtra, shtirje, servilizëm, skema dhe nuk është hataja, por hataja është nëse në një parti vret garën, në një parti si PD-ja nuk duhet të ketë emërime, për asnjë post, çdokush duhet të konkurrojë, të shndërrojë në mendësi hapjen ndaj elitave, duhet të mësohet me idenë e së përkohshmes, të vijë e të ikë në paqe, duhet të vihet në diskutim Lulzim Basha si lider siç bëri me 13 qershor dhe sa herë krizat ia kërkojnë, Agron Gjekmarkaj si deputet, si anëtar Kryesie, si kryetar Komisioni, çdokush aty brenda nga kupola drejtuese duhet ta mendojë vetën në konkurrencë pse jo edhe të mundur prej saj.
Shoh sot persona që flasin për kontribute a thua se na dhanë ujin e shpëtimit ditën e gjykimit, por nuk thonë sa kanë marrë nga PD-ja dhe pushteti i saj. Janë bërë presidentë, kryeministra, kryetar Kuvendi, ministra, deputetë nga mbi 20 vite, drejtorë e kanë rregulluar jetën e tyre, e boll mirë po mos t’u shesin dëngla me parime shqiptarëve. Një ditë do të vdesim të gjithë ne aktualët e jeta do vazhdojë edhe pas nesh, edhe politika po ashtu. Ndjesia e së përjetshmes është thjeshtë e rreme, barbare dhe e dhunshme ndaj ligjësive hyjnore. Kjo kapje pas karriges është e frikshme, kjo dëshirë rikthimi po kaq. Njerëzit në PD kanë nevojë të pyeten, të dëgjohen, të konsiderohen, të përfshihen dhe jo një pjesë të jenë të besuar si ambasador të dijeve të epërme, të mbyllur në klauzurën e heshtjes e të tjerët punëtorë me mëditje si mbushje topi kur diferencat intelektuale e politike me pjesën tjetër nuk është se janë fort të shquara.
Kjo shkëputje në PD bie në sy. Fryma e grupit mungon. Ata që kanë akuzuar Lulzim Bash%n pse nuk e largon Sali Berishën tani mund t’i kuptojnë më qartë arsyet sa e vështire dhe pamundur dukej kjo. Në optikën time kryetari real i PD-së, Basha, është prej katër javësh, por ende ai nuk po gjen kurajën, pasi ka ngritur në qiell anët e mira të Berishizmit të dënojë anët e këqija të tij. Ai së pari duhet të kërkojë falje për trashëgiminë e mungesës së institucioneve demokratike brenda PD-së, ose ekzistimi i tyre si fasadë e nevojës së kryetarit për të sunduar, këtë e trashëgoi nga Berishizmi.
Çfarë duhet të bëj Basha Basha edhe pse nuk ka faj, duhet të bëjë aktin duke i shkuar në qelize komprometimit të demokracisë qysh në periudhën 1992-1997, ku u burgos lideri i opozitës, u manipuluan zgjedhjet e vitit 1996, u rrah masivisht lidershipi opozitar dhe Shqipëria shkoi në prag të luftës civile në vitin 1997 pas falimentimit të skemave piramidale. Duhet të kërkoje falje për bathorizimin e Shqipërisë nga pikëpamja urbane dhe fjalorin e dhunshëm që PD-ja dhe lidershipi i saj me libër shtëpie imponuan në diskursin publik.
Të persekutuarit politik, elita e familjeve të Shqiperisë në vitin 1994 hynë në greve urie për të drejtat e tyre që me shumë se kujtedo u takonin por qeveria e PD i rrahu, i nxorri me dhune, i fyeu duke u sjelle me perbuzje klasore! Dekomunistizimi që ata kerkonin nuk u krye kurrë, demshperblimi dhe integrimi po njesoj. Basha edhe për këtë duhet të kerkojë falje edhe pse asokohe ishte student drejtësi një drejtësi që në vendin tonë nuk po troket.
Të zhgenjyerit e të vjedhurit e parë mbeten e janë ënde ish pronaret , dyqanet e cileve i moren shitesit, vilat e pronat, tokat e fabrikat e prej 30 vitesh vertiten poshte e lart sa në një gjykatë vendore sa ne Strazburg ! PD dhe qeveria e saj të kompleksuar nga kultura socialiste e prones nuk bënë akte të guximshme që këtë drejtë themelore të jetes siç është prona ta kthenin tek i zoti ! Perseri falja nuk është e tepert! Në një kohë kur PD erdhi në pushtet me moton e duam “Shqiperinë si gjithe Europa” në mesin e qeverisjes u spostua aksi gjeostrategjik drejt linjes së mesme gabim ky që u tentua të ndreqej më vonë.
Mbase ndjesë jo por një reflektim duhet edhe për këtë!
Sot, Basha akuzohet për marrëveshje e pazare me Edi Ramën nga Berisha dhe njerëzit më afër tij, por duhet t’i shpjegojë shoqërisë që marrëveshjet e mëdha me socialistët i ka bërë Sali Berisha dhe mirë ka bërë, qeveria e stabilitetit, qeveria teknike e vitit 1991, marrëveshja e 9 marsit dhe qeveria e Bashkim Finos, marrëveshja me Fatos Nanon për Presidentin, kryeprokurorin dhe kryetarin e Shërbimit Informativ në 2002 dhe ajo e 2007-ës ku me 6 vota socialistësh u zgjodh Bamir Topi President, marrëveshja e vitit 2008 për ndryshime kushtetuese me Edi Ramën dhe mirë ka bërë, sepse me kundërshtarin do të bësh edhe marrëveshje në të mirë të vendit, se nëse nuk bën marrëveshje shkon në konflikt dhe luftë si në vitin 1997.
Duhet demistifikuar njëherë e përgjithmonë konspiracioni mbi marrëveshjet politike në këtë vend dhe me këtë që po them nuk po përligj, as po nxis ndonjë marrëveshje inekzistente me Edi Rimën. Por mbi të gjitha, Basha duhet të prezantojë projektin që shoqëria dëshiron për PD-në si projekt ringritjeje e përfaqësimi, projektin e fitores. Basha duhet të flasë. Heshtja e tij po humbet kuptimin që etika e ditëve të para ia impononte. Kjo nuk është vetëm beteja e tij, por shumë më e madhe se kaq, një betejë mes lindjes dhe perëndimit, një beteje për një PD proamerikane apo antiamerikane, kauza këto për të cilat gjithkush duhet të vihet në diskutim. Basha duhet t’i prijë kësaj beteje dhe jo të mbrohet nga sulmi. Demokratët qanë njëherë për Sali Berishën kur u largua në verën e vitit 2013 dhe nuk mund të qajnë gjithë jetën për të.