MENU
klinika

Vettingu

Gjiknuri: Vendi ka mjaftueshëm ligje që bëjnë filtrimin e politikanëve

26.10.2021 - 20:47

Grupi Parlamentar i PD-së dorëzoi në Kuvend tre propozime për amendimin e Kushtetutës; zhbërjen e ndryshimeve të Kushtetutës për sistemin zgjedhor të miratuara nga mazhoranca vjet në korrik, kalimin e politikanëve në veting dhe reformë të re territoriale.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri gjatë një interviste në studion e Ora News u shpreh se nxitja e PD-së për këto procese vjen si reflektim i një lufte të brendshme politike që ka brenda vetes.

“Është një paketë e nxituar, e pamenduar thellë por që në fund të fundit përfaqëson retorikën e lidershipit aktual të PD-së. Problemi i reformës zgjedhore ka një traditë që është adresuar në Shqipëri, gjithmonë është ngritur nëj ekspertizë e përbashkët ku palët kanë punuar me ekspertizën e ODIHR për të adresuar rekomandimet apo çështje që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore. Për të adresuar reformën zgjedhore nuk ka nevojë për ndryshimin e Kushtetutës, ka nevojë për ngritjen e një Komisioni të Përbashkët për adresimin e të gjitha projekt-vendimeve”, u shpreh Gjiknuri.

Për sa i përket reformës territoriale Gjiknuri tha se edhe kjo meriton një trajtesë të përbashkët.

“Çështja është vetëm te ligji i pushtetit vendor. Kjo do një studim dhe një punë të përbashkët sepse janë reforma bipartizane, nuk i kemi votat as ne as ata, duhen 84 vota për të ndryshuar ligjin. Propozimi i PD-së për reformën territoriale nuk ka fare nevojë për ndërhyrje të nivelit kushtetues, megjithatë jemi të hapur të diskutojmë”, tha ai.

Vetingu i politikanëve, sipas zotit Gjiknuri është një risi e re dhe unike të cilën nuk e ka asnjë vend.

“Ky vend ka mjaftueshëm ligje që bëjnë atë që quhet filtër për politikanët. Kemi legjislacionin për deklarimin e pasurisë ku politikanët i nënshtrohen një hetimi të plotë administrativ për sa i përket burimit të pasurive. Vetingu i politikanëve bëhet nëpërmjet zgjedhjeve, pra politikanët nuk zgjidhen në mënyrë të përjetshme. Kjo do të thotë që vetë qytetarët gjykojnë, vetë partitë politike duhet të pastrohen në radhët e tyre dhe janë qytetarët që japin vendimet me votën e tyre”, vijoi Gjiknuri.

Sipas Gjiknurit, përfshirja e gjyqësorit në një rol aktiv të një hetimi administrativ është e padëgjuar sepse Prokuroria dhe Gjykata veprojnë kur ka shkelje ligjore, nuk mund të bëjnë rolin e një filtri administrativ. Megjithatë, Gjiknuri nuk u shpreh kundër diskutimit me opozitën.

“Në parim ne jemi dakord të diskutojmë çdo gjë që është brenda parimeve demokratike, pa cenuar parimet normale që është e drejta e zgjedhjes, stabiliteti i partive politike, e drejta e kandidimit dhe garës”, u shpreh ai.